E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, PS: Berisha t'i përgjigjet interpelancës

 

Opozita braktis sallën për ligje të rëndësishme që lidhen me biznesin. Kërkohet prania e Kryeministrit në Kuvend

TIRANË- Opozita socialiste është detyruar dje që të braktisë seancën plenare. Shkak është bërë gjuha aspak dinjitoze me të cilën Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i është drejtuar kryetares së grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj. Çështja për lindjen e këtij konflikti është bërë pikërisht kërkesa e kryetares së grupit socialist për të shtyrë diskutimin dhe miratimin e projektligjeve për falimentin dhe prokurimet publike, në mënyrë që t'i lihet koha e duhur grupeve të interesit për të shprehur qëndrimet e tyre. "Për shkak se nuk ka marrë gjithë kohën e nevojshme për t'u diskutuar, për shkak se ka disa ndryshime nga drafti i qeverisë, për shkak se nuk janë përfillur aktorët e interesit, ne si grup parlamentar i PS-së kërkojmë që të dy projektet të tërhiqen dhe të marrin gjithë kohën e nevojshme dhe seriozitetin e duhur për t'u ridiskutuar në komisionet parlamentare dhe me grupet e interesit. Prandaj unë do të kërkoja që këtë propozim ta hidhni dhe në votim", - u shpreh Leskaj në emër të grupit. Por kërkesës së numrit një të deputetëve socialistë Kryetarja e Kuvendit, Topalli, i është përgjigjur: "Ky ligj është shumë i rëndësishëm dhe diskutohet prej vitesh. Nëse dikujt i prishen interesat me këtë ligj ne s'na interesojnë fare dhe do vazhdojmë diskutimet. Ju nuk ju shkon, zonjë, të përflisni nëse japin leksion apo jo ministrat. Dëgjojmë çdo ditë kangën tande për një nen të rregullores që na e këndon përditë, ky është një budallallëk, por ne s'ta themi, kështu që të keni kujdes", - u shpreh Topalli. Kjo ka sjellë reagimin e ashpër të deputetëve të grupit socialist, të cilët në shenjë proteste janë larguar nga salla. Ndërkohë që seanca e djeshme parlamentare që në fillimin e punimeve të saj ka nisur e tensionuar. Objekt debati është bërë edhe kësaj radhe mungesa e kryeministrit Sali Berisha dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar për t'iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve opozitar lidhur me çështjet që shqetësojnë sot më shumë shqiptarët. Një prej tyre është edhe ajo për tragjedinë e Gërdecit dhe korrupsioni që u zbulua prej saj. Lidhur me këtë çështje edhe një herë socialistët kanë kërkuar në 1-orëshin e diskutimeve jashtë rendit të ditës që kryeministri Berisha të vinte në sallë për t'iu përgjigjur kërkesës së opozitës për raportimin rreth kësaj tragjedie. Deputetët opozitarë nuk ngurruan të akuzojnë kreun e qeverisë Berisha se, pavarësisht vendimeve të organeve të drejtësisë, ai vazhdon të ketë takime pothuajse të përditshme me drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini. Sipas nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, kryeministri Berisha nuk vjen në seancë pasi nuk do t'i përgjigjet interpelancës për çështjen e Gërdecit. "Kryeministri vazhdon ta quajë Gërdecin aksident teknologjik. Edhe pse prokuroria ka ngritur akuzë për shpërdorim detyre dhe për korrupsion, kryeministri ynë vazhdon ta quajë atë aksident teknologjik. Tani le të ketë burrërinë dhe të vijë në Kuvend për të mbrojtur tezën që përdoret në vendimet e tij për aksident teknologjik", - u shpreh Braçe. Ndërkohë Valentina Leskaj ka paralajmëruar se deputetët socialistë nuk do të marrin pjesë në seancën e ardhshme plenare në 1-orëshin e diskutimeve jashtë rendit të ditës në rast se kryeministri dhe ministrat e tij nuk do të jenë prezentë në sallë. "Grupi i PS nuk do të hyjë më në seancën e 5-minutëshit nëse nuk ka këtu përfaqësues të qeverisë për të dëgjuar dhe për të dhënë përgjigje. Ne s'jemi këtu për fasadë", - u shpreh Leskaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›