Kursi i këmbimit, javë e paqëndrueshme
Kursi i Këmbimit është luhatur ndjeshëm gjatë javës që lamë pas. Nga të dhënat e përditësuara të kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, po ashtu edhe të dhënat nga agjencitë e këmbimit valutor në vend, ka rezultuar se vlera e monedhave më të përdoruara në vend, euro, dollar, gjithashtu edhe monedha kombëtare lek, kanë pësuar luhatje të ndjeshme gjatë kësaj jave. Ekspertët shpjegojnë se tregu i brendshëm po reflekton prej pak muajsh një kurs këmbimi valutor të paqëndrueshëm, duke pasur një monedhë kombëtare, jo të fort në krahasim me monedhat e tjera të huaja. Dollari amerikan ka pësuar një nënvlerësim të menjëhershëm në tregun vendas. Java ka nisur me tregtimin e dollarit prej 103, 46 lekë nga 105 lekë, dy javë më parë, dhe është mbyllur me tregtimin e tij prej 101,50 lekë. Ndërsa euro është këmbyer në fillim javë me 138, 40 dhe në fund të javës me 139.24 lekë. Monedha europiane, javën e fundit, sipas agjencive të këmbimit valutor në kryeqytet ka pasur luhatje dhe ka arritur pikun e saj të përpara 15 dhjetorit, duke u tregtuar me afërsisht 140 lekë. Sipas agjentëve valutorë, është tregu ndërkombëtar që reflektohet në atë vendas dhe gjithashtu kërkesa e brendshme orienton kurbën e ofertës për monedhë të huaj. Kurba e luhatjes së këmbimit valutor në vend, ka nisur që në fund të vitit që lamë pas. Monedha europiane nisi të forcohej ndjeshëm, duke arritur të tregtohej me 140 lekë, në prag të liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Europian.