E Diel, 1 Nëntor 2026

Belsh, Imami: Mandatin e ardhshëm kompletojmë projektet në infrastrukturë

TIRANE-Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili kryeson zgjedhjet në qarkun e Elbasanit dhe kandidati për deputet, Ardjan Turku kanë zhvilluar një takim me banorë të qytetit të Belshit. 

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, në këtë takim theksoi se kjo zonë, për nga investimet e qeverisë cilësohet si zonë e privilegjuar.

"Nga rreth 5000 fermerë në të gjithë qarkun rreth 25% kanë përfituar subvencione vetëm në Dumre, dhe po t’i referohemi shifrave 1/3 e buxhetit ka kaluar për Dumrenë dhe kjo për disa arsye dhe një ndër ato është se banorët e duan punën e sepse kryetarët e komunave kanë punuar shumë, po të vazhdojmë kështu, kjo është rruga më e mirë”, u shpreh ai.
Imami tha se ndryshimi i kësaj zone ishte i dukshëm, duke e krahasuar me 5 vjet më pare, sepse puna që është bërë është një punë e jashtëzakonshme, punë e frytit të banorëve të Belshit dhe subvencioneve të qeverisë duke e krahasuar Belshin me Toskanën. Dumreja është një mrekulli, theksoi ai.

Duke u ndalur në punën që do të realizohet nëpërmjet sistemit të rrugëve dhe sistemit të ujit, mandatin e ardhshëm do të jenë të përfunduara. Ndër të tjera Kryetari i Grupit të Punës cilësoi se Partia Demokratike do të vazhdojë programin e saj me sistemin e vaditjes dhe kullimit ku për vaditjen do të hapet një program i ri, agresiv, ambicioz në të gjithë Shqipërinë për vaditjen dhe kullimin, sepse pa vaditje dhe pa kullim nuk ka bujqësi, por kjo nuk mund të bëhej pa përfunduar infrastrukturën rrugore dhe kjo tregon qartë që punët me programin e Partisë Demokratike punët janë nisur me rrallë, në mënyrë sistematike, tha Imami.

Në fjalën e tij Imami nuk la pa përmëndur dhe kujtuar mungesën e energjisë tetë vjet më parë, ku theksoi se, “Elbasani do të jetë një nga prodhuesit e hidroenergjisë në vitet e ardhshme, pa harruar rrugët që kemi bërë për komunikimin virtual, dikur kishte çmime të larta të operatorëve celularë dhe internetit, ndërkohë sot internetin e kemi kudo. Janë rindërtuar dhe ndërtuar spitale dhe qendra shëndetësore”.
Z. Rama thotë që ne bëjmë vetëm rrugë, por ne po të kishim mundësi do të bënim edhe më shumë rrugë në mënyrë që t’i çonim kudo, dhe ne do ta bëjmë këtë, në katër vitet e ardhëshme, do të përfunojmë të gjithë infrastrukturën rrugore, në arsim, shëndetësi,, etj. Nuk mund të shohim me dyshim, ndryshimin gjatë këtyre viteve. Ne e dimë që ka edhe probleme, por kemi gjetur rrugën më të mirë për ti përballuar këto probleme, dhe kjo është rruga që na çon drejt një vendi normal, Europian, drejt një Shqipërie të zhvilluar, të integruar. Më shumë do të kishim bërë nëse shoku i autobuzit shoku i opozitës nuk do të na kishte vënë pengesa rrugës”, tha Imami.

Duke renditur edhe një herë pengesat e opozitës që nga viti 2009 e në vijim, sipas tij mosvotimi i tre ligjeve në kohën e duhur ka një kosto, pasi nëse do të kishim hyrë në BE me statusin kandidat do të kishim më shumë investime dhe në këtë mënyrë Rama ka prekur xhepat e gjithësejcilit nga ne. Duke folur për Ramën ai e ironizoi atë duke u shprehur, “ta lemë në autobusin e tij, sepse Shqipëria do të ecë përpara dhe autobusi i tij do të ecë në vend”.

Sa i përket modelit të Ramës, Imami u shpreh se, “kemi z. Rama, një model, i cili nuk është një model sjelljeje politike, tek ai gjendet mungesa e respektit ndaj njeriut, e pikërisht, ky njeri pretendon që nesër të mbajë peshën e rëndë të një Kryeministri, sepse posti i Kryeministrit kërkon një përgatitje, seriozitet dhe përvojë, e cila i mungon në të tëra anët. A mundet ky njeri që në momentin që kriza ka pushtuar europën ta çojë përpara vendin, ndërkohë që përballë kemi një figurë të denjë i cili ka treguar qartë se mendon për të mirën e këtij vëndi ndërkohë që Edi Rama dhe programin e tij, e shkruan në dorë. Sali Berisha ashtu si ju përveçse është politikan dhe intelektual i shquar është njeri që e njeh punën në bujqësi që në moshë të vogël. Kjo është arsyeja, mos mendoni se ka vetëm arsye politike por ka edhe arsye humane. Ne po ndihmojmë ata njerëz që duan të punojnë. PS nuk ka vendosur deputet në zona, ne kemi vënë, sepse ne duam që të ketë një lidhje të drejtëpërdrejtë mes deputetit dhe qytetarit. Pala tjetër do ti shpëtojë ti bëjë bisht përgjegjësisë dhe faktikisht nuk ka kandidat konkret dhe deputet konkret në zonat përkatëse. Nuk është e vërtetë ajo që tha Z. Rama se “kjo është rruga e vetme”, gjithmonë ka më tepër se një rrugë, ka më tepër se një zgjedhje, por ne do të zgjedhim këtë, rrugën e mbarë, të provuar, që premton zhvillim e të ardhme, dhe jo një rrugë e cila është e paprovuar? Votoni për një Shqipëri që ka ndryshuar dhe po ndryshon shumë”, përfundoi Imami.

(e.m/ata/ BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›