Pastër në Qeveri
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur qëndrimin e tyre se Kosova duhet të formojë një Qeveri të pastër, të aftë dhe kredibile, e cila duhet ta ketë prioritet interesin dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.
Kjo porosi është potencuar fort nga Zëvendësndihmëssekretari amerikan, Thomas Countryman të premten në Prishtinë, pas një takimi me Kryeministrin në largim, Hashim Thaçi.
Kur Countryman ka prezantuar këto porosi, afër foltores ka qëndruar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë. Christopher Dell, i cili tashmë ua ka bërë me dije kosovarëve se çfarë qeverie duan amerikanët.
Zyrtari i lartë amerikan, porositë e forta i ka dërguar me një gjuhë të kujdesshme. Ai ka shfaqur besimin se Thaçi do të përfillë “kriteret” për formimin e Qeverisë.
“Kryeministri nuk e ka diskutuar me mua kompozimin e kabinetit për të cilin është duke punuar dhe mendoj se kjo është një gjë e duhur. Është një vendim për palët që kanë marrë pjesë në këto zgjedhje, unë kam besimin se Kryeministri dhe palët e tjera e kanë dëgjuar opinionin tonë dhe opinionin e popullit të Kosovës, të pastër, të aftë dhe të përkushtuar. Pres që ky është drejtimi që do ta marrë Qeveria dhe kabineti i ri”, ka thënë ai.
Countryman, pozicionin amerikan për Qeverinë e re e ka përsëritur disa herë.
“Populli i Kosovës ka kërkuar dhe pret një Qeveri të pastër, të aftë dhe të përkushtuar që do të ndërmarrë madje hapa edhe më të mëdhenj në tri vitet e ardhshme sesa që kemi parë në tri vitet e para pas pavarësisë”, ka thënë ai.
Countryman ka përmendur edhe pritjet e Qeverisë amerikane për Qeverinë e re të Kosovës.
“Qeveria e re për të cilën shpresojmë, siç thoni ju, do të shpallet shpejt do të ketë një agjendë të plotë për zhvillimin e ekonomisë, rritje ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës për të vendosur fuqishëm për sundimin e ligjit, pavarësinë e institucioneve shtetërore duke përfshirë gjyqësorin dhe policinë. Dhe, siç diskutuam sot, që të adresohen sfidat e përbashkëta të politikës së jashtme me të cilat Kosova ballafaqohet dhe në të cilat SHBA’ja është partnere e plotë”, ka theksuar Countryman.
Diplomati amerikan ka ardhur në Prishtinë pas një vizite që i ka bërë Tiranës dhe Shkupit. Paraprakisht ai ka përfaqësuar SHBA’në në takimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën në Bruksel.
“Pastërtinë” e Qeverisë, gjatë konferencës me Thaçin, e ka përmendur edhe kur ka folur për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.
“Pjesa më e vështirë është vendosja e sundimit të ligjit, etablimi i institucioneve të pastra të drejtësisë, të ndjekjes, të policisë, për të siguruar se qeveritë nuk janë të korruptuara. Këto janë detyrat më të vështira, me të cilat vendet e këtij rajoni përballen”, ka thënë ai.
Countryman ka bërë edhe një vlerësim për Kosovën, duke thënë se Kosova e ka dëshmuar se mund të funksionojë si shtet.
“Tri vjetët e fundit kanë demonstruar para meje, ambasadorit Dell dhe Qeverisë së SHBA’së se Kosova është demokraci qe funksionon, demokraci joperfekte sikur e të gjithë fqinjëve të saj që ka shumë punë para vete, por ajo për çka jam i sigurt, është se sistemi politik ka dëshmuar maturi dhe aftësi. Tri-katër vjetët e ardhshme ose më shumë kërkojnë edhe një punë më të madhe nga Qeveria dhe qytetarët e Kosovës dhe ne përsëri do të jemi mbështetës sa të mundemi”.
“Do të ketë konflikte, konflikte politike, do të ketë kriza politike, por si sistem politik, Kosova ka atë aftësi që të përcaktojë fatin dhe të bëjë edhe zgjedhjet e vështira të nevojshme”, ka shtuar ai.
Komente për “pastërtinë” e Qeverisë së re ka bërë edhe Thaçi, i cili ka thënë se, “ne kemi përcaktuar standardet për themelimin e institucioneve të reja, për të udhëhequr me njerëz të aftë, të përgjegjshëm, të zotë që marrin përgjegjësi që u takojnë që i kryejnë ato përgjegjësi mirë”.
Ai ka theksuar se pas krijimit të Qeverisë së re do të instalohet “lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive negative, thellimit të reformave të nevojshme demokratike”.
Ai nuk është përgjigjur në mënyrë direkte kur është pyetur nëse në Qeverinë e tij do të ketë njerëz që janë nën hetime të EULEX’it.
“Në institucionet e ardhshme të Republikës së Kosovës do jenë njerëz që si synim parësor e kanë së pari Kosovën, interesat e qytetarëve të vendit mbi çdo interes grupor partiak apo individual, njerëz të aftë, të përgjegjshëm, kredibil që mund të përmbushin vizionin tonë për Kosovën euroatlantike dhe perëndimore”, ka thënë Thaçi.
Nuk flasin për Pacollin
Zëvendësndihmëssekretari amerikan ka refuzuar të japë publikisht përgjigje nëse Behgjet Pacolli është një figurë e pranueshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të shërbyer si President i Kosovës.
“Nuk kam ndonjë opinion”, ka thënë ai.
Countryman po ashtu nuk ka preferuar të flas se cili është lloji i koalicionit që favorizojnë SHBA’në me arsyetimin se “kryeministri është duke punuar në formimin e koalicionit”.
