E Diel, 1 Nëntor 2026

U arratis nga burgu i Trikalas, Marian Kola vritet nga policia greke

Pas një përleshjeje të ashpër me armë zjarri, sot herët në agim, është vrarë nga policia greke i arratisuri shqiptar nga burgu i Trikalas, 36 vjeçari Marian Kola, ndërsa i arratisuri tjetër, Ilir Kupa arriti të shpëtojë sërish. 

Mediat greke njoftojnë se shkëmbimi i zjarrit ndodhi pranë fshatit Frosini të Sulit, në një moment me mjegull të dendur. 

Kamerat termike i kanë pikasur shqiptarët rreth orës 4:00 të mëngjesit duke ecur në këmbë pranë lumit Kalama, në drejtim të Shqipërisë, zonë ku ata arritën të humbisnin nga sytë e policisë rreth 15 ditë më parë. 

Kur pa se ndodhej i rrethuar, rreth 100 metra larg policëve, Marian Kola qëlloi mbi ta me një breshëri prej 4 plumbash. Ndërsa sipas mjekut ligjor, një plumb në shpinë nga një distancë 20-30 metra, ishte ai që shkaktoi vdekjen e tij. Marian Kola ka mbetur i vrarë në vend, ndërsa Ilir Kupa arriti të shpëtojë ndoshta i plagosur.

Nga plumbat e shqiptarëve u plagos në këmbë një polic, i cili u dërgua në spital për ndërhyrje kirurgjikale, jashtë rrezikut për jetën.

Sipas mediave që i referohen burimeve të policisë, pranë trupit të Marian Kolës u gjet një armë tip Kallashnikov (në foto), krëhëra me fishekë, një granatë si dhe ushqime të gatuara. Kjo ka bërë policinë të mendojë se ditët e fundit ata nuk kishin qëndruar të fshehur në pyll, por kanë gjetur strehim në një shtëpi.

Ka rreth 20 ditë që për Marian Kolën dhe të arratisurit e tjerë shqiptarë po vazhdon pa ndërprerje operacioni nga qindra forca policore greke, nga toka, deti dhe ajri. Sipas mediave, sot në mëngjes, kur shqiptarët e pikasën se po ndiqeshin, beteja u bë shumë e ashpër.

Ndërkaq vazhdon një operacion i gjerë në zonë, për kapjen e të arratisurit tjetër Ilir Kupa (në foton e mëposhtme). 

Policia synon ta kapë të gjallë, sepse ai mund të japë informacion për mënyrën e fshehjes së deritanishme, për personat që mund t’i kenë ndihmuar dhe për vendndodhjen e të aratisurve të tjerë. 

Shqiptarët e arratisur, të armatosur kanë javë të tëra që enden në zonat malore pranë kufirit, në pamundësi për të hyrë në tokën shqiptare. Gjatë arratisë kanë vjedhur disa automjete dhe i kanë braktisur ato në zona të të ndryshme për të humbur gjurmët. Në disa raste ata kanë ndeshur patrulla policore, me të cilët kanë shkëmbyer zjarr dhe për pasojë ka patur edhe viktima. 

Marian Kola akuzohet si përgjegjësi kryesor për vrasjen e 25 vjeçares Katerina Zogali në 30 mars, në Istmia dhe policit 37 vjeçar Jorgo Andritsopulu në 17 qershor, në Distomo. 

Me vrasjen e Marian Kolës, bëhen 3 shqiptarët e vrarë nga policia greke, pas Ermir dhe Flamur Likës, të cilët u vranë mbrëmjen e 2 korrikut në një përleshje të ngjashme. Në trupat e tyre u gjetën të paktën 20 plagë plumbash. 

Mbrëmjen e 22 marsit nga burgu i Trikalas u arratisën 11 shqiptarë, pasi plagosën 2 roje burgu. Tre prej tyre u kapën që atë natë, ndërsa për 8 të tjerët vazhdoi ndjekja policore. 

Nga 8 të arratisurit, është arrestuar Ermal Lita pas një grabitjeje supermarketi në Peristeri, Fatos Sulaj mendohet se është larguar në drejtim të Kosovës, ndërsa nuk dihet ku ndodhen të arratisurit e tjerë, Admir Murataj, Flaulent Luli dhe Klement Cala.
(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›