Udhëtarët të kënaqur me policinë në pikën kufitare në Vërmicë

Policia kufitare e Vërmicës, ka shtuar kapacitetet dhe sportelet, duke rritur kështu nivelin e shërbimit të udhëtarëve në sezonin turistik i cili sapo ka filluar. Udhëtarët shprehen të kënaqur me punën e policisë, ndërsa pret me kënaqësi fillimin e patrullimit të përbashkët në Shqipëri, gjatë sezonit të verës.
Fillimi i sezonit turistik, ka filluar të ndihet më së shumti në pikën kufitare të Vërmicës. Mija udhëtarë udhëtojnë nga Kosova në drejtim të bregdetit shqiptar për të kaluar ditët e vikendit. Udhëtarët qoftë në dalje të Kosovës apo anasjelltas, shprehen të kënaqur me shërbimin që ju ofrohet në pikat kufitare, transmeton Rtk.
Sipas shefit të zyrës për informim të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, numri i udhëtarëve që shfrytëzojnë pikën kufitare të Vërmicës është i përafërt me atë të vitit të kaluar, ndërsa janë marrë të gjitha masat , që të mos krijohen radhë të gjata në dy kahet e kalimit kufitarë.
Turistët që më së shumti vizitojnë Shqipërinë, mirëpresin edhe patrullimin e përbashkët kufitarë, gjatë sezonit të verës, që po aplikohet që nga viti 2011-të , ndërsa këtë vit pritet të nisë më 1 Korrik./Indeksonline/