US Open fitore te lehta te Gjokovicit dhe Serena Uilliamsit

Novak Gjokoviç dhe Serena Uilliams arritën fitore të lehta në raundin e katërt të turneut të Çmimit të Madh US Open në Nju Jork, duke u kualifikuar për në çerekfinale.
Gjokoviç, numri 1 i botës, fitoi pastër në 3 sete ndaj spanjollit Marsel Granojers, madje duke humbur vetëm 3 gejme.
Serena Uilliams, numri 1 i femrave dhe trofembajtëse, mundi 2-0 me sete spanjollen Karla Suarez Navarro. Serena nuk humbi asnjë gejm, pra fitoi 6-0 e 6-0.
Jo e lehtë për numrin 2 të botës tek femrat, Viktoria Azarenka. Tenistja bjelloruse kaloi në çerekfinale pasi mundi 2-1 serben Ana Ivanoviç.
Kalon edhe kinezja Li Na që mundi rusen Jekaterina Makarova, 2-1 me sete.
Një ndeshje e fortë tek meshkujt ishte ajo mes rusit Mihail Juzhnij dhe australianit Lejton Hjuit. Juzhnij fitoi 3-2 me sete.
Ndërkaq, do të nisin luhen sot duke u gdhirë dita e nesërme ndeshjet çerekfinale.
Tek femrat bie në sy derbi italian mes Roberta Vinçit dhe Flavia Penetës. Pra, Italia do të ketë një gjysmëfinaliste të sigurt.
Ndeshja tjetër e femrave sot është ajo mes çekes Daniela Hantuçova dhe Viktoria Azarenkës.
Tek meshkujt, kemi derbin spanjoll, Tomi Robredo-Rafael Nadal si dhe ndeshjen mes francezit Rishar Gaske dhe spanjollit David Ferrer.