E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëtoni me ne dhe njihuni me misteret dhe vlerat e Gjirokastrës antike

GJIROKASTËR- Gjirokastra turistike është një destinacion që rekomandohet në këtë prag sezoni turistik nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, por jo vetëm. Me një histori të lashtë Gjirokastra ofron shume si qytetet, por edhe me zonat përreth të pasura me histori mjaft mbresëlënëse për vlerat që mbartin. Pasi shkon në Gjirokastër shfaqet kalaja në kodrën përbri madhështore dhe plot krenari, e cila të fton prej së largu të bëhesh pjesë e saj. Qyteti i gurtë me histori sa të njohur aq edhe të panjohur qëndron hijerëndë me muret , rrugët dhe çatitë me ngjyrën e përhimte, e cila vezullin prej së largu. Qyteti i sotëm i Gjirokastrës përfshin Qytetin e Vjetër, me kalanë dhe lagjet e tipit osman, ndërtuar mbi kreshta, që vijnë duke u larguar nga kalaja deri në tabanin e luginës, ku ndodhen ndërtimet bashkëkohore kryesisht pas viteve 90. Lagjet tradicionale shtrihen rreth kalasë me emrat Dunavat, Manalat, Palorto, Varosh, Pazari i Vjetër etj. Gjirokastra me trashëgiminë unikale kulturore, historike dhe arkitekturore mund të vizitohet gjate 365 ditëve te vitit. Ne 2005 ky qytet u bë dhe pjesë e listës së trashëgimisë botërore si një ndër qytetet e mbijetuara në Ballkan me stilin otoman të qyteteve tregtare. Ndërsa, shtëpitë historike të qytetit të gurtë mbeten ato që kanë më shumë vizitorë dhe interes.

“ Kemi nisur këtë udhëtim pikërisht nga Gjirokastra. Mesazhi jo është si në të gjitha këto udhëtime që kemi bërë së bashku me gazetarët, se ne mund ta nisim udhëtimin nga Shqipëria jonë. Një fundjavë e mrekullueshme mund të kalohet në Gjirokastër, me tërë rrugëtimin që ne u kemi ofruar duke nisur nga Antigonea, duke ndaluar në një natyrë të mrekullueshme dhe duke shijuar ushqimin e zonës totalisht bio. Mund të vijojmë me kishat, mund të rikthehemi sërish në Gjirokastër me kalanë, këto shtëpi të mrekullueshme të Gjirokastrës, që secila mban një histori më vete” thotë, Brikena Arapaj drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

Nën moton “Nise udhëtimin tënd nga Shqipëria jote”, Agjencia Kombëtare e turizmit sjell ndërmend për publikun një tjetër vend që nuk duhet lënë pa u vizituar, Antigonenë, e cila shtrihet rreth 14 kilometra nga Gjirokastra.

Antigonea u themelua në vitin 295 Para Krishtit nga mbreti i Molosëve Pirroja, në formën e një qytet-shteti dhe mori këtë emër për nder të gruas së parë të Pirros. Ekspeditat që vijojnë gërmimet vit pas viti kanë gjetur objekte me rëndësi të mëdha arkeologjike. Drejtori i Parkut Arkeologjik të Antigonesë, Ëngjëll Serjani tregon historikun e Antigonesë, ndërsa fton vizitorët të mos humbasin këtë vend.

“ Kjo është pjesa jugore e qytetit antik. Këtu duket shumë qartë një pjesë e mureve rrethuese. Janë rreth 900 metra me disa kulla, gjithsej 6 kulla. Është pjesa më e dukshme e murit prej 4 kilometra që rrethonte dhe fortifikonte këtë qytet me 44 hektarë sipërfaqe banimi brenda përbrenda mureve rrethuese. Pjesa e bazilikës është një ballkon i vërtetë nga ku mund të sodisësh kretj luginën e Drinos, që nga jugu i saj Kakavija dhe deri në veri në Tepelenë, është me të vërtetë një pamje shume e bukur dhe tregon se banorët e qyteti antik të Antigonesë dhe Pirro, kanë zgjedhur një qytet me të vërtet të bukur, me një mikroklimë të mirë dhe pikë strategjike” Shprehet Engjëll Serjani, Drejtori i Parkut Arkeologjik të Antigonesë.

Në kthim nga Antigonea një nga familjet e fshatit Tranoshishte na ftuan të provonim një banket të shtruar me ushqime te zonës. Ndërsa me te moshuarit na treguan për mikpritjen dhe zakonet qe trashëgonin brez pas brezit. Petullat me mjaltë dhe djathi i zonës ishin karakteristike por nuk mungonin as qershitë dhe vera e bere vete.

