PD: Mbështesim qëndrimin e Ramës për imunitetin
Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, u shpreh se partia në pushtet është e hapur për të gjithë mënyrat
TIRANË-Dy partitë kryesore në vend janë në prag të konsensusit të dytë të rëndësishëm, pas miratimit të paketës kushtetuese në Kuvend. Partia Demokratike ka vendosur t'i thotë "po" kërkesës së kryesocialistit Edi Rama që heqja e imunitetit të mos trajtohet si një çështje e veçuar, por pjesë e Paktit Kombëtar për Drejtësinë. Edhe pse Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend projektligjin e saj për kufizimin e imunitetit, kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, ka deklaruar dje se partia në pushtet është e gatshme që të ndërhyjë në të gjitha mënyrat qofte përmes ndërhyrjes në Kushtetutë, ashtu edhe miratimin e ndonjë projektligji. "Ne nuk mendojmë që ka një formë për të arritur synimin. Ne jemi të hapur për të gjitha mënyrat, edhe për të ndërhyrë në Kushtetutë, por edhe në rast se ka ndonjë mënyrë tjetër vetëm me miratimin e ndonjë projektligji", tha dje Patozi. Pak ditë më parë, Partia Demokratike depozitoi draftin e vjetër të saj për heqjen e imunitetit. Gjatë njoftimit në Kuvend të kësaj lëvizjeje, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi mirëkuptim, duke ftuar në të njëjtën kohë opozitën që edhe ajo të jepte variantin e saj, duke ndërhyrë në draft. Por, duke mos e trajtuar çështjen kaq specifikisht, një ditë më pas, kryetari i PS-së, Edi Rama, kërkoi angazhimin që forcat politike duhet të marrin lidhur me diskutimin sa më të gjerë të gjithë përmbajtjes së Paktit Kombëtar për Drejtësinë, të propozuar pak muaj më parë nga Partia Socialiste. Ai ka shprehur nevojën që forcat politike në vend të mbështesin të gjitha reformat që përmban Pakti Kombëtar për Drejtësinë. "Ky duhet të jetë një angazhim i të gjitha forcave politike, që solemnisht duhet ta kthejnë këtë Pakt Kombëtar, në një angazhim konkret të miratuar në Parlamentin e Shqipërisë, si një axhendë afatgjatë për të gjitha forcat politike, pavarësisht se kush është në pushtet dhe kush është në opozitë, apo anasjelltas",u shpreh Rama pak ditë më parë. Çështja e imunitetit duket se do të jetë pikërisht hapi i dytë konkret që dy partitë kryesore në vend do të ndërmarrin, një lëvizje kjo që kohët e fundit po mbështetet jo pak edhe nga ndërkombëtarët.