Bashkia e Korçës shpall konkursin ndërkombëtar për qendrën e qytetit
Studimi i qendrës së qytetit të Korçës ka nxitur forumin urban në një debat të hapur publik për të ardhmen e zemrës së këtij qyteti. Bashkia e Korçës, e cila është dhe inciatore për ndryshimin e imazhit të kësaj qendre shpall konkursin ndërkombëtar të projektit për qendrën e qytetit, ndërsa ka diskutuar me urbanistë arkitektë, ndërtues dhe qytetarë të thjeshtë pikëpamjet që ndante gjithsecili për fytyrën e re dhe identitetin me të cilin do të përfaqësohet Korça në qendër.
Qendra, sipas kryebashkiakut Niko Peleshi, do ti japë një impakt të ri qytetit edhe në drejtimin social, ndërsa në të do të ftohen studiot më të njohura në botë për tu bërë pjesë e konkursit ndërkombëtar që aplikohet për herë të parë në Korçë, konkurs, i cili gjithashtu do të udhëhiqet nga një juri ndërkombëtare që do të vendosë për shpalljen e projektit më të mirë. Qendra e qytetit është hapësira kryesore publike e grumbullimeve masive ka theksuar ndër të tjera kryetari i bashkisë Niko Peleshi për të gjithë korçarët si dhe një objekt parësor për turistët dhe natyrisht një vend historik për qytetin pasi shtrihet në zonën historike të tij. Studimi i qendrës së Korçës është pjesë e përpjekjeve të bashkisë për të zbukuruar dhe restauruar hapësirat publike për të kultivuar një kuptim të ri të krenarisë qytetare tek banorët e këtij qyteti traditash por dhe për të frymëzuar gjeneratat pasardhëse për të zhvilluar dhe rritur me tej këtë qytet. Në panelin e forumit urban arkitektët dhe projektues të ndryshëm kanë hedhur ide të shumta lidhur me ruajtjen e vlerave tradicionale të Korçës duke u ndërhyrë me një vizion modern që do ta bëjë këtë qytet më atraktiv. Inciativa e bashkisë është përshëndetur nga qytetarët, ndërsa pritet që pas mbledhjes së radhës të Këshillit Bashkiak të shpallet zyrtarisht dhe konkursi ndërkombëtar i studimit të qendrës së qytetit të Korçës. Vlera financiare e këtij studimi arrin në 20 milion lekë, ndërsa pritet që pas dy muajsh Korça të ketë për herë të parë një studim të gatshëm pas një tentative të dështuar që ka pasur në fillim të viteve 80.