Kriza, Greqia kthen sytë nga bota për ndihmën financiare
Pas gjendjes së rënduar dhe deklaratës së kryeministrit Jorgos Papandreu, Greqia është në pritje të marrjes së ndihmës financiare nga institucionet ndërkombëtare. Qeveria e këtij vendi, nëpërmjet një letre të shkurtër i kërkoi Brukselit për marrjen e ndihmës dhe kjo është hera e parë që nga krijimi i Zonës së Euros, që një vend anëtar nuk është më në gjendje të vetëfinancohet. Kërkesa zyrtare për ndihmë financiare iu dorëzua partnerëve në Bruksel dhe Uashington, BE-së dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar FMN. “Jemi të detyruar të kërkojmë aktivizimin e mekanizmave shpëtues”, shpjegoi kryeministri grek Jorgos Papandreu.
Gjermania e dyzuar
30 miliardë euro do të marrë Greqia nga Europa dhe 15 miliardë euro nga FMN-ja. Qeveria gjermane është parimisht dakord për ndihmën e shpejtë financiare. Por më parë Greqia duhet t’i prezantojë BE-së dhe FMN-së një program të besueshëm kursimi, tha kancelarja gjermane Merkel në Berlin, pas telefonatës që kreu me kryeministrin grek Papandreu. Sipas kancelares gjermane ndihma financiare për Greqinë nuk do të merret nga buxheti shtetëror gjerman por do të rrjedhë në formë krediti nga banka shtetërore gjermane “KfW”. Por qeveria gjermane duhet të marrë përsipër garancinë, në rast se Greqia dikur nuk do të jetë në gjendje ta kthejë mbrapsht këtë kredi.
Pro, Spanja dhe Franca
Sidoqoftë është ende e paqartë se kur do të arrijnë ndihmat në Athinë. Qeveria greke shpreson që kjo të ndodhë sa më parë, sepse më 19 maj Greqia duhet të kthejë një hua shtetërore prej 8.5 miliardë eurosh. Por shanset që Greqia të përfitojë brenda këtij afati nga ndihmat ndërkombëtare financiare janë të mira: Spanja deklaroi se do të vërë në dispozicion deri të premten e ardhshme 3.67 miliardë euro: Franca deklaroi gjithashtu se do të ndihmojë deri më 6 maj me kredi prej 6.3 miliardë euro.
Grekët, kundër ndihmës
Ndërkohë populli grek është i pakënaqur me kërkesën e qeverisë së tij për ndihma nga jashtë. Të premten qindra njerëz protestuan në Athinë dhe Selanik kundër vendimit të qeverisë për të kërkuar ndihmë nga BE-ja dhe FMN-ja. Ata janë të mendimit se qeveria është përgjegjëse për gjendjen e krijuar dhe se vetë ajo duhet të gjejë mënyrën për të dalë nga gjendja e krijuar. Sipas njerëzve, e gjithë pasoja bie mbi popullin, që duhet të paguajë për gabimet e qeverisë. Qindra punonjës protestuan ndaj masave që parashikojnë shkurtimin e pagave dhe të pensioneve, si dhe rritjen e taksave.
BE, Rehn: “Ndihma për Greqinë, gati në Maj”
Komisioneri për çështje monetare në Bashkimin Europian, Oli Rehn ka bërë të ditur se ndihma për Greqinë do të jetë gati në muajin maj. “Jemi të gatshmëm të aktivizojmë sa më shpejt që të jetë e mundur mekanizmin ndihmës për Greqinë, brenda fillimit të muajit maj”. Kështu ka deklaruar Rehn në Samitin e G20. Sipas Rehn është esenciale që Greqia të veproje dhe të verë në funksion mekanizmin dhe programin ndihmës për një periudhe 3-vjeçare. Ndërsa Ministri Italian i Financave, Tremonti tha se “nëse shtepia e fqinjit digjet, nuk mund të rrish duarkryq”.
Ndërkaq, dy ditë më parë kryeministri grek Jorgos Papandreu deklaroi nga ishulli i Kastelorizos, se duke mos pasur asnjë rrugëdalje përballë situatës së vështirë ekonomike dhe spekulimit të tregjeve financiare, vendi duhej të kërkonte përfundimisht ndihmë nga BE-ja dhe FMN-ja. Vendimi i kryeministrit grek shihet me skepticizem nga qytetarët, të cilët sipas një sondazhi besojnë se vendi do ta ketë më të vështirë nëse pranon paketën ndihmëse.
Turqi, Tadiç zhvillon takim tripalësh për stabilitetin e rajonit
Krerët e Serbisë, Turqisë dhe Bosnjës zhvilluan një takim të rëndësishëm, temë e së cilit ishte pjesëmarrja e Beogradit zyrtar në Samitin e Sarajevës. Ministri i jashtëm Ahmet Davutoglu u shpreh se Samiti i Stambollit konsiderohet si një hap i rëndësishëm për Ballkanin. Pas vizitës së tij në Beograd këtë javë, Davutoglu tha se ka pasur zhvillime pozitive në marrëdhëniet mes Bosnjë-Herzegovinës dhe Serbisë, gjë që do të ndikojë në stabilitetin e rajonit, çka Turqia e ka konsideruar gjithmonë si tepër të rëndësishëm për të ardhmen. Që në nëntorin e vitit 2009 janë zhvilluar 5 takime tripalëshe ku kanë marrë pjesë Turqia, Bosjë-Herzegovina dhe Serbia. Takime të tjera janë zhvilluar edhe mes ministrave të jashtëm të Turqisë, Bosnjës dhe Kroacisë. Takimi i së shtunës u fokusua në stabilitetin rajonal në Ballkan. Kabineti i Tadiç përforcoi idenë se ky takim do t’i shërbejë paqes dhe stabilitetit të rajonit. Presidenti u shpreh se Serbia dëshiron një zgjidhje përfundimtare me Kosovën dhe jo një “gjendje të ngrirë”.
Belgjikë, Rejnders merr përsipër të shpëtojë qeverinë
Dy ditë pas rënies së qverisë belge mbreti Albert i ka kërkuar zëvendës kryeministrit Didier Rejnders të reformojë institucionet nëpërmjet negociatave mes dy komuniteteve më të mëdha, atij francez dhe atij hollandez. Ato kanë kohë që grinden përsa i përket të drejtave të frankofolësve në zonat Flamande të kryeqytetit. Në një deklaratë, pallati mbretëror tha se zoti Rajnders e ka pranuar këtë mision dhe bisedimet do të nisin menjëherë. Partia liberale Flamande, Open VLD, u largua nga qeveria në protestë kundër dështimit të saj në arritjen e një marveshjeje për këtë çështje. Kryeministri Iv Leterme si resulat ofroi edhe dorëheqjen e tij. Por mbreti nuk e ka pranuar dorëheqjen e zotit Leterme me shpresë se mund ta sjellë në jetë koalicion që u formua vetëm pesë muaj më parë, dhe se marrëveshja mes dy palëve është e mundshme.
26 Prill 2010