E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Në Shqipëri do të ndërtohet central atomik, por do duhet ende kohë

Nga Fitim Zekthi

Në Shqipëri do të ndërtohet central atomik për prodhimin e energjisë elektrike, por ende nuk ka një projekt dhe kjo gjë do të ndodhë pas pak vitesh. Ministri i Ekonomisë dhe i Energjisë, Genc Ruli, tha dje se energjia e prodhuar nga centralet atomike është e ardhmja dhe se Shqipëria do të ndërtojë pa diskutim centrale të tilla (të paktën një syresh). Ministri i Energjisë nuk i pranoi zërat se Shkodra do të jetë vendi ku do të ndërtohet një central atomik për prodhimin e energjisë. Ai tha se nuk ka një projekt konkret, por ai, projekti, do të jetë realitet me kalimin e kohës. Ndonëse në Shqipëri debatet për ndërtimin e një centrali atomik të prodhimit të energjisë në Shkodër kanë mbërritur në një pikë mjaft delikate, ku ka patur kundërshtime të ashpra, ministri i Energjisë dhe i Ekonomisë iu jep atyre një drejtim edhe më të thekshëm. Është e qartë se Shqipëria parimisht ka pranuar të ndërtojë centrale atomike dhe këtë e pohoi edhe ministri i Ekonomisë dje. Ideja e ndërtimit të këtyre centraleve në vend është nisur nga shtysa të interesave të vendeve të tjera, të cilat do të ndërtojnë centralet dhe do të marrin energji, ndërkohë që vendi ynë do të marrë sigurisht energjinë që i duhet. Përpos kësaj vendi ynë do të përfitojë edhe taksat. E rëndësishme të thuhet në këtë rast është se vendi ynë nuk ka nevojë për centralë atomikë që të sigurojë energjinë që i duhet, përderisa qeveria, jo vetëm ajo, mendojnë se vendi ynë ka kapacitete hidrike për të rritur deri në katër herë prodhimin e energjisë. Pas zërave të publikuar në shtypin kroat për ndërtimin e një centrali atomik të energjisë në Shkodër nga një kompani kroate, tashmë është ministri shqiptar i Energjisë që pohon mundësinë e ndërtimit të centraleve të tilla në Shqipëri. Ministri Genc Ruli u përpoq ta shpjegojë ndërtimin e pritshëm të një centrali atomik në Shqipëri me faktin që kjo energji është ajo që vjen nga burime të pashtershme dhe se planeti në përgjithësi burimet e tjera i ka të kufizuara. Ministri kërkoi të shpjegojë ndërtimin e centralit atomik në Shqipëri me analiza të burimeve globale të energjisë, sikur vendi ynë të ishte një vend që konsumon çerekun e energjisë që konsumohet në botë dhe sikur Shqipëria të kishte mendimin shkencor më të avancuar në këtë lëmë. Megjithatë, një lajm i mirë u dha nga ministri që nuk ka projekt ende dhe që do të duhen disa vite që kjo gjë të nisë të marrë jetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›