Udhëtimi i legjendës memece
Erich Fromm në studimin “Gjuha e harruar” te miti, përralla e ritet vëren se “nuk janë vetëm produkt i pasqyrimit fantastik të popujve primitivë, por dhe se përmbajnë kujtime të shtrenjta të së kaluarës…të shprehura me një gjuhë të veçantë, gjuhën e simboleve ”.
Fromm ka dhënë kështu përcaktimin më të plotë e vërtetësor të legjendave, si asnjë tjetër. Askush para ose pas tij nuk ka mundur të deshifrojë aq përplotërisht gjuhën e miteve, simbolikën e mundimshme mërmëritëse dhe kumtin që përcjellin. Kujtesa ka veti përzgjedhëse, fikson e ngulit sjellje, veprime, ngjarje të holla përshtypjelënëse që e tronditin dhe shpërfill të tjera që nuk lenë vragë, të dorës së dytë apo të rastit. Dukuri të pakuptuara për arsye kohëtare, ngacmuese tejgjatë të palarguara asnjë çast, njeriu përpiqej t’i kthjellojë dhe shkoqisë si mundet. Në përpjestim me kufijtë e njohjes dhe përceptimeve të kaherëshme, dritësimi i ndodhive tejet të dhimbshme mbresëlënëse ishte larg së vërtetës, po brenda përjetimeve njerëzore. Në këtë trajtë u mbartën nga njëri brez në tjetrin, ngjallën habi, gëzim, mburrje apo mosbesim, nënqeshje shpërfillse për zgripin e endjes së tyre nga interpretues të lashtësisë. Shpesh quhen përralla, sajesa që nuk mund t’i pranojë njeriu i kulturuar, ndaj arkivohen në lëmin e trashëgimisë së panevojshme. Po si ta shpjegojmë jehonën e pambaruar, tingëllimën shekullkapërcyese, trokitjen në kujtesë gati përjetësisht? Janë e pazakonta, e lemerishmja, e frikshmja e legjendës që udhëtojnë gjatë dhe përimtohen sot njëlloj si dikur, pavarësisht nga meditimet. Dijetarë si Fromm kanë kapur të padukshmen, nënthënien, kanë lexuar kumtin që legjendat duan të përcjellin mundimshëm me gjuhë totemash të pazëshme, por kumbuese përgjatë qindra e mijëra vitesh. Breza të tërë prej fisit të lashtë Gjyli në Debrovë mbetën dy shtëpi, nuk shtoheshin e shumoheshin si të tjerë. Burra me emër në fshat e më përtej pati gjithnjë fisi i nderuar, nga ata që u shkonte fjala dhe i pyesnin për halle të trupit e shpirtit nga ana e anës. Gra shijeholla e të hirshme, që nderuan sojin po edhe fshatin kudo ku u martuan, patën nxjerrë në mote Gjylat. Atje bënë nga një tufë fëmijë të bukur e të fortë, djem pa hesap dhe çupa si dritë. Gjakun e kishin nga soji i tyre, po qenë tjetër derë e tjetër fis.
Burrat e ndjenin më shumë dhimbjen kur plakeshin dhe vdekja u rrinte mbi kokë. Sikur më tej të mos lindej djalë, emri Gjyli do të shuhej si të mos kishte qenë kurrë, mbi truallin e shtëpive do të mbinte bari dhe këndonte kukuvajka. Më zi se kaq nuk mund të përfytyrohej. ǒtë ishte ky mallkim lemerisës pa fund? ǒmëkat apo shpagë përmbushi kushedi cili nga parardhësit e lashtë? Nëma ishte e të mirit apo të ligut?
Pyetjeve të dhimbshme, përvëluese nuk u dhanë përgjigje për shumë kohë derisa më i mençuri kohëtar i fisit e përtypi hollë gjëmën e pazakontë. Mallkuesi s’mund të ishte i drejti se nëma e tij nuk zgjatet pambarim. Domosdo qe i ligu, më gjuhëhelmi nga të gjithë; atëhere pashmangësisht oguri i zi vinte prej Sprijës, se më zi nuk kishte tjetër. Gjyli i vjetër do t’i ketë bërë dëm të madh, ndoshta e ka vrarë dhe ajo në grahmat e fundit ka mallkuar. Kështu u krijua legjenda e Debrovës si përgjigje apo shpjegim për një hall shumë të rëndë, më i rëndë nga çdo hall që mund të përfytyrojë njeriu.
