E Diel, 1 Nëntor 2026

Jam në Tiranë për të përcjellë mesazhin pozitiv të Brukselit

Fjala e Zv/Presidentit Frattini gjatë hapjes së Dialogut për Liberalizimin e Vizave

Kam ardhur personalisht në Tiranë të sjell një mesazh politik të fortë e pozitiv nga Bashkimi Evropian. Jam këtu sot për të nisur zyrtarisht dialogun për liberalizimin e vizave mes Bashkimit Evropian dhe vendit tuaj. Ky proces synon arritjen e një qëllimi të përbashkët që është lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë. Që nga dhjetori i vitit 2005, kam pasur rastin të ritheksoj rëndësinë që unë i kushtoj nxitjes së lëvizjes së njerëzve mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor si element kyç drejt një bashkëpunimi më të ngushtë me vendet e rajonit. Në shumë raste, që nga nëntori i vitit 2007, kam ripohuar se Komisioni Evropian ka për qëllim të promovojë liberalizimin e vizave me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Më 28 janar 2008, Këshilli i Ministrave të BE-së e mirëpriti këtë përqasje dhe ftoi Komisionin Evropian të përgatiste planin që kishte për qëllim të identifikonte elementët kryesorë të dialogut për regjimin pa viza me vendet e rajonit. Në përputhje me Konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së, më 30 janar, unë nisa dialogun për një regjim pa viza me Serbinë dhe, më 20 dhe 21 shkurt, me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Malin e Zi. Pas konsultimit me Shtetet Anëtare, Komisioni Evropian do të paraqesë planin duke vendosur piketa të qarta për secilin vend të Ballkanit Perëndimor. Shpresoj se plan-veprimi i veçantë për secilin do të bëjë që vendi juaj të përqendrojë përpjekjet dhe nismat e veta në zbatimin e reformave të nevojshme për t'iu përgjigjur kërkesave të BE-së. Elementet bazë të këtij plani janë tashmë të njohur nga autoritetet tuaja, pasi ato janë në përputhje me agjendën e Selanikut dhe janë konfirmuar disa herë në konkluzionet e ndryshme të Këshillit të Ministrave që prej vitit 2003: siguria e dokumenteve, lufta kundër migracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar, si edhe disa kritere në lidhje me marrëdhëniet me jashtë. Lidhur me sigurinë e dokumenteve, ju e dini se futja e sistemit të të dhënave biometrike është një element i rëndësishëm për t'u marrë në konsideratë në kuadrin e dialogut për regjimin pa viza. Në këtë kontekst, duke ndjekur me interes të madh nismat e ndërmarra nga autoritetet tuaja për të siguruar futjen e të dhënave biometrike në dokumentet e udhëtimit, dëshiroj t’ju ftoj të intensifikoni punën përgatitore në mënyrë që të fillojë lëshimi i pasaportave të reja në një të ardhme të afërt. Njëkohësisht, dua të theksoj rëndësinë që ne u japim standardeve të sigurisë për kartat e identitetit dhe dokumenteve të tjera çerfitikuese (siç janë çertifikatat e lindjes apo të martesës).
Më lejoni të theksoj se zbatimi i saktë dhe në mënyrë efektive i Marrëveshjes për Lehtësimin e Vizave dhe asaj të Ripranimit janë elementë kyç për suksesin e të gjithë procesit të liberalizimit të vizave. Komisioni Evropian do të monitorojë nga afër zbatimin e të dyja Marrëveshjeve. Jam në dijeni se Komisioni i Përbashkët për Ripranimin u mblodh dje, dhe, në muajin prill, ne synojmë të organizojmë takimin e parë të Komisionit të Përbashkët per Lehtësimin e Vizave. Pa dyshim shpejtësia e lëvizjes drejt liberalizimit të vizave do të varet nga progresi juaj në përmbushjen e kërkesave të vendosura. Zyrtarët tanë do të takohen javën e ardhshme në Bruksel për të diskutuar më tej zhvillimin e këtij procesi. Dëshiroj të theksoj edhe një herë se Komisioni Evropian do të japë ndihmë financiare dhe teknike për zbatimin e kërkesave të nevojshme, duke kontribuar kështu në realizimin me sukses në të ardhmen të të gjithë procesit. Në fund, dëshiroj të nënvizoj se Komisioni Evropian i mbështet vendimet e marra nga autoritetet tuaja dhe atyre maqedonase për nënshkrimin e një Marrëveshjeje Dypalëshe për Heqjen e Vizave. Heqja e detyrimit të vizave si dhe masat e marra për të siguruar një regjim lokal të qarkullimit kufitar, do të kontribuojë sigurisht në lehtësimin e lëvizjes së njerëzve midis vendeve tuaja dhe do të bëjë të mundur një bashkëpunim më të ngushtë rajonal në të ardhmen.  Nga Franko Fratini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›