USAID, ndihmë për heqjen e të vdekurve nga listat zgjedhore
USAID do të mbështesë financiarisht heqjen e emrave të të vdekurve nga listat e zgjedhësve. Proceset gjyqësore që do të çelen nga ana e zyrave të gjendjeve civile në të gjitha njësitë vendore të Qarkut të Gjirokastrës për çregjistrimin e të vdekurve nga listat zgjedhore, do të financohen nga ana e USAID. Ka qenë ky një premtim i bërë nga ana e ambasadorit amerikan, i cili u vu në dijeni nga përfaqësuesi i qeverisë shqiptare në jug të vendit, prefekti Spiro Ksera.
Ky i fundit, prej kohësh ka ngritur shqetësimin për numrin e konsiderueshëm të personave të vdekur në listat zgjedhore në të tri rrethet e jugut, por realizimi i çregjistrimit të të vdekurve nga listat, kryhet vetëm me vendim gjykate dhe për këtë familjarët e të ndjerëve nuk kanë marrë mundimin për realizimin e proceseve gjyqësore. Zoti Ksera ka tërhequr vëmendjen se asnjë prej njësive të qeverisjes vendore në Qarkun e Gjirokastrës nuk ka parashikuar fonde të veçanta për heqjen e emrave të të vdekurve nga listat e votuesve. Në të gjitha proceset e fundit zgjedhore madje prej vitit 1991 e deri në shkurt të 2007 në zgjedhjet e fundit vendore, të vdekurit votojnë virtualisht në Gjirokastër. E ndërsa familjarët e personave që kanë ndërruar jetë nuk i kanë bërë çregjistrimet përkatëse, tashmë në bazë të ligjit do të jenë drejtuesit e gjendjeve civile ata që do tu drejtohen gjykatave për këtë kryer këto akte. Sipas burimeve nga Prefektura e Gjirokastrës USAID do të jetë mbështetësi i vlerave financiare për morinë e gjykimeve për çregjistrimin e të vdekurve nga listat zgjedhore. Gjatë vizitës së disa ditëve më parë në këtë qytet, ambasadori amerikan Withers premtoi se USAID do të jetë ndihmë për zhvillimin e proceseve gjyqësore. Duke mos e njohur këtë ligj, njësitë e qeverisjes vendore nuk kanë planifikuar në buxhetet e tyre, ndërsa e kemi biseduar këtë problem me ambasadorin amerikan dhe na është premtuar se ky proces mund të kryhet me anë të fondeve të USAID, është shprehur prefekti Spiro Ksera. Vetëm në rrethin e Gjirokastrës të vdekurit në listat zgjedhore rezultojnë të jenë mbi 3 mijë, gjysma e të cilëve ndodhen të regjistruar në dy komunat e Dropullit. Madje në listat zgjedhore të fshatrave minoritare, ekzistojnë edhe emrat e dëshmorëve të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore por që askush nuk ka marrë mundimin nga ish krerët komunalë ti çregjistronin. Një numër i konsiderueshëm personash që nuk jetojnë më, figurojnë ende në listat zgjedhore të Qarkut Gjirokastër edhe pas pastrimeve të kryera nëpër regjistra çka quan të pavlefshme deklarimet e Ministrisë së Brendshme që janë hequr të gjitha emrat e personave që nuk jetojnë më.