UT zgjedh agjencinë gjermane “AQUIN”
Akreditimi
“AQUIN”, agjencia gjermane më prestigjioze e akreditimit në Evropë, do të realizojë brenda muajve të parë të vitit akreditimin e Universitetit të Tiranës (UT), një nga sipërmarrjet më të mëdha në fushën e arsimit në vend.
Rektorati i UT-së, në përputhje me objektivin për plotësimin e standardeve dhe kërkesave që ka sistemi i Bolonjës, do t’i kërkojë zyrtarisht agjencisë “AQUIN” të nisë procesin e akreditimit për tetë fakultetet e saj.
“Aktualisht, në të gjitha fakultetet është shpërndarë urdhri për të mbyllur gjatë muajit shkurt procesin e vlerësimit të brendshëm të strukturave tona sipas kërkesave që ka Bolonja. Sapo të mbarojë vlerësimi i brendshëm, do t'i kërkoj zyrtarisht në mars agjencisë “AQUIN” akreditimin e UT-së”, - tha rektori i këtij universiteti, prof. dr. Dhori Kule.
Lidhja e rektoratit të UT-së me agjencinë “AQUIN” nisi vitin e kaluar gjatë një takimi të organizuar me përfaqësues të saj në Gjermani, ku ishte i pranishëm edhe rektori Kule.
“Me autorizim të Kryeministrit Sali Berisha fillimisht zhvilluam një takim me presidentin e agjencisë së akreditimit “AQUIN”, ku biseduam për zbatimin e procedurave të vlerësimit të jashtëm dhe të akreditimit që realizohen në Evropë”, - tha Kule, duke theksuar se me realizimin e akreditimit, UT-ja do të asistojë më vonë procesin e renditjes së institucioneve të arsimit të lartë.