Mali Çajup, Bureto dhe mali i Gjerë ofrojnë shumë, aq sa djemtë e aeronautikës janë stacionuar në kodrat aty pranë për të bërë fluturime dhe parë nga një kënd tjetër të gjitha këto vlera që mbart qarku i Gjirokastrës. Duke vlerësuar nismën e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Alket Islami, Drejtuesi i Federatës Shqiptare të Aeronautikës nuk kishte si të mos i bashkohet kësaj pakete turistike.

“Nisja e udhëtimit tënd nga Shqipëria jote, është gjëja më interesante dhe më bresëlënëse dhe ne atë kërkojmë të gjithë. Kur drejtoresha më tha se do ishte turi i Gjirokastrës nuk kishte si të mos bashkoheshim dhe ne me paketën e fluturimeve. Tregon se kjo zonë, pjesa e Çajupit, Buretos dhe mali i Gjërë të ofrojnë shumë mundësi për fluturime të lira dhe jo vetëm. Turi i gjeografisë, i arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore dhe sportit të fluturimit janë të ndërthurua në këtë nismë të Agjencisë Kombëtare të Turizmit bashkë më Aeronautikën”, thotë Alket Islami, Drejtuesi i Federatës Shqiptare të Aeronautikës.

Nuk mund të lihet pa vizituar edhe Kisha Paleokristiane e Shën Marisë në Labovën e Kryqit. Kjo Kishë, e cila daton në vitet 554 është ndërtuar nga Perandori Justinian për nder të luftërave që fitonte një oficer me emrin Kostandin Laboviti që ishte nga ky fshat në ushtrinë e perandorit romak. Kjo Kishë pas pushtimit nga osmanët u shndërrua në një depo armësh ku të gjitha pikturat murale u suvatuan dhe u fshehën. Ndërsa, sot nga prishja e suvasë në muret anësore kanë dalë në pah piktura me tematika fetare të papërsëritshme për nga lloji i tyre që shtojnë kureshtjen e vizitorëve dhe i ftojnë ata në këtë tur të paharrueshëm.

Sipas banorëve të këtij fshati në këtë Kishë ka qenë një kryq, i cili thuhet se përmbante brenda tij copë druri të vërtetë nga ajo që u kryqëzua Krishti, ndërsa përmbante në vetvete rreth 1.5 kg flori. Fatkeqësisht ky kryq është zhdukur nga kjo Kishë në fillimet e viteve të demokracisë. Mirëmbajtësi i Kishës, Vangjel Memo na shpjegon fakte historike, por edhe gojëdhëna nga antikiteti deri në ditët e sotme.

“Një labotit, me emrin Kostandin Laboviti, ka qenë në oborrin e perandorit Justinian në Romë dhe ishte oficer i gradës së lartë gjeneral dhe fitonte të gjitha luftërat. Meqë fitonte të gjitha luftërat, i thotë vetë Perandori Justinian, cfarë dhurate do nga mua meqë me jep këto rezultate ne luftë. Ai i thotë nuk dua asgjë, por në fshatin tim Labovë të ndërtohet një Kishë e bukur . Vetë Perandoi Justinian e ka ndërtuar këtë Kishë në 554. Kur është ndërtuar kjo kishë ikonostasi origjinal nuk ka qëenë më ketë panoramë, por me pllaka guri. Kur u pushtua nga Turqia, turqit e pishën pasi e kthyen në depo armësh dhe e lyen. Nbësë do pastrohet ajo është e mbuluar me ikona. Kisha është ndërtuar në shekullin e 16”, rrëfen Vangjel Memo, mirëmbajtës i Kishës.

Ushqimet bio të zonës të ndjellin një tjetër kënaqësi përvec kënaqësisë pamore që të fal kjo zonë. Te gatuara me shumë kujdes dhe me mjaft përkushtim ushqimi në Labovë të lë një shije të pashlyer. I ofruar në ambient të hapur dhe mes gjelbërimit duket se shijohet më shumë i ofruar bujarisht nga banorët e kësaj treve. Ky tur është vetëm një nga mundësitë që ofron kjo paketë turistike. Ky qark ka vlera të tjera që presin të zbulohen nga vizitorët që duket se shtohen nga viti në vit. Nise udhëtimin tënd nga Shqipëria jote nuk është vetëm një moto, por një ftesë bujare për të zbuluar të fshehtat që Shqipëria jonë mbart në shekuj.
(e.m/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›