E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNMIK-u lë pas probleme

Mos-rishqyrtimi i marrëveshjeve të UNMIK`ut të nënshkruara për Kosovën, po i krijojnë probleme Qeverisë. Në rastin konkret edhe për rastin e CEFTA`s Nga Albulena Maloku më 12 janar 2011 në ora 10:28

Mosrishikimi i marrëveshjeve të nënshkruara pas luftës po sjell probleme në zbatimin e tyre. Të gjitha këto marrëveshje multilaterale dhe bilaterale të bëra në kuadër të UNMIK’ut do duhej të ishin pjesë e rishqyrtimit nga institucionet vendore. Ekspertët thonë se këto marrëveshje janë pengesë për zbatimin e duhur të tyre, siç është rasti me CEFTA’n. Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë nuk e shohin të arsyeshëm rishikimin e tyre, që, sipas tyre, ato janë të rregulluara me ligj dhe kushtetutë.

“Në pakon e Ahtisarit parashihet qartë se Kosova është pasardhëse fuqiplotë e këtyre marrëveshjeve dhe i merr obligimet dhe përgjegjësitë që më herët ka mundur t’i ketë UNMIK’u”, thotë zëdhënësi i qeverisë në largim, Memli Krasniqi. Sipas tij, të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë në këto marrëveshje për Kosovën janë të rregulluara me ligj dhe kushtetutë.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës(OEK), Berat Rukiqi, vlerëson se këto marrëveshje të bashkëpunimit do duhej të ishin pjesë e rishqyrtimit nga vendorët. “Kosova nuk ka shumë marrëveshje të nënshkruara nga koha e pasluftës, që nga administrata e UNMIK’ut e deri te institucionet e Kosovës që veprojnë të pavarura. Janë disa në fushën e transportit, në fusha të ndryshme të bashkëpunimit ekonomik, të cilat realisht do duhej të ishin pjesë e rishqyrtimit”, thotë Rukiqi. Në disa marrëveshje të bashkëpunimit rajonal, ai tregon se UNMIK ka vepruar në emër të institucioneve në atë kohë. Sipas tij, këto marrëveshje tash t’ gjitha janë pengesë për zbatimin e tyre, duke pasur parasysh që Kosova nuk mund të përfaqësohet më përmes UNMIK’ut. “Rezultat i këtij mosrishikimi ka lindur edhe problemi i CEFTA’s, që është dashur të rishqyrtohet më herët në kuadër të tranzicionit nga UNMIK’u në institucionet tona. Atëherë ka qenë e nevojshme të jetë një qëndrim shumë më i qartë dhe ky problem të përcillet vazhdimisht e jo tani kur është grumbulluar dhe është krijuar si problem i madh, prandaj tash e trashëgojmë këtë problem”, tha Rukiqi.

Ai tha se për të gjitha këto marrëveshje duhet të krijohet një bazë e mirë ligjore edhe institucionale në mënyrë që këto marrëveshje të zbatohen dhe të jenë në dobi të ekonomisë vendore. Profesori i integrimeve evropiane, Gazmend Qorraj, thotë se institucionet e Kosovës do të duhej që të rinegocionin të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga përfaqësimi i përbashkët me UNMIK-un.

“Në një dokument tranzicioni, që është përgatitur në vitin 2007, në kemi paraparë që në vitet në vijim institucionet e Kosovës duhet të rishikojnë të gjitha marrëveshjet multilaterale dhe bilaterale të nënshkruara, në mënyrë që sot Kosova të mund të përfaqësohet në mënyrë më të mirë, por çka është me rëndësi edhe funksionalizimi i kësaj marrëveshjeje të mos vihet në pikëpyetje”, thotë profesori Qorraj.

Ai tregon se është një dokument tranzicioni që ka pasur qëllim përgatitjen e tranzicionit prej UNMIK’ut te institucionet vendore, që në të ardhmen të mos ketë probleme me këto marrëveshje ekonomike të nënshkruara në atë kohë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›