Kaloi ilegalisht drejt Greqisë 3 vajza, ishin denoncuar të zhdukura nga prindërit
GJIROKASTËR – Dy vajza, motra mes tyre, së bashku me një shoqen e tyre, kanë udhëtuar në mënyrë klandestine në drejtim të Greqisë, por pak pasi kanë hyrë në territorin helen, janë kapur nga policia vendase dhe janë riatdhesuar. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së premte ndërkohë që tre ditë më parë, babai i tyre kishte denoncuar në Policinë e Elbasanit zhdukjen në rrethana të mistershme të bijave të tij. Burimet zyrtare të drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës bëjnë të ditur se vajzat u riatdhesuan, ndërsa ndaloi një 33-vjeçar, i cili i kishte kaluar ilegalisht në Greqi tre vajzat, duke arritur të kalojë pa problem doganën shqiptare dhe të hyjë në territorin grek. Sipas tyre, personi i arrestuar është shtetasi Pëllumb Balashi, lindur dhe banues në fshatin Bardhaj të rrethit Berat, i cili akuzohet paraprakisht për trafik klandestinësh me qëllim përfitimin.
Balashi është arrestuar në orët e para të ditës së djeshme. “Mbasi kanë kaluar kufirin jeshil, ato janë kapur nga Policia Greke dhe janë kthyer si deportivë në Stacionin e Policisë Kakavijë”, sqaroi policia. Ajo theksoi se pas veprimeve të para procedurale të kryera nga Specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër ka rezultuar se këto shtetase i ka ndihmuar për të kaluar kufirin kundrejt fitimit prej 700 eurosh për person. Lidhur me denoncimin e babait të dy motrave nga Elbasani në Policinë e këtij qyteti, për ikjen e vajzave të tij, hetimet nxjerrin se i dyshuari ishte shok me denoncuesin.
“DIE” dhe Marina italiane dhurojnë fanarë sinjalistike për portin
VLORË - Marina Italiane, në bashkëpunim me ekspertët e Delegacionit Italian të Ekspertëve në Shqipëri “DIE”, kanë dhuruar dhe kanë bërë të mundur instalimin e sinjalistikës bashkëkohore në Portin detar të Vlorës. Kjo dhuratë është bërë me qëllimin për të evituar incidentet apo ngjarje të tjera në hapësirën ujore përgjatë bregut. Ky investim financohet nga qeveria italiane dhe bëhet në kuadër të një projekti për vendosjen e sinjalistikës portuale në hapësirën bregdetare shqiptare. Dje, drejtues të marinës italiane u dorëzuan autoriteteve portuale të Vlorës dy fanarë sinjalistikë për kalatat e tij, në funksion të orientimit të mjeteve ujore. Në këtë ceremoni, përveç autoriteteve vendore e ushtarake, morën pjesë dhe drejtues të lartë ushtarak të marinës Italiane, konsulli italian në qytetin e Vlorës, Sergio Trozzi, si dhe përfaqësuesit e Delegacionit Italian të Ekspertëve që bënë të mundur këtë projekt. Sipas gjeneralit të DIE-s, Aldo Piçioti, "dy fanarët e rinj janë pjesë e një projekti të madh që shtrihet gjatë bregdetit Vlorë-Sarandë”. Ai shtoi se, "është duke u përgatitur dhe harta nënujore me qëllim që të gjitha anijet e çfarëdolloj dimensioni, të orientohen e të mos rrezikojnë ngecjen në rërë".
29 Shtator 2008