E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Julian Çelës, i ati “troket” në Prokurori, ndihmë hetimit

Skënder Çela, babai i 11-vjeçarit Julian Çela, i cili rezulton i zhdukur prej 30 nëntorit 2012, ka “trokitur” dje në dyert e Prokurorisë së Tiranës, për t’u interesuar për fatin e të birit. Zv.drejtori i Antiterrorit në Shërbimin Informativ Shtetëror qëndroi në ambientet e organit të akuzës, për më shumë se 30 minuta, duke u informuar lidhur me hetimet që po zhvillohen për rastin e zhdukjes së të birit. I dyshuari kryesor për ngjarjen mbetet Ardian Prrenjasi, i cilësuar si “monstra” i Laprakës, i cili është vetinkriminuar. “Skënder Çela vjen shpesh në prokurori për t’u interesuar për hetimet lidhur me zhdukjen e të birit. Gjithashtu, ai ofron informacion për hetimin, kjo edhe për shkak të detyrës që mban në institucionin e SHISH”, tha një zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme. Sa u përket çështjeve konkrete që janë diskutuar në organin e akuzës, burime pranë institucionit janë tejet të rezervuara, për shkak edhe të faktit se lidhur me zhdukjen e fëmijës ka plot pikëpyetje dhe çdo detaj është konsideruar si sekret dhe dalja në publik, do ta dëmtonte jo pak hetimin. Ardian Prrenjasi, i cilësuari si “monstra” i Laprakës, i cili 24 orë pasi përfundoi në pranga, pranoi se kishte rrëmbyer dhe vrarë Julian Çelën vijon të mbahet i izoluar në qelitë e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Zyrtarisht thuhet se Prrenjasi mbahet në qelitë e Drejtorisë dhe nuk është transferuar në paraburgimet ‘Jordan Misja’ apo ‘Mine Peza’, për nevoja të hetimit. Shpesh hetuesit shkojnë në qelinë e Prrenjasit, për të marrë të dhëna prej tij, pasi ai ka pranuar se Çelën e ka rrëmbyer, vrarë e mandej hedhur në Landfillin e Sharrës, por dëshmia e tij nuk mbështetet në asnjë provë tjetër, çka ka bërë që prokuroria të ngrejë dyshime të forta lidhur me vërtetësinë e saj. Kërkimet në landfill nuk kanë dhënë rezultat, ndaj për këtë shkak shpresat se Juliani mund të jetë gjallë janë shtuar së tepërmi. Nga pista e vrasjes, hetimet janë përqendruar në pistën e një trafikimi të mundshëm të 11-vjeçarit. Ardian Prrenjasi u arrestua pak javë më parë, pasi rrëmbeu dhe abuzoi me një 10-vjeçar, i cili iu shpëtua nga duart në momentin kur po tentonte ta vriste. Pak orë pas arrestimit, Prrenjasi u tha hetuesve se ishte pikërisht ai që kishte rrëmbyer dhe vrarë Julian Çelën. Pavarësisht se i cilësuari si “monstër” deklaroi se trupin e 11-vjeçarit e ka hedhur në Landfillin e Sharrës, por pavarësisht kërkimeve nuk u gjet asnjë e dhënë që të vërtetonte dëshminë e 45-vjeçarit.
(e.m/GazetaShqitpare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›