Në Mesgur ishte rruga e vetme për njerëzit, që kapërcenin Shkumbinin dhe bluanin bereqet ose shkëmbenin perime, myshk, lëkurë apo shajak me ata përmatanë lumit. Në kohën e Gjylit ku ze fill mallkimi, u shfaq Sprija dhe zaptoi shtegun e kahershëm. Asnjë gjallesë nuk kalonte lumin se e përpinte mostra e llahtarshme që ushqehej më gjak njeriu dhe gjak kafshësh. Mjerimi gjëmëmadh mbuloi vendin, vuajtjet nuk kishin të sosur. Bereqeti bëhej po nuk e bluanin dot, kripë nuk gjenin asgjëkund më këtë anë lumi. Bëhet gjë pa kripë? Jo vetëm nuk jetojnë të gjallët, po nuk plazmohet e ardhmja, ndaj rralluan lindjet ndër gra dhe pjelljet e gjësë së gjallë.
U mblodhën burrat ta pleqërojnë hatanë e zezë. Pas shumë përpëlitjesh, herë me zë të ulët e herë të lartë, kush me të butë e kush egërsisht, vendosën të vrisnin përbindëshin mizor, barrë tejet e vështirë se Sprija dinake, fuqishumë përlante lehtësisht cilindo.
Pastaj nuk ishte njeri po qënie e ngatërruar e frikshme si punë gjarpëri mbuluar me lesh bojëhiri të pështirë. Tallej me këdo që afrohej në Mesgur, dhjetë pash që andej nuk bariste gjë e gjallë, as bari nuk mbinte.
Të gjithë hodhën sytë nga Gjyli levend e kokëkrisur, që mori përsipër të shpëtonte fshatin nga e keqja stërmadhe, e padëgjuar.
- ǒfarë kërkon për këtë punë? - e pyetën.
- Nallbani të mbathë kalin më gozhdë dy pont përmbi patkonj, - u përgjigj guximtari ngrysur.
- Nuk ke frikë? - pyeti njëri me druatje, pa takt.
- Bëni atë që kërkova! - nuk e zgjati ky.
Ditën e caktuar, Gjyli hipur mbi kalin azgan që i bindej të zotit vetëm me shenja, u afrua në Mesgur. Sprija doli nga uji e gëzuar për gjahun që i çatisi në shteg.
- Mbërrite në kohë or mik, kam dy ditë pa ngrënë, - iu drejtua djalit.
Ai nuk bëri zë, po përqendruar vetëm në një pikë vendosmërisht u lëshua vërtik me shpatën ndehur përpara. Sprija qeshi dhe u hodh t’i merrte armën e mprehtë pa përfillur kalin, i cili me një nojmë të çallëstiarit nguli gozhdët në trupin e përbindëshit. Lubia ulëriu me zë të çjerrë nga dhimbja dhe deshi të largohej, po kali u rrotullua disa herë, gjersa leshi i gjatë u përdrodh rreth këmbëve. Mbi trupin e zënë mjeshtërisht në lak u futën disa herë gozhdët e kalit dhe kllëçi i burrit. Në grahmat e fundit gjakpirsja deshi të dinte emrin e hasmit dhe si e mori vesh mallkoi:
- Në sojin e Gjylit mos u varshin kurrë më shumë se dy armë.
Që atëherë e deri vonë fisi i shquar i Debrovës mbeti me dy familje, kurrë nuk u bënë tri a më shumë.
Kështu shkoqiti plaku i moçëm dhimbjen e sojit, pastaj ia tha të birit vetmitar dhe iku lehtësuar nga kjo botë. Legjenda udhëtoi gjatë. Ata që erdhën më pas nuk u përpoqën të përballnin fatin se tani e dinin pse mbeten gjithnjë vetëm dy familje. Legjenda ndriçonte një dhimbje tejet të madhe, përmbi çdo lëngatë të trupit e shpirtit, ndaj brezat që erdhën admiruan aktin e trimit të Gjylave motmotin e largët. Pasardhësit mburreshin me stërgjyshin guximtar dhe fshati shenjtëroi emrin e tij përmes legjendës. Më këtej askush nuk u përpoq se nuk mund të gjente shpjegim tjetër, as sot e kësaj dite.
Hapësirat rrallohen prej dhimbjes
Ndër më të bujshmet e legjendave mokrare, ajo e Hallmit të Homçanit përcjell dhimbjen lemerisëse përmes forcës së tejskajshme përfytyruese tejçuar mundimshëm nëpër mote.
