E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi i makinave: Vendim i duhur ndalimi i tregtimit të naftës D2



Distributorët ligjorë të makinave të reja përshëndesin qeverinë

Vendimi pritet të reduktojë efektet negative tek njerëzit e makinat

Ndalimi i importit të naftës D2 është mirëpritur nga biznesi i makinave të reja që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri. Për ta, nafta më cilësore në treg do të thotë më shumë jetëgjatësi për makinat që ata tregojnë, duke iu garantuar në këtë mënyrë edhe konsumatorëve markat që tregojnë. Nafta e cilësisë së dobët bëhet shkak për të dëmtuar shëndetin e njerëzve, pasi dëmton ajrin, por nga ana tjetër, ajo dëmton edhe makinën duke ulur kështu vitet e jetëgjatësisë së një mjeti. Për këto arsye, Shoqata e Distributorëve Ligjorë të Makinave të Reja ka dhënë vlerësimet e saj për vendimin e qeverisë për të ndalur importin e naftës D2, duke nisur nga data 1 janar 2009.

Shoqata e Distributorëve Ligjorë të Makinave te Reja, një grupim profesional i operatorëve të biznesit që merren me tregtim makinash të reja, në një deklaratë publike, përgëzon qeverinë lidhur me aktin e fundit të ndërmarrë në fushën e reformimit të tregut të karburanteve, duke ndaluar tregtimin e naftës e cilësisë së dobët D2. “Gjykojmë se ky hap reformues duhej ndërmarrë kohë më parë, megjithatë shpresojmë që ai të fillojë të reduktojë sa më shpejt efektet negative që janë shkarkuar për vite mbi radhë mbi qytetarin dhe përdoruesit e makinave”, - thuhet në deklaratën e grupimit të biznesit të makinave të reja. Gjithashtu, ky grup interesi shprehet se gjykon se një reformë e tillë do të bëjë të mundur edhe fillimin e një reforme të re në biznesin e makinave, me qëllim freskimin e inventarit të tyre, pasi mosha mesatare e madhe mbi 12-vjeçare e makinave që qarkullojnë nëpër rrugët e Shqipërisë, i bën ato një ndër protagonistët kryesore të ndotjes mjedisore. Nga ana tjetër, ky grupim shprehet se në kushtet e një karburanti me cilësi të dobët ishte e pamundur ndërmarrja e një reforme rrënjësore në këtë treg, ndaj ata shpresojnë se tashmë po piqet situata për një reformë të tillë edhe në tregun e makinave.

Nafta D2 tashmë ka ndalur së importuari. Asnjë litër naftës e cilësisë dobët nuk do të kalojë më doganat shqiptare duke nisur fillimi i janar. E vetmja kompani që i lejohet edhe një vit të tregojë naftë D2 është kompania ARMO, e cila zë rreth 19 për qind të tregut të karburanteve në vend. Ky vendim i qeverisë është kundërshtuar nga shoqata e hidrokarbureve si dhe nga ana e opozitës, me pretendimin se po krijohet monopol në treg. Por këtij shqetësimi, pak ditë më parë i është përgjigjur ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjtikës, Genc Ruli, i cili deklaroi se nxjerrja e naftës D2 nga tregu ishte detyrim i MSA-së, duke pranuar se nafta e kësaj cilësie do të tregtohet vetëm nga e vetmja kompani shqiptare e naftës, ARMO. Kjo kompani brenda një viti do të bëjë investimet e duhura për të përpunuar naftën dhe të nxjerrë në treg nënprodukte të standardeve evropiane. Një masë e tillë është marrë nga qeveria me qëllim që të mos dëmtohen punonjësit e kësaj ndërmarrjeje. Por nga ana tjetër, qeveria ka marrë masa që të mos krijohet monopol në tregun e karburanteve, duke i lejuar ARMO-s të bëjë marrëveshje me kompani të tjera për të shitur naftën D2. Ruli ka sqaruar publikisht se qëllimi i masave të ndërmarra nga qeveria në sektorin dhe tregun e hidrokarbureve gjatë viteve 2007–2008 ka qenë përafrimi i legjislacionit dhe kuadrit rregullator të përdorimit të hidrokarbureve në respekt të normave mjedisore të zbatuara nga vendet e BE-së dhe ato që janë në proces integrimi. Kështu që nga 1 janari 2009 është ndaluar përdorimi për automjete dhe gjeneratorë i naftës D2 në tregun shqiptar për shkak të përmbajtjes së lartë të squfurit (mbi 1500 mg/kg) me objektivin që më 1 janar 2012 në Shqipëri të mos përdoret gazoil me përmbajtje më shumë se 10mg/kg. Ky është një detyrim i MSA-së dhe i Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Përjashtimisht, për vitin 2009 lejohet të përdoret vetëm gazoili D2 që nxirret nga nafta e vendit dhe rafinohet në Shqipëri dhe kjo bëhet për arsye se nafta shqiptare me përmbajtje të lartë squfuri nuk ka treg jashtë vendit, ka teknologji përpunimi të dobët dhe rafinohet vetëm në Shqipëri. Qeveria lejoi që kjo naftë të tregtohet edhe për një vit, për arsye se do të mbeteshin pa punë 6500 punëtorë. Konsumi mesatar vjetor i produkteve të naftës është 420 mijë tonë në vit, 340 mijë tonë janë nga importi dhe vetëm 80 mijë tonë prodhohen në vend. Nga nafta e importuar, vetëm 120 mijë tonë kanë qenë naftë D1 dhe pjesa tjetër, naftë D2, me elementë ndotës. Me vendim të qeverisë, ARMO, prodhuesi i vetëm i D2 në vitin 2009, kufizohet për të shmangur pozicionin dominues në treg. Pra, 80 mijë tonë naftë D2 të prodhuara nuk do të lejohet t’i shesë vetë, por detyrohet të bëjë marrëveshje kontraktuale me subjektet tregtare me shumicë. Sipas ministrit Ruli, çmimi i shumicës do të orientohet nga kostoja dhe niveli i çmimit të naftës D2 në tregun rajonal.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›