Gjendet i vrarë, po ruante me armë parcelën me Cannabis
FUSHË-KRUJË – Një 45-vjeçar është gjetur i vdekur në rrethana misterioze pranë një parcele në pronësi të tij, ku ishin mbjellë disa rrënjë bimë narkotike. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se është konstatuar i vdekur në orët e para të mëngjesit të djeshëm shtetasi Hamit Karaj, banues në fshatin Cudhi të rrethit të Krujës. Sipas të dhënave, 45-vjeçari Karaj është qëlluar vetëm me një plumb nga një armë automatike tip kallashnikov, gjë që i ka bërë ekspertët të dyshojnë se flitet për një rast vetëvrasjeje në rrethanat e pakujdesisë. Kufoma ishte i pajetë pranë një parcele ku ishte kultivuar Cannabis sattiva. Burimet bëjnë të ditur se 45-vjeçari ka qenë punonjës i zyrës së ndihmës dhe përkrahjes sociale në komunën Nojë.
Vrasje, apo vetëvrasje?
Në vendngjarje ka mbërritur grupi i gatshëm, së bashku me ekspertët. Fillimisht edhe specialistët kanë menduar se viktima 45-vjeçare ishte vrarë në një pritë të organizuar, duke shfrytëzuar edhe orët e natës për të zhdukur gjurmët e krimit. Eksperti mjeko-ligjor ka konstatuar se viktima kishte konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli dhe sipas dëshmive të mbledhura për këtë krim, ka rezultuar se Karaj kishte qenë për darkë te kunati i vet. Ata kanë marrë në pyetje kunatin, i cili e ka vërtetuar faktin se ai dhe Hamdi Karaj kishin pirë deri në orët e vona të natës. Interes ka paraqitur për ekspertët edhe gjetja pranë viktimës e një automatike tip kallashnikov, si dhe e një pistoletë. Nga këqyrja e vendngjarjes ka rezultuar se arma ndodhej pranë trupit të viktimës. Në krehrin e tij mungonte vetëm një fishek dhe vetë viktima kishte humbur jetën si rrjedhojë e një goditjeje të vetme me plumbin e kësaj arme. Hetuesit kanë dyshuar se arma mund të ishte lënë në vendngjarje për të humbur gjurmët, duke e paraqitur rastin si vetëvrasje, por më vonë, duke analizuar këndin e hyrjes së plumbit në trup, si dhe distancën në të cilën është gjetur arma, ka rezultuar se Hamdi Karaj nuk ka kryer vetëvrasje. Ekspertët e policisë konstatuan gjithashtu se vdekja e tij kishte ndodhur pikërisht në cepin e një parcele të mbjellë me hashash dhe që i përkiste pikërisht viktimës. Në përpjekjen për të kaluar gardhin, ai ka shkrehur arma, plumbi i së cilës ka qenë fatal për të.
Ruante hashashin
Në parcelën në pronësi të Hamdi Karajt, policia gjeti dhe asgjësoi rreth 270 rrënjë bimë narkotike. Viktima Karaj, pasi ka dalë nga shtëpia e kunatit të vet, ka menduar që të kontrollojë arën me Cannabis sattiva, që e kishte thuajse në fazën e korrjes. Për këtë arsye ai rrinte edhe i armatosur me automatik dhe pistoletë, pasi me sa dukej kishte frikë se bashkëfshatarët mund t’i vidhnin produktin e "çmuar" klandestin nga i cili priste që të siguronte të ardhura të mira. Në fshatin Cudhi zbulimi i vetëvrasjes u shoqërua edhe me një rast tjetër të mbjelljes së Cannabisit. Policia zbuloi dhe sekuestroi 430 rrënjë Cannabis sattiva. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit njoftuan se rrënjët e lëndës narkotike u ishin të mbjella në një zonë të pyllëzuar. Mënyra e mbjelljes së lëndës narkotike ishte një rresht misër dhe një rresht kanabis, fakt që synonte të fshihte ekzistencën e saj. Ndërkaq, nga ana e policisë u bë e ditur se ende nuk dihet se kush është pronari i lëndës së sekuestruar, por po punohet në këtë drejtim.
Banorët në protestë për pronat: “Do të bojkotojmë zgjedhjet e vitit 2009”
VLORË – “Do të bojkotojmë zgjedhjet e vitit 2009, nëse nuk merr zgjidhje problemi i pronave”. Ky ka qenë kërcënimi i banorëve të zonës së Orikumit dhe të fshatit Dukat, të cilët protestuan dje në mënyrë paqësore për çështjen e pronave të tyre, të cilat rrezikojnë t’u vidhen. Me dhjetëra banorë dalë në urën hyrëse të Orikumit dhe me banderola në duar i drejtuan mesazhe qeverisë dhe kryeministrit Berisha për të zgjidhur çështjen e pronave të tyre. Banorët vijojnë prej kohësh të kërkojnë një zgjidhje përfundimtare, pasi, sipas tyre, po u merret prona e të parëve padrejtësisht. Ata kërcënuan me protesta të mëtejshme, ndërsa deklaruan se në rast mos-përgjigjeje do të bllokojnë rrugën nacionale, madje edhe do të bojkotojnë zgjedhjet e vitit 2009.
Protestuesit u shprehën se i kanë drejtuar një peticion kryeministrit të vendit, që sipas tyre, duhet të mbajë premtimin për zgjidhjen e çështjes së pronave në Orikum.
Ndërron jetë e moshuara, gjendet pas tri ditësh
DURRËS – Një grua në moshë të thyer është gjetur e vdekur në banesën e saj në Durrës ku jetonte e vetme dhe hetimet nxjerrin se e ndjera ka ndërruar jetë tri ditë para se të gjendej trupi i saj. Burimet zyrtare të policisë vendore bëjnë të ditur se Lije Toska, lindur në qytetin e Durrësit dhe me banim në Lagjen Nr. 6, u gjet në orën 16:00 të ditës së premte në shtëpinë e saj, nga fqinjët, të cilët lajmëruan policinë. Një grup hetimor konstatoi se viktima është gjetur e vdekur në kuzhinën e banesës së saj ku jetonte prej shumë kohësh e vetme. “Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera mendohet se vdekja e kësaj gruaje e cila ka ndodhur para dy apo tri ditësh ka qenë natyrale”, - thonë burimet zyrtare.
29 Shtator 2008