Në shtrirjen kohore joshteruese të njohur, hapësirat shqiptare rrallohen prej largimit detyrues, njëlloj si edhe sot. Largimi prodhon mall drithërues, përngritje, ligështi. Malli grryen shpirtin shkuar vrundujve erozivë që zhbëjnë relievet dhe ndërrojnë pamjen e vendit, mpreh ndjenja imtësuese atomike, të pakuptuara në rrethana të tjera.
Përfytyro burrin e legjendës, larguar prej shtatëmbëdhjetë vitesh në Misirin e largët pa asnjë lajm për gruan, tre fëmijët dhe prindërit. Vite tejzgjatur pa fund punoi trishtueshëm dheut të largët, pa harruar asnjëherë njerëzit e dashur. Çdo ditë në jerm vegimi dhe çdo natë në ëndërr i pati brenda qenies, jetonte me ta si t’i kishte të trupëzuar përqark. Jeta qe kthyer në dyzim të vazhduar. Kuvendonte, merrte izë të fillonte këtë apo atë punë, dëgjonte kthjellët të atin t’i jepte udhë mendimeve të koklavitura, gruan e përlotur si ditën e largimit fatal, djalin e vogël që i pat kërkuar ëmbëlsira, nënën plakë me sy të shuar.
Vuajtjet e nxirosura mbaruan. Kthehet me ndjenjën e plotësimit të detyrës, sakrifica e largimit mori fund, do të ishte sërish mes njerëzve më të dashur në botë. Në hyrje të fshatit gjen pleqësinë mbledhur në zi të rëndë. U lëshua me vrap të përshëndetej po atatë pandjeshëm, me sytë shuar pa ngjyrë, qëndruan ftohtë si ta kishin takuar pak më parë. Një hall mbi hallet, më i rëndë se mali përkrye fshatit, atëhere pa emër, u kishte mpirë ndjenjat, gropuar shpirtin, kishte tharë lëngun e jetës. Kryeplaku kumtoi dhimbshëm me zë të zvargur:
-Or bir, mos na e verë re sjelljen tonë se hataja sillet rrotull fshatit, na ka zaptuar mjerimi. Zoti ka çuar shenjë të ligë, zogun e zi si nata që del në mbrëmje dhe nuk pushon tërë natën gjersa shuhet ylli i sabahut. Thërret me zë të çjerrë “ keq ”. Ne vendosëm të nxjerrim natë për natë një burrë që përgjigjet “mirë ” në çdo klithje të tij, po sot e kanë bërë të gjithë detyrën dhe dy herë për njeri nuk bën. Me që erdhe në këtë sahat të lig kërkojmë të qëndrosh sonte përballë zogut ogurzi, të shpëtosh vendin, më tej si të jetë shkruajtur. Nga shtëpia i ke mirë.
Ardhësi u mendua. Deshi të pyeste për të tijtë më hollësisht, po ky ishte hall përmbi hallet, brengë e të gjithëve. Ke pritur kaq gjatë, duro natën e fundit i tha vetes dhe bëri si i thanë. Doli zogu zisjellës majë malit dhe filloi mallkimin e përnatshëm. Mërgimtari përgjigjej. Zuri fill dialogu mortor, kumti i frikshëm ndjellakeq dhe kundërpërgjigja shpresëmirë. Në përsiatjet marramendse mërgimtari mendohej, malli po e grryente si asnjëherë në shtatëmbëdhjetë vite. Ishte kaq pranë fëmijve, gruas, prindërve dhe duhet të merrej me këtë zog të çmendur, sterrë të zi.
Keq - mirë, keq - mirë …
Në përgjumje, rraskapitur nga udha e gjatë, dërrmuar nga malli përhiten fëmijët, gruaja, pleqtë. Djali i vogël kërkonte ëmbëlsirë ( në mendjen e tij ishte tre vjet sa e pati lënë ), e ëma shikonte me dhimbje tërë merak, gruaja sypërdhe nga turpi, i ati tundte kokën qortueshëm. A mund të përballet malli këndellur pacak, mund të përfytyrohet përkeqje më e madhe?
Keq - mirë, keq - mirë, keq…Nuk duroi më:
- Keq e më keq, - iu përgjigj zogut nëmatar.
