E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet holandezi me “AUDI Q7” të vjedhur në Belgjikë



DURRËS – Një shtetas holandez është ndaluar nga policia pasi mjeti i tij rezultoi i denoncuar i vjedhur në Belgjikë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se filloi procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit holandez Bart Maas. Procedimi penal ndaj tij filloi për veprën penale të trafikut të mjeteve motorike pasi gjatë kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë bënë bllokimin e sekuestrimin e automjetit fuoristrade tip “Audi Q7” me targa VEJ 439, ngjyrë e zezë, i cili, në bazë të verifikimeve të kryera rezultoi i vjedhur ne Belgjikë që nga fillimi i këtij viti. Ky automjet është në pronësi të shtetasit holandez Bart Maas dhe në momentin e bllokimit drejtohej nga shtetasi K. A., banues në Durrës, thonë burimet policore.

Operacioni, sekuestrohen 5 makina në Fier

FIER - Vazhdon edhe në Fier operacioni i policisë “Shtator 2008”. Burimet zyrtare të uniformave blu bëjnë të ditur se këto ditë janë verifikuar 75 automjete, prej të cilave kanë rezultuar të vjedhura pesë. Si rrjedhojë, po hetohen në gjendje të lirë drejtuesit e automjeteve. Policia bëri të ditur se të pesta automjetet e sekuestruara, të cilat rezultonin të vjedhura e kishin prejardhjen e tyre nga Italia, ndërsa rezulton që tre ishin me targa të Fierit, një me targa të Tiranës dhe e pesta me targa të Beratit. Ashtu si dhe në qytetet e tjera ku është zhvilluar operacioni, mbizotërojnë makinat të tipit “Benz” dhe “BMW”.

Bllokohen 4 mjete të vjedhura, kalojnë në sitë 403 makina

SHKODËR – Pas kontrollit të rreth 400 mjeteve luksoze, janë ndaluar katër prej tyre, të cilat dyshohet të jenë trafikuar në vendin tonë. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit “Shtator 2008” janë sekuestruar katër automjete që rezultuan të vjedhura në Itali dhe Belgjikë. Ato janë “BMW X5”, me ngjyrë të zezë, me targë TR 6868 J, në pronësi të P.K., e vjedhur në Itali, “Audi”, tip A6, me ngjyrë vishnje, me targë AY 725 HC, në pronësi të B. O., e vjedhur në Belgjikë, “Benz”-i, tip 220, me ngjyrë blu, me targë TR 1874 L, në pronësi të I. N., i vjedhur në Serbi dhe “BMW”-ja, tip NJ51 525, me ngjyrë blu, me targë SH 3710 E, në pronësi të A. R., i vjedhur ne Itali tre vjet më parë. Tashmë kanë nisur hetimet ndaj përdoruesve të mjeteve të vjedhura.

29 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›