E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet deputeti socialist, Fatmir Xhindi

Nga Bledar Lumani, Luljeta Progni

Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, është vrarë mbrëmë me armë zjarri në qytetin e Roskovecit duke hyrë në banesën e tij. Breshëritë e kallashnikovit i kanë marrë jetën, ndërsa akoma nuk janë identifikuar personat që e kanë qëlluar. Xhindi është vrarë rreth orës 22.00 të mbrëmjes së djeshme. Ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Lajmi është konfirmuar dhe zyrtarisht nga policia, e cila ka ngritur postblloqe të shumta në të gjithë zonën për të kapur autorët. Policia nuk ka dhënë asnjë detaj për shkaqet, ndërsa ka theksuar se po punohet për to. Në vendngjarje kanë mbërritur krerët më të lartë të policisë, por dhe zyrtarë të lartë të shtetit, si kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ndodhet gjithashtu në vendin e ngjarjes.

Mësohet se rreth spitalit ku ndodhet trupi i tij janë mbledhur simpatizantë të PS, por dhe të afërm të Xhindit. Situata është e tensionuar, por policia thotë se nuk është shqetësuese.

Ngjarja

Rreth orës 22.00 të mbrëmjes së djeshme, i ndjeri Xhindi i është afruar banesës me makinën e tij. Mësohet se ky ka qenë momenti fatal. Xhindi ka qenë për një darkë me miqtë e tij, dhe është shkëputur prej tyre për të shkuar në shtëpi. Vdekja ka qenë e menjëhershme, ndërsa trupi i tij është dërguar në spitalin i Fierit. Deputeti i zonës 68 banonte pranë qendrës së Roskovecit. Megjithatë, një rrugicë e errët që të çonte në banesën e tij ka favorizuar atentatorët. Policia ka deklaruar se krimi mund të jetë kryer nga më shumë se një person, të cilët kanë qëlluar me armë automatike në drejtim të tij.

Forcat e policisë po kryejnë veprimet e para. Ato kanë kontaktuar të afërmit për të mësuar, nëse ndaj Xhindit ka pasur ndonjë kërcënim më përpara. Zyrtarisht, Xhindi nuk është ankuar për një gjë të tillë.

Reagimet

Për shkak se ngjarja ngelet e mjegullt, reagimet nuk kanë qenë të menjëhershme. Megjithatë, shumë njerëz të shtetit dhe politikës kanë zbarkuar në Roskovec. Kryetari i PS, Edi Rama, së bashku me kryetaren e grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj, dhe nënkryetarin socialist të Kuvendit, Ylli Bufi.

Nga e djathta, në Roskovec ka mbërritur kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Bëhet e ditur se gjatë ditës së djeshme, Xhindi ka patur aktivitet politik, për shkak se ka realizuar disa takime elektorale në fshatrat e zonës.

Ngjarja ndodhi pikërisht kur fushata zgjedhore ka nisur, edhe pse jo brenda afateve të parashikuara nga ligji. Megjithatë, tonet janë ngritur ndjeshëm kohët e fundit dhe akuzat mes palëve janë shtuar.

Duke folur për ngjarjen, nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste tha se është herët për të folur për shkaqet, por theksoi se kjo ngjarje tregon se sa e pasigurt është jetë në Shqipëri. Braçe tha se mohon që ai të ketë pasur probleme personale, sepse Xhindi nuk njihej si politikan konfliktual.

“Është ende shpejt për të folur, nëse bëhet fjalë për prapavijë politike, por e vërteta është se kjo ngjarje tregon qartë se sa e pasigurt është jeta në Shqipëri për qytetarët dhe politikanët. Unë e njoh shumë mirë Fatmir Xhindin dhe jam i sigurt se ai nuk ka patur probleme personale. E mohoj kategorikisht mundësinë e këtij akti për arsye personale, nuk njihet si politikan konfliktual”, - tha Braçe.

Jetëshkrimi

Fatmir Xhindi ka qenë deputet i Partisë Socialiste për zonën e Roskovecit në Fier, që prej vitit 1997 e deri më tani. Më herët ai ka qenë kryetar i komunës së Kurjanit në zonën e Roskovecit të rrethit të Fierit nga viti 1992 e deri në vitin 1996. Ai ishte 49 vjeç. Z. Xhindi kishte përfunduar studimet në universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër në vitin 1986 për Histori dhe Gjeografi. Ai ka qenë anëtar i Partisë Socialiste që prej viti 1991 dhe anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste të Fierit që prej vitit 1996. Zoti Xhindi, para se t’i kushtohej politikës, ka punuar si mësues i historisë në Vlosh të Fierit, si dhe ka qenë drejtor i shkollës së mesme të Kurjanit. Fatmir Xhindi ka qenë baba i tre fëmijëve. Vrasja e tij është një akt kriminal i rëndë, i cili ngjet për herë të dytë në Shqipëri gjatë viteve kur vendi ka hyrë në sistemin demokratik. Në vitin 1998 një tjetër deputet u vra, Azem Hajdari, i cili ishte anëtar i rëndësishëm i Partisë Demokratike. Jeta parlamentare e z. Xhindi ka qenë lineare dhe më së shumti kontributi është shprehur me votë dhe me angazhimet në komisionet e Kuvendit.

Flet kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS, Gramoz Ruçi: Nuk përjashtohet vrasja politike

Nuk kam qenë në takim elektoral me Xhindin sot. Kam qenë në qarkun e Fierit, por jo me Xhindin. Sapo jam kthyer në Tiranë, më njoftuan për lajmin. Është një ngjarje tepër e rëndë. Si në planin njerëzor, edhe në atë politik. Sigurisht që ka një terr informativ nga organet e shtetit. Sigurisht që kam kohë që e njoh zotin Xhindi, qetësia, maturia, dija që ai përcillte ishte vetëm dashamirësi dhe mirësi, ndaj dhe unë përjashtoj çdo lloj konflikti. Nuk ishte njeri konfliktual. Ishte simbol i qetësisë, maturisë dhe mirësisë. Unë nuk mund të gjykoj për pistat e krimit. Në këto moment ka vetëm heshtje dhe po presim.

Nuk mund ta përjashtoj një vrasje politike, sigurisht që po pres informacionet përkatëse. Jam duke shpalosur përgjegjësitë e mia njerëzore, politike dhe shoqërore ndaj tij dhe në momentin e duhur do shprehim qëndrimin tonë.

Unë nuk mund të bëj dot asnjë koment në konsideratë të jetës dhe veprës së zotit Xhindi, unë pranova të jap këtë koment për publikun.

Mediet e huaja: Vritet deputeti shqiptar

Menjëherë lajmi për vrasjen e deputetit Xhindi është transmetuar në mediet ndërkombëtare. Agjencia prestigjioze “Associated Press”, që furnizon me informacion shumicën e medieve në botë, ka raportuar e para. Më poshtë, vijon teksti i raportit të AP.

Një zyrtar i policisë tha se një deputet shqiptar i partisë kryesore të opozitës, Partisë Socialiste, është qëlluar dhe vrarë.

Zyrtari tha se Fatmir Xhindi, 49 vjeç, është qëlluar pranë shtëpisë së tij, në qytetin e Roskovecit, 100 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit, Tiranës. Zyrtari foli në kushtet e anonimatit, në përputhje me politikat e departamentit të policisë.

Xhindi u qëllua më një armë automatike Kallashnikov, të shtunën vonë, dhe më pas atentatorët u larguan me makinë, tha zyrtari i policisë, duke shtuar se hetimet po vazhdojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›