Atëhere ngjau hataja. Mali ulëriu me tërsëllëmë lemeritëse, si një grua në lindje tmerrësisht të vështirë, u ça më dysh dhe gjysma rrëshqiti me rropullimë të stërgjatur, mori me vete shtëpi njerëz e bagëti dhe i degdisi tatëpjetë lumit fryrë si sprijë. Burri nuk kuptoi asgjë, po kur hodhi sytë poshtë përndjeu gjëmën e papërfytyruar. Shtëpia e tij u shpërbë dhe shkërmoqur me ç’kishte brenda u zhyt në greminën gojëhapur për llahtar. Ktheu kokën, pa gjysmën e mbetur të malit dhe zogun zhdukur pa nishan në gremisjen llahtar. A mund të durohet dhimbje e tillë? Në çastin e fundit, para se t’i fluturonte mendja njëlloj si zogu zhytur në humbëtirë, iu ngulitën fjalët e kryeplakut, hall mbi hall. Vështronte malin e plagosur, shëmtuar nga shembja mendurishte dhe vetëm thërriste:
- Hal mbi hall, hallmbihall…
Që atëhere mali mori emrin Hallmbihall, që nëpër motet ligur prej së keqes u kthye në Hallm. Këtu mbaron legjenda e vjetër sa dheri i vendit.
Shembja duket qartaz edhe sot, shembëtira me kohë është lëmuar, pyllëzuar, dy liqene të vegjël pluskojnë nëpër rrëpirën e malit. Jeta vazhdoi, koha u thinj nga vitet, po kujtimi i çarjes fatale nuk u shua asnjëherë.
Si të gjitha gojëdhënat, legjenda e Hallmit tejçon nëpër kohë dhimbje të madhe e të pazakontë, llahtarin e zhdukjes në një copëz kohe të dhjetra shtëpive e qindra njerëzve mbetur pa varr, se Shkumbini rrëmbushur beter i shpuri s’dihet se ku nëpër rrjedhën zgjatur pa fund gjer tutje detit të gjerë.
Sigurisht nuk ka patur asnjë zog nëmatar, që fliste me gjuhën e njeriut, nuk ka patur as kryepleqësi të mbledhur që caktonte nga një burrë përballë fathënit ogurzi, po rrëshqitja ka ndodhur. Dikush parandjeu të keqen e zezë, ka dëgjuar zhurmën e nëndheshme të ujrave që shembën malin dhe merakosur, i përngritur pa natën në ëndërr, të përçudnuar atë që ndodhi. Iu përshfaq zogu i zi majë malit që lëshoi klithmën “ keq ”. Në fillesë pa u zgjuar përpëlitej i përkequr nëpër mbulesa, po më pas ka ndjerë zhurmën rropullitëse të shembjes dhe është zgjuar i pataksur. Doli tek dera dhe vështroi hatanë. Pastaj u ngrit gjysma e njerëve që mbetën gjallë, tmerruar nga groposja e llahtarshme e gjysmës tjetër. Ka patur edhe një kurbetli që mund të jetë kthyer rrastësisht atë mëngjes apo më vonë dhe nuk gjeti asnjë nga njerëzit e dashur. Vetëm një ngushëllim sfilitës pati hataja e lemerishme; bashkë me viktimat u zhduk përgjithnjë zogu nëmatar, sjellësi i fatkeqësisë së tejskajshme. Mbi gjysmën e mbetur zotëroi në vijimësi paqja e përvajshme.
U përpoqën të shkoqisin ngjarjen e rëndë. Si nuk e kuptuan shembjen e pritshme? Po atë zhurmën e shurdhët të nëndheshme që dëgjohej natën?
Pas ca kohe burri i ëndrrës e tregoi, ndoshta duke shtuar ca nga vetja. Njerëzve u bëri përshtypje, sikur gjetën dritësimin e së keqes. Gjëma udhëtoi gjatë përmbi ëndërr dhe kur kohëndodhja u largua shumë, mori trajtën e legjendës që njihet sot. Edhe emri i malit përjetësoi ngjarjen. E kobshme gjëma qe për kurbetliun që nuk gjeti asnjeri, nuk u çmall ndaj shkalloi.
Përkeqja tronditse nuk mund të mbartej thjesht: - U shemb mali. Ashtu do të ishte harruar shpejt. Jo, ajo u vesh me legjendë, rrënjët e së cilës u zgjatën përmes vegimit në zefilljen e gremisjes së madhe. Në trajtën e rrëfimit që njohim sot ajo bëri përshtypje, pashterur përgjatë brezave, ndaj jetoi gjatë e pa prekur si virgjëreshë dhe çuditi cilindo që e dëgjoi dikur apo e dëgjon sot e gjithë ditën.