E Diel, 1 Nëntor 2026

Manastiri kujton Kongresin, festa vazhdon një javë



Në Maqedoni kanë nisur që të premten aktivitetet festive e kulturore në kuadër të 100-vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Organizatorët thonë se në qytetin e Manastirit gjatë javës së ardhshme pritet të mbërrijnë, ashtu si mbërritën para 100-vitesh, 150 delegatët e Kongresit nga të gjitha trojet shqiptare, gjuhëtarë e historianë të shqipes nga e gjithë bota.
Në fakt, nuk do të jenë të njëjtët delegatë, pasi figurat e asaj kohe natyrisht që nuk jetojnë më. Në vend të tyre, do të jenë pasardhësit e delegatëve nga familjet Qiriazi, Fishta, Mjeda, Zavalani, etj. Në të njëjtën kohë, është bërë e ditur se Korça do t'i dhurojë Manastirit 36 shkronja të alfabetit shqip të gdhendura në gur. Mysafirët në Manastir do të priten me traditën e vjetër shqiptare: bukë, kripë e zemër. Manifestime përkujtimore gjatë një jave do të mbahen në Shkup e në Tetovë. Organizatore e këtij manifestimi është qeveria e Maqedonisë. Në ceremonitë dhe aktivitetet përkatëse do të jenë të pranishëm veç akademikëve, historianëve dhe albanologëve, autoritetet më të larta shtetërore të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

OPERA E KOSOVËS

Kori i Filarmonisë jep koncert në Prizren, radhën e ka Prishtina

Kori i Filarmonisë – Opera e Kosovës -ka dhënë këto ditë një koncert në Kishën Katolike të Prizrenit. Interpretimi i këtij ansambli, të udhëhequr nga dirigjenti Rafet Rudi, është mirëpritur nga publiku i Prizrenit. Ndër të tjera u interpretuan edhe vepra të kompozitorëve të huaj e vendas si: Rossini, Listz, Mulliqi etj. Në rolin e solistëve u paraqitën Sanije Matoshi, Selvije Marteti, Lindita Hakaj, Besa Llugiqi, Riad Ymeri dhe Safet Berisha. Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, në fillim të mbrëmjes ka theksuar se kjo praktikë e organizimit të koncerteve nëpër qytete të ndryshme të Kosovës do të vazhdojë posaçërisht në Prizren dhe i njëjti koncert pritet të udhëtojë së shpejti drejt kryeqytetit, pra në Prishtinë.

16 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›