Qeveria: Rreziku i përmbytjeve, ende i vogël
Ndërsa Nënshkodra ka filluar të mbulohet nga uji, qeveria thotë se rreziku i përmbytjes së tretë është larg. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, njoftoi se po e monitoron imtësisht situatën, ndërsa theksoi se situata aktuale është larg të qenit shqetësuese dhe rreziku i përmbytjeve të reja është i vogël. “Duke iu referuar situatës, të cilën Sekretariati dhe Komisioni po e mbajnë nën vëzhgim dhe po e monitorojnë që nga data 15 prill, kur prurjet kanë arritur në nivelin 1400 m³/sek dhe ne filluam shkarkimet, dua të them që kjo situatë është jo për t’u cilësuar alarmante, por për t’u mbajtur nën vëzhgim dhe monitorim të vazhdueshëm. Grupi i posaçëm që është mbledhur sot ka për qëllim monitorimin dhe menaxhimin e situatës”, u shpreh dje zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Leonard Beqiri. Qeveria vendosi dje të hapë për herë të parë nga janari edhe portat anësore të shkarkimit në Vaun e Dejës, pasi të tre liqenet në Drin kanë arritur në kuotën maksimale. Kuota në liqenin e Fierzës dje në mesditë ishte 296.46 metra mbi nivelin e detit, ndërsa prurjet qenë 900 m³/sek. Të gjitha turbinat janë në punë. Në Koman, kuota ishte në nivelin e 174.22 metra mbi nivelin e detit, ndërsa prurjet anësore, të cilat furnizohen nga lumenjtë e Alpeve të Shqipërisë, qenë 380 m³/sek. Ky hidrocentral gjatë ditës mbahet në punë në kapacitetin maksimal prej 600 MWh. Në Vaun e Dejës liqeni me sipërfaqe prej 25 kilometrash katrore gjendet vetëm 92 centimetra nën kuotën maksimale të lejuar prej 76 metrash. Prurjet anësore në këtë liqen qenë 100 m³/s.
#