E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonisë i duhet një politikan si Chuck Norris

Nga Politika

Zgjedhjet presidenciale dhe lokale në Maqedoni kanë përfunduar, dihen emrat e fituesve (ngaqë humbësit askush nuk i mban në mend), dihet edhe se kush, kujt dhe çfarë premtoi, edhe pse është e qartë se, njësoj si hallakatja zgjedhore, të gjitha do të harrohen deri në zgjedhjet e ardhshme.

Por në aktualitet i vetmi që nuk po humbet është Chuck Norris, njeriu që njëkohësisht ishte edhe kandidat presidencial, edhe kandidat për kryebashkiak të Shkupit. Nuk është gabim ky, ngaqë, siç qëndrojnë gjërat aktualisht, me punën e aktorit në fjalë do të merren gjatë analistët politikë, sociologët dhe kuptohet gazetarët që me vëmendje po përcjellin evolucionin e fenomenit: “Chuck Norris dhe zgjedhjet në Maqedoni”.

Madje, edhe pse në garën zgjedhore u përfshi paksa me vonesë, ai arriti që të shndërrohej në një figurë politike mediatike. Gjithçka filloi kur dy grupe të rinjsh, të dëshpëruar me fushatën e njëtrajtshme zgjedhore, vendosën që në Facebook të kandidonin Chuck Norris për të dy postet e lartpërmendura. Doli se, po të ishte kandiduar me kohë, renxheri nga filmat amerikanë do t’i kishte mposhtur bindshëm kandidatët presidencialë, por edhe ata që po garonin për njeriun e parë të kryeqytetit maqedonas.

Pa kaluar as dy orë nga kandidimi në internet, Chuck Norris fitoi në listën presidenciale 6.808 vota, ndërkaq në atë për kryebashkiak plot 7.174 vota apo siç shkruante në tekstin satirik në gazetën “Globus”, gazetari Zvezdan Georgijevski, shumë më tepër vota sesa fituan disa nga politikanët kryesorë maqedonas që morën pjesë në garën zgjedhore.

Megjithatë, Chuck Norris nuk u vendos rastësisht brenda garës. Ai është një prototip i heroit që sot i mungon Maqedonisë në politikë. Fizikisht është superior, zotëron shkathtësi marciale, nuk e shfrytëzon trurin gjatë gjithë aktiviteteve që kryen, por përdor forcën e vrazhdët fizike, është brutal dhe nuk i respekton as të drejtat e Perëndisë, as ato njerëzore. Parë nga ky këndvështrim, shumë mendojnë se ai është i ngjashëm me Aleksandrin e Madh, të cilin e admirojnë shumica e maqedonasve.

Gjatë gjurmimit të rrënjëve maqedonase të Chuck Norris madje u arrit deri tek informacioni se “renxheri” dhe maqedonasit janë bashkautorë të rrotës, njërit prej zbulimeve epokale të civilizimit njerëzor.

Dhe, ja si rrjedh ngjarja.

Chuck, ndërsa po stërvitej, po bënte një rrotullim para, ndërkaq maqedonasit e pranishëm po e nxisnin duke brohoritur: “To-Chuck... To-Chuck” (në shqip: Ashtu-Chuck... Ashtu-Chuck).

Në Facebook ende vazhdon mbledhja e dëshmive se Chuck Norris është një maqedonas antik, ndërsa simpatizantët e tij po lançojnë fakte rreth superioritetit të tij, gjë kjo që aktualisht iu mungon liderëve maqedonas. Mes tjerash, edhe ajo se Chuck e mban mend që, ndërsa ishte fëmijë, babai i thoshte të hante byrek me speca të djegës, dhe se gjatë kësaj kohe është shoqëruar me Aleksandrin e Madh, prej të cilit kishte mësuar se si zgjidhen nyjet e Godrit...

Në Shkup po flitet dhe shkruhet me të madhe për “chucknorrizimin” si fazën më të re të zhvillimit të shoqërisë maqedonase, prandaj edhe pritet që falë kushteve të reja të shfaqen edhe heronj të ri, të cilët do t’i zgjidhin të gjitha dilemat maqedonase, përfshirë edhe atë më të madhen - si të zgjidhet kontesti me grekët rreth emrit, por që emri të mbetet i njëjtë. Maqedonasit e rinj, të cilët në numër gjithnjë e më të madh komunikojnë me ndihmën e internetit dhe Facebook-ut, janë të bindur se deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale duhet të krijojnë një Chuck Norris maqedonas, për të cilin pastaj do të votonin të gjithë.

Një superhero i tillë vërtet mungon në Maqedoni, e gjykuar sipas sjelljes së qeverisë aktuale, nuk duhet dyshuar se brenda pak vitesh do të shfaqet një Chuck Norris maqedonas. E pastaj le të kujtohen mirë evropianët dhe të gjithë ata që maqedonasve ua mohojnë emrin e shtetit, gjuhën, identitetin nacional dhe prejardhjen antike! Politika!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›