E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri në Sarandë për listën e deputetëve

Nga Antena brenda familjes

Flamuri dje ishte në Sarandë me atë burrin. Kishin disa projekte, të përuronin rrugën hyrëse të Sarandës, pastaj rrugën Kardhiq-Delvinë dhe të hapnin sezonin turistik. Ai burri do vinte me helikopter. I bënë gati të tria variantet.

Kur ai burri mbërriti, pyeti për situatën.

- Unë them të përurojmë rrugën hyrëse, - i tha Flamuri, - se kjo bën më shumë përshtypje.

- Po kjo qenka duke përfunduar, - tha ai burri, - si ta përurojmë nisjen? Shiko mos e kemi përuruar ndonjë herë.

- E kemi përuruar dy herë, - tha Flamuri, - po e kemi quajtur inspektim. Them ta quajmë përurim.

- Jo, jo, s’bëhet, - i tha ai. - Jemi në fushatë dhe gabimet kushtojnë. Po rrugën e Kardhiqit sa herë e kemi përuruar?

- Tri herë, - tha Flamuri. - Dy herë nga Kardhiqi dhe një herë këtej nga Saranda. Ta bëjmë dy me dy them unë. Ta përurojmë dhe një herë këtej….

- Jo, jo, - tha ai burri, - se jemi në fushatë dhe gabimet kushtojnë. E vetmja gjë që duhet përsëritur në fushatë janë akuzat ndaj Ramës, jo përurimet e së njëjtës rrugë. Pastaj dhe njerëz shumë nuk paska. Më mirë po marr pjesë te ceremonia e turizmit dhe po iki.

Ashtu u bë. Flamuri, i cili kishte dy ditë që punonte duke transportuar tabelat “Shqipëria po ndryshon”, u lehtësua.

Te ceremonia e turizmit ishte e thjeshtë. Sipas zakonit të vendit ai duhet të priste një copë byrek, ku ishte futur një monedhë në një nga 8 copat. Kujt i bie monedha, ka fat në zgjedhje. Flamuri mori masat dhe futi 8 copë monedha në secilën copë, që këdo që të merrte, t’i binte monedha. Dhe ashtu u bë.

Ai burri, sapo mori copën e byrekut, sa e këputi, doli monedha.

- Epo, - tha, - duket që fati është me mua dhe qeverinë time. Do t’i fitojmë zgjedhjet. Dhe e futi lekun në xhep.

- Sa njeri i madh që është! - tha Glori. - Asnjë lek nuk lë të shkojë dëm. I mbledh të gjitha, dhe qindarka të jenë. Jo si ne që i nënvleftësojmë.

- Epo ia di vlerën lekut ai, - tha Flamuri. - U bënë kaq vite në pushtet dhe në opozitë. E di ç’do të thotë të të mungojë leku.

Pas drekës ai burri thirri gjithë drejtuesit lokalë për një kafe dhe për t’i testuar se kush do të ishte kandidaturë e mundshme për deputet.

I pari e mori fjalën Glori.

- Unë dua të flitet hapur për ata që e meritojnë, - tha. - Është e vërtetë që mua më kërkojnë me çdo kusht deputet këtu, dhe kanë ardhur peticione në Tiranë, por unë nuk vë kushte. E rëndësishme është që të vihet një që është i zoti, që të ketë kontribute për arritjet aktuale, të ketë mundësi t’u thotë qytetarëve që unë iu futa në NATO dhe në BE.

- Dhe unë them të zgjidhen më të mirët, - tha Petraq Milo. - Unë vërtet jam nga bregdeti, po kam plot biznese dhe po s’u bëra deputet, kam me se merrem. Sikur gjysma e këtyre koncesioneve që kam marrë të përfundojë, dal mirë. Por e rëndësishme është që të gjendet dikush që ka merita për rritjen ekonomike, që është nga bregu dhe që ndan votat e fisit Milo.

- Më lini të them dhe unë dy fjalë, - tha Berisha. - Dua t’u them se sot kemi nënshkru marrëveshjen me partinë çame dhe kjo është një fitore e madhe, pasi tani do të kemi dhe votat e çamëve me vete. Kjo është dhe një përgjigje për ata që thonë se nuk e përmendëm çështjen çame gjatë takimit me Karamanlisin. Besoj se këtu është pritur me entuziazëm ky lajm, pasi çamët në Sarandë përbëjnë një komunitet të rëndësishëm.

Askush nuk po fliste nga të pranishmit.

- Urdhëro Flamur, - i tha doktori.

- Këtu ka një problem, - tha Flamuri, - se këtë radhë gjithë kryesia dhe kryetari janë zgjedhur çamë, se nuk e dinim që do bënim aleancë me partinë e çamëve. Ne kishim menduar që s’do bëhej aleanca dhe këtë radhë i kemi përjashtuar, si lebërit, ashtu dhe këta të bregut, nga kryesia. Tani na duhet të bëjmë aleancë me PBDNJ, t’u marrim ndonjë votë atyre.

- Ky qenka problem i madh, - tha Berisha. - Si do t’ia bëjmë me komunitetet e tjera?

- Mos u mërzit, - i tha Glori. - Ne vërtet të thamë që nuk duam në lista, unë dhe Petraqi, se njëri përfaqëson bregun ortodoks, kurse unë pjesën e Labërisë, por, meqë është puna kaq keq, ne sakrifikojmë dhe e fusim veten në lista. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për të sakrifikuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›