E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, Prokuroria do të thërrasë pesë personazhe të panjohur



Habjon Hasani

Tiranë - Prokuroria e Përgjithshme ka zgjeruar gamën e të dyshuarve si të implikuar në trafikun e municioneve me bazë Gërdecin. Konstatimi i disa dëshmive të bëra publike në media nga ish-punonjësit e fabrikës kanë bërë që hetuesit të rivlerësojnë dëshmitë e mbledhura prej tyre, duke kuptuar se përmbajtja e dëshmive të mbledhura ka qenë e mangët. Ndërsa do të ripyeten rreth 30-40 ish-punonjës, grupi hetimor po rishikon dhe pozicionet e disa personazheve, të cilët deri pak kohë më parë njiheshin si punëtorë të rëndomtë të fabrikës, por që në fakt, në bazë të dëshmive publike, ata janë cilësuar si persona me rëndësi absolute dhe udhëheqës në terren për gjithë veprimtarinë antiligjore të zhvilluar në Gërdec. Sipas burimeve janë rreth pesë persona ata të cilët janë skeduar nga prokurorët, si aktorë potencialë dhe të lidhur me grupin që kontrollonte aktivitetin e fabrikës famëkeqe. Deri tani janë kristalizuar emrat e Veiz Muçës, Haxhi Marës, Nazmi Isufit dhe dy personave të tjerë, të cilët mendohet se kanë kryer një aktivitet shumë domethënës dhe kontrolluese mbi sasitë e municionit dhe koordinimin e veprimeve për përpunimin, shitjen dhe trafikimin e tij. Mendohet se këta persona jo vetëm që nuk kanë qenë punëtorë të thjeshtë, por kanë mbajtur të dhëna dhe inventarë për llogari të tyre, krahas invetarëve që mbaheshin nga i arrestuari Dritan Minxolli. Hetuesit dyshojnë se këta të dyshuar përfaqësonin një tjetër grup interesi, që ishte në biznes me Delijorgjin, por që verifikonte ngarkesat në mënyrë të pavarur.
Rihetimet
Organi i akuzës ka vendosur të rithërrasë disa dëshmitarë dhe të shtojë gamën e të pyeturve vetëm pak ditë më parë. Nga krahasimi që u është bërë dëshmive të dala në media me dëshmitë e siguruara zyrtarisht nga Prokuroria u vërejt një hendek i madh. Ndërsa në procesverbalet e prokurorëve disa personazhe rezultonin si punëtorë të thjeshtë të fabrikës, në artikujt dhe dëshmitë të bëra publike të njëjtët personazhe dëshmohej se kishin pushtet të njëjtë me drejtorin Minxolli, madje në disa raste tejkalonin dhe kompetencat e tij. Nga verifikimet dhe krahasimet e dëshmive, grupi hetimor ka konstatuar se nga dëshmitarët nuk ishte “vjelë” informacioni më i rëndësishëm. Madje në shumë raste, sidomos gjatë dëshmive të marra fillimisht në Prokurorinë e Tiranës, dëshmitarët janë pyetur më shumë për oraret dhe kushtet e punës, sesa për njerëzit që drejtonin punët apo për episode domethënëse që mund të përshkruanin raportet e këtyre punonjësve (të thjeshtë në dukje) me krerët e fabrikës.
Personazhet
Përveç procesit të rimarrjes së dëshmive për disa persona të caktuar, Prokuroria ka vendosur dhe marrjen në pyetje të disa ushtarakëve që kanë punuar në Rinas natën e 19 shtatorit. Shkas për këtë vendim u bë dëshmia publike e ish-punonjësit Andi Belliu, i cili përshkroi emergjencën e krijuar në Gërdec këtë natë dhe ardhjen e tre kamionëve me kuti boshe kineze nga Rinasi. Burime nga organi i akuzës i thanë dy ditë më parë “Albania”-s se ushtarakët që ishin në shërbim atë natë do të merren në pyetje në mënyrë të hollësishme mbi ecurinë e punës dhe të ngjarjeve të jashtëzakonshme që ndodhën natën e 19 nëntorit 2007. Përgjigjja e enigmës (për të gjetur kush urdhëroi fshehjen e kutive kineze) mund të vijë fare lehtë nga ushtarakët që kanë punuar atë natë në Rinas. Ata do të pyeten lidhur me momentin kur u urdhërua mbledhja dhe ngarkimi në kamionë i të gjitha kutive bosh me mbishkrime kineze. Ndoshta këto dëshmi do të përcaktojnë dhe personin e parë që është njoftuar në Rinas, nga ku më pas ky i fundit mund të dëshmojë dhe të artikulojë emrin e urdhëruesit të tij.

29 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›