“Nuk kam ofruar një këshillë specifike të tillë për Kryeministrin. Sikurse ambasadori Dell e ka thënë, madhësia e koalicionit në një sistem parlamentar të këtillë është më pak i rëndësishëm se koherenca dhe efektiviteti i koalicionit. Një Qeveri që është e bashkuar, aktive, efektive për prioritetet e qytetarëve, do të jetë e suksesshme. Në përgjithësi, një qeveri e gjerë është më e mirë sesa koalicioni i ngushtë, por madhësia nuk është faktori kyç i koalicionit, por koherenca, vendosmëria dhe efektiviteti”, ka thënë ai.
Duke folur për koalicionin, Thaçi ka thënë se tashmë e ka siguruar mazhorancën për krijimin e institucioneve të reja, por as ai nuk ka pranuar të flasë për figurën e Pacollit dhe nëse do ta pranonte për President të vendit.
“Themelimi i institucioneve të reja duhet të udhëhiqet prej njerëzve mbi interesat partiake apo individuale. Prandaj, kjo do të jetë pjesë e marrëveshjes mes partive që do të jenë pjesë e koalicionit që tanimë dihet se kush do të jetë pjesë e këtij koalicioni PDK-AKR – Lista Ibrahim Rugova dhe të gjitha komunitetet serbe dhe joserbe me një mazhorancë të mjaftueshme, por shumë të konsoliduar”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se tashmë i ka siguruar numrat e Qeverisë së re.
“Cilësia e institucioneve nuk varet nga numrat, por nga efektiviteti në punë, sepse Kosova ka pasur traditë të numrave të shumtë në Parlament, por qeveritë nuk kanë qenë aq efektive, por kësaj radhe do të kemi një koalicion të koncentruar, por të efektshëm për punët që duhet t’i kryejë në përputhshmëri me Kushtetutën, ligjet programin dhe vizionin për forcimin e shtetit”, ka thënë Thaçi.
Dialog, jo negociata
Thomas Countryman ka folur edhe për dialogun Kosovë- Serbi, por nuk ka përmendur ndonjë afat se kur mund të fillojë ky proces.
“Sikurse edhe Bashkimi Europian, ne i themi dialog, e jo negociata. Për arsye se këto duhet të jenë diskutime mjaft të gjera për një numër çështjesh praktike dhe nuk janë në negociata në kuptimin tradicional. Duke thënë dialog, ne shpresojmë se të dy qeveritë, sikurse edhe BE’ja si lehtësuese e dialogut, do të ketë një qasje më fleksibile, kreative dhe praktike për zgjidhjen e çështjeve të përditshme që afektojnë të gjithë qytetarët e Kosovës në të gjitha pjesët e Kosovës”, ka thënë ai.
“Roli i SHBA’së në këtë është përkrahës. BE’ja do t’i thërrasë palët dhe do ta bëjë agjendën. Ne do të jemi aty për të ndihmuar jo vetëm ekipin e Kosovës, por edhe BE’në, sikurse edhe ekipin e Serbisë që të arrijnë te këto negociata praktike. Ne presim që të marrim këtë rol përkrahës në koordinim të ngushtë me partnerët tanë”, ka thënë ai.
Por zyrtari amerikan nuk i ka dhënë aq shumë rëndësi dialogut me Serbinë, duke thënë se ky dialog do të zhvillohet ngadalë.
“Çelësi i së ardhmes së Kosovës nuk është dialogu me Serbinë. Dialogu do të lëvizë më ngadalë se secili prej nesh e dëshiron. Nuk kam parë ndonjëherë ndonjë diskutim diplomatik të lëvizë më shpejt, ato shkojnë gjithmonë më ngadalë se që ju e prisni. Dhe duhet mjaft durim nga populli i Kosovës, për të gjitha këto rezultate të këtyre bisedimeve”, ka thënë ai.
Ai ka mohuar se Kosova ka dobësuar pozicionin për shkak të Raportit të Martyt.
“Së pari çka është pozicion i mirë për Kosovën dhe Serbinë. Nuk është një ndeshje futbolli, është dialog. Nuk është një proces që rezulton me fitore të njërës palë dhe humbje të tjetrës. Është një proces ku të dyja palët nën udhëheqjen e BE’së dhe me përkrahjen e SHBA’së dhe të tjerëve kërkon të tejkalojë disa vështirësi politike që i kanë parandaluar ato të marrin vendime praktike që do t’i ndihmojnë popullit të Kosovës që të jetojë normalisht”, ka thënë ai.
Por sipas tij, nëse dështon dialogu me Serbinë, nuk do të thotë se dështon edhe Kosova.
“Nëse Kosova dështon, dialogu dështon, por e kundërta nuk është vërtetë”, ka thënë ai.
EULEX’i të hetojë
Countryman ka thënë se hetimet rreth akuzave të Dick Martyt për tregti me organe në Kosovë duhet të hetohen nga EULEX’i.
“Ne e marrim me seriozitet raportin e z. Marty. Ne nuk kemi konkluduar se konkluzionet e tij janë të vërteta ose të rreme. Kjo nuk na takon neve që ta përcaktojmë, por raportin e marrim seriozisht. Së dyti, ne besojmë se disa nga akuzat e raportit duhet të hetohen më tej dhe se ky hetim duhet të bëhet nga EULEX’i, që është organizata e vetme që ka juridiksion për ta bërë këtë”, ka thënë ai.
“Ne tani në Washington jemi duke konsideruar se si SHBA’ja mundet më së miri ta ndihmojë një hetim që arrin tek e vërteta. Zbulimi i së vërtetës është çështje kyçe për popullin e Kosovës dhe thelbësor për procesin e promovimit të raporteve të Kosovës me fqinjët e saj dhe promovimin e pajtimit ndëretnik”, ka shtuar ai.