Ndalohen dy shtetas për grabitjen e kambistit, në kërkim edhe dy të tjerë
ELBASAN – Historia e grabitjes spektakolare të një kambisti ka filluar të zbardhet, ku pas arrestimit të një personi disa ditë më parë, në orët e para të mëngjesit janë ndaluar edhe dy bashkëpunëtorë të tij, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se "Gentian Hoxha, 26 vjeç, me banim në Shkozet të Durrësit dhe Laert Mehmeti, 21 vjeç, lindur e banues në Gjirokastër, u ndaluan nga policia pasi dyshohet të jenë përfshirë në grabitjen e Arben Kovaçit 11 ditë më parë. Më parë forcat e Rendit ndaluan edhe shtetasin Ahmet Qafa, 44 vjeç. Personat e mësipërm dyshohet se kanë plagosur dhe grabitur 2.5 milionë lekë të kambistit Kovaçi". Operacioni për kapjen e 26-vjeçarit Hoxha dhe 21-vjeçarit Mehmeti është kryer në orët e para të mëngjesit të djeshëm në qytetin e Durrësit, ku në ndihmë të policisë së Elbasanit kanë ardhur edhe efektivat e qarkut bregdetar.
Policia bën të ditur se si autorë të kësaj ngjarjeje janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, shtetasit Alban Skonja, 25 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në qytetin e Durrësit, si edhe një shtetas tjetër, të cilit, për arsye hetimi nuk mund t'i publikohen gjeneralitetet. Mësohet se arrestimi këtyre shtetasve u bë në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së qarkut të Tiranës. Kambisti Kovaçi nga qyteti i Elbasanit u plagos rëndë me mjete të forta 11 ditë parë, ndërsa i grabitën edhe shumën prej 2.5 milionë lekësh.
29 Shtator 2008