Zgjedhjet vendore, Rama: “PS-ja nuk u shmanget sfidave, por më parë të realizohet transparenca”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dje, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ka folur për zgjedhjet vendore në vend dhe transparencën e zgjedhjeve. I pyetur nëse do të marrë pjesë PS-ja në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe se a do të kandidojë vetë kreu i Bashkisë së Tiranës për to, Rama u shpreh se është ende herët për të folur dhe se më parë duhet garantuar procesi zgjedhor. “Sali Berisha na ka dhe do të na ketë përballë në zgjedhjet e ardhshme. Ne do vazhdojmë përpara duke pasur edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, por pa u plotësuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme nuk do të ketë zgjedhje, por një ballafaqim demokratik. PS-ja është e angazhuar për kauza të tjera. Përpara se të flasim për zgjedhjet vendore, të flasim për transparencën e tyre, pasi duhen çliruar zgjedhjet”, - nënvizoi Rama. Duke u ndalur te transparenca e zgjedhjeve, kryesocialisti deklaroi se tashmë kauza e PS-së për transparencën e zgjedhjeve nuk është më një çështje shqiptare, por është ndërkombëtarizuar. “Opozita ka bërë detyrën e saj duke pritur ndjeshmërinë e mbarë opinionit publik si shqiptar, ashtu dhe ndërkombëtar, për mundësinë e mbylljes së një kapitulli me zgjedhje të errëta, ku mungon zbatimi i ligjit”, - theksoi Rama. Sipas kryesocialistit, PS-ja është e vendosur ta çojë përpara kauzën e saj për transparencë, ndërsa bën edhe një apel të hapur për ndërkombëtarët që të mos pengojnë vizat për shqiptarët. "Dua t’u jap shqiptarëve mundësinë të mbrojnë votën e tyre dhe vendi të udhëhiqet nga një forcë politike e zgjedhur nga populli. Demokracia të mos jetë një slogan, por realitet. Kjo është beteja e Shqipërisë, jo në interesin e një pale; ne do ta çojmë përpara derisa transparenca të mos pengohet. Kam kërkuar që shqiptarët të mos penalizohen për heqjen e vizave dhe integrimin në BE, të mos vuajnë fajet e Berishës”, - tha Rama.
23 Qershor 2010