Korrupsioni me C4, Madani të hënën në gjyq
TIRANE - Katër të pandehur, mes të cilëve, Shkëlzen Madani, ish-zyrtari i Lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, do të ulen ditën e nesërme në bankën e akuzuarve të Gjykatës së Tiranës. Burime zyrtare të kësaj gjykate saktësuan se dosja në ngarkim të personave të akuzuar për një sërë shkeljesh ligjore, në lidhje me furnizimin me municionin ushtarak të përdorur për hapjen e tuneleve të rrugës Durrës-Kukës do nisë shqyrtimin në orën 12:00 të së hënës. Pas depozitimit të kësaj dosjeje në gjykatë, shorti elektronik caktoi gjyqtarin Petrit Çomo, si kryesues të trupës që do ta shqyrtojë atë. Prokuroria e kryeqytetit përfundoi hetimin e dosjes për korrupsionin me licencat e lëndëve plasëse javën e parë të muajit prill. Burimet zyrtare pohuan se nën akuzë nga kjo dosje janë Shkëlzen Madani, ish-kryetari i Komisionit të Dhënies së Lejeve të Lëndëve Plasëse për Përdorim Civil më Ministrinë e Mbrojtjes, Ferdinand Hodo, Aurela Çoto, përfaqësuese e shoqërisë "Nitromark Albania", si edhe shtetasi turk, Nihat Sobaci, pronari i kësaj shoqërie. Të pandehurit akuzohen për akuzat "korrupsion pasiv të personit që ushtron funksione publike", "falsifikim të dokumenteve shkollore", "ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "moskallëzim krimi". Sipas prokurorisë, ish-zyrtari Madani ka hyrë në afera korruptive me kompaninë "Nitromark Albania", një nga shoqëritë operuese në ndërtimin e superstradës Durrës-Kukës-Morinë. Po sipas organit të akuzës, pas aferave joligjore mes Madanit dhe përfaqësuesve të kompanisë, kjo e fundit ishte favorizuar në blerjen e lëndëve plasëse ushtarake që përdoreshin për ndërtimin e rrugës. ar.ba