E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhërrëfyesi i Kosovës

‘Kosova guide’ titullohet libri udhërrëfyes për Kosovën i autorit Shefqet Balla, i cili ka dalë në shitje dhe u dedikohet vizitorëve të huaj që vijnë në Kosovë. Nga Alfred Beka më 08 korrik 2011 në ora 18:33

Edhe pse Kosovën e vizitojnë plot të huaj, qoftë si turistë qoftë me punë, deri më tani nuk ka pasur ndonjë udhërrëfyes që do t’u ndihmonte atyre për t’u orientuar dhe për t’i gjetur më lehtë vendet turistike.

Duke e parë këtë boshllëk, Shefqet Balla, që disa vite, i ishte rrekur punës për ta bërë një udhërrëfyes apo guidë të Kosovës. Frytet e punës së tij kanë rezultuar me botimin e librit ‘Kosova guide’ në gjuhën angleze, i cili sapo ka dalë nga shtypi.

Libri, i përkthyer në anglisht nga Astrite Zhubi dhe i botuar nga shtëpia botuese ‘ABS books’, sjell informacione rreth vendeve turistike të Kosovës, pastaj jepen të dhëna për secilin rajon dhe qytetet e tij, e po ashtu edhe për monumentet dhe ambientet që duhet t’i vizitojë një turist, i cili vendos ta vizitojë Kosovën.

Autori i librit, Shefqet Balla, u shpreh për Express se çdo i huaj që vjen në Kosovë kërkon një udhërrëfyes për ta pasur në dorë në mënyrë që të marrë informacione për rrugët, për qytetet dhe për vendet e ndryshme turistike që ka Kosova.

“Me të njëjtën gjë me të cilën janë ballafaquar të huajt jam ballafaquar edhe unë kur kam ardhur në Kosovë në vitin 2008. Kërkova një guidë dhe nuk e gjeta sepse një guidë të tillë nuk kishte. Për këtë arsye iu futa vet kësaj pune”, u shpreh Balla.

Kjo punë thotë se i kushtoi shumë. Ai tregoi se ka shkuar shumë herë nëpër të gjitha vendet e Kosovës, nëpër qytete, nëpër vende turistike, ashtu siç ecë një turist, me autobus, me taksi dhe i ka parë me sytë e tij dhe mbi këtë thotë se ka shkruar realitetin që ekziston në Kosovë.

Ky nuk është libri i vetëm mbi këtë fushë i Ballës. Ai thotë se ky është botimi i dytë, apo thuajse i tretë, pasi që botimi i parë është ‘Guide of Kosova’ ose ‘Udhërrëfyes i Kosovës’ në shqip dhe anglisht, ndërsa i dyti është ‘Top dhjetë atraksionet e Kosovës’.

“Ky është botimi i tretë dhe është më i kompletuar dhe i përgatitur në formë profesionale si guidë dhe është i gërshetuar me foto profesionale, i tëri me ngjyra, ku fotografitë flasin më shumë sesa shkrimet”, tha Balla. Ai tregoi se kësaj radhe e ka botuar vetëm në gjuhën angleze, ndërsa pas kësaj do ta botojë edhe në shqip, në turqisht dhe në gjermanisht.
Balla mendon se do të pritet mirë dhe do të shitet ky udhërrëfyes.

“Unë jam shumë optimist se do të pritet mirë kjo guidë për arsye se në botimin e parë e gjithë sasia e kopjeve është shitur. Tani e kam botuar në pesë mijë kopje dhe jam i bindur se do të shitet qind për qind. Nga dje, kur është botuar, kam pasur reagime shumë pozitive të njerëzve të ndryshëm. Njerëzit që e njohin librin, njerëzit që e njohin këtë fushë më kanë dhënë lëvdata”, tha Balla, duke shtuar se është duke bërë punë të vazhdueshme që ky libër të jetë në të gjitha pikat e shitjes nëpër aeroportet ndërkombëtare.

Libri, me çmim 19.90 euro, ka 200 faqe kolor dhe ka rreth treqind fotografi. Përfshin shumicën e objekteve tradicionale, kulturore që ndodhen në Kosovë, shumicën e vendeve turistike natyrore dhe informacione të tjera rreth përbërjes së shtetit të Kosovës, legjislacionit të Kosovës, rreth gjeografisë dhe arkeologjisë së Kosovës.

“Fotografitë, mbi nëntëdhjetë përqind, janë të miat, por kam marrë edhe disa fotografi nga fotografë të talentuar të Kosovës, disa fotografi të miqve, pastaj kam marrë disa fotografi të vjetra ekzistuese, por vlen për ta përmendur punën e dizajneres Lejla Ibrahimi, që është magjistër në dizajn grafik, e cila me një punë të palodhur prej tre muaj arriti që ta bëjë dizajnin e këtij libri në mënyrë profesionale”, tregoi Balla.

Ai shtoi se për përgatitjen e librit nuk i ka ndihmuar asnjë institucion.

“Libri është bërë me financat e mia personale. Nuk kam pasur donatorë apo sponsorë fare”, tha ai.

Një vërejtje që mund t’i bëhet librit e që do të mund t’ua vrasë syrin të huajve është përkthimi jo edhe aq i mirë i teksteve në gjuhën angleze. Këtë gjë ai thotë se do të tentojë ta përmirësojë në ndonjë botim tjetër.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›