E Diel, 1 Nëntor 2026

'Alarmi nga Antraksi', lopa e sëmurë infekton dy vëllezërit dhe nipin e tyre 15-vjeçar

LEZHE- Sëmundja e antraksit shkakton panik tek banorët e fshatit Piraj në rrethin e Lezhës. Tre pjesëtarë të një familjeje janë prekur nga sëmundja e rrezikshme dhe vdekjeprurëse që transmetohet nga kafshët. Bëhet fjalë për vëllezërit Gjergj dhe Lin Marku, përkatësisht 38 e 43 vjeç, si dhe nipin e tyre 15-vjeçar, Françesk Marku, të cilët kanë përfunduar në gjendje të rëndë në Spitalin Rajonal të Lezhës. Burime zyrtare nga ky spital bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e tre pjesëtarëve të familjes Marku është në përmirësim e sipër dhe se fatmirësisht ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas mjekëve, tre pacientët ishin me fat, pasi sëmundja është kapur në kohë. Ndërkohë, shënimi i tre rasteve me antraks ka vënë në alarm drejtuesit e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit në Lezhë, si dhe krerët e Shëndetit Publik në këtë rreth, pasi rrezikohet përhapja e sëmundjes tek banorët e tjerë të zonës. Për situatën e krijuar është vënë në dijeni dhe Ministria e Shëndetësisë në Tiranë.
NGJARJA
Neglizhenca për vaksinimin e bagëtive për pak sa nuk u ka kushtuar jetën tre pjesëtarëve të një familjeje në fshatin Piraj të Komunës së Blinishtit. Mësohet se pak ditë më parë, lopa e familjes Marku është shembur përtokë dhe po ngordhte. Të befasuar, pjesëtarë të kësaj familjeje e kanë prerë lopën, pa ditur gjë se ajo ishte prekur nga sëmundja e antraksit, që transmetohet tek njerëzit dhe është vdekjeprurëse nëse nuk kapet në fillimet e saj. Pas prerjes së lopës (dy ditë më pas), tre pjesëtarët e familjes në fjalë kanë pasur çrregullime dhe probleme shëndetësore. Vëllezërit Gjergj e Lin Marku, si dhe nipi i tyre 15-vjeçar, kanë përfunduar në spitalin e Lezhës, ku edhe janë diagnostikuar me sëmundjen e antraksit. Menjëherë, mjekët kanë izoluar tre pacientët, ndërsa kanë nisur edhe mjekimet intensive për kurimin e tyre. Bluzat e bardha kanë sinjalizuar organet përkatëse për rastin në fjalë.
MASAT
Një grup specialistësh, veterinerë të Drejtorisë së Bujqësisë Lezhë, por edhe specialistë të Shëndetit Publik, kryesisht të higjienës, kanë mbërritur në fshatin Piraj. Ata kanë bërë dezinfektimin e vendit ku është therur lopa. Sipas veterinerëve kafsha nuk ishte vaksinuar. Ndërkaq, mësohet se të hënën një grup specialistësh të Ministrisë së Shëndetësisë do të mbërrijnë në Piraj, pasi banorët e këtij fshati janë në panik. Ata kanë frikë se mbetjet nga kafsha e therur janë hedhur në një kanal dhe kjo mund të çojë në përhapjen e sëmundjes nga qentë.
SEMUNDJA E ANTRAKSIT
Sporet e antraksit mund të infektojnë njerëzit nëpërmjet çarjeve ose gërvishtjeve të lëkurës, nëpërmjet mishit të infektuar ose frymëmarrjes. Variantet e sëmundjes klasifikohen sipas mënyrës së infektimit dhe ndahen në tre lloje: Antraks të lë-kurës, të zorrëve dhe organeve tretëse (gastro-intestinal), dhe antraks të mushkërive. Vlerësohet se një person duhet të thithë më shumë se 10 mijë spore që të infektohet. Infektimi bëhet atëherë kur një numër i mjaftueshëm sporesh lëshojnë bakterie, të cilat lëshojnë lëndë helmuese. Shenjat e sëmundjes zakonisht shfaqen brenda tri ditësh nga koha e marrjes së sporeve, por në disa raste duhet dhe dy muaj. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›