E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzimi i Financave, në kundërshtim me ligjin

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i është referuar udhëzimit të Financave për përpilimin e listës duke injoruar ligjin


TIRANË- Udhëzimi i Ministrisë së Financave drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për zbatimin e ligjit "Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë" është hartuar në kundërshtim të plotë me këtë ligj. Në këtë përfundim arrijnë specialistë të fushës të pyetur në lidhje më këtë çështje.


Sipas tyre, në qoftë se në ligj cilësohet qartësisht se dërgohen për fillim të procedurave të falimentimit ato kompani që deklarojnë rezultate me humbje të kapitaleve të veta për të paktën 3 vite rresht, Ministria e Financave nuk kishte se si të hartonte një udhëzim që ndryshon katërcipërisht përmbajtjen e kësaj pike të nenit 104 të ligjit "Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë".


Sipas udhëzimit që financat i kanë dërguar tatimeve, këto të fundit i kërkojnë gjykatës që të fillojë procedurat e falimentimit për ato kompani, veprimtaria e të cilave ka rezultuar me humbje për te paktën tre vite te njëpasnjëshme. Pra në mënyrë taksative vendoset që çdo kompani që ka dalë me humbje automatikisht të dërgohet në gjykatë.


Ndërkohë, që ka kompani që janë përfshirë në këtë listë të cilat shprehen se nuk kanë probleme me pagesat apo mungesë parash por kanë dalë me bilanc negativ pasi janë në proces investimi.


Në rastin më të mirë, qeveria është e paaftë pasi harton udhëzime që bien ndesh me ligjet e hartuara dhe miratuara nga vetë ajo, dhe në rastin më të keq ajo merr nisma të dëmshme në mënyrë të qëllimshme ndaj bizneseve.


Në udhëzimin e Ministrisë së Financave, theksohet gjithashtu se, administrata tatimore duhet që të publikojë në faqen zyrtare të saj emrat e të gjithë sujekteve për të cilat ka kërkuar nga gjykata fillimin e procedurave të falimentimit.


Në të gjithë këtë proces, administrata tatimore ka kryer procedurat për nxjerrjen e emrave të subjekteve vetëm duke iu referuar udhëzimit të Ministrisë së Financave i hartuar në kundërshtim me ligjin.


Referimi vetëm tek udhëzimi i financave është bërë duke injoruar plotësisht hierarkinë juridike sipas të cilës është ligji ai që qëndron mbi çdo akt tjetër, qofshin këto udhëzime, vendime qeverie, etj.


REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
L I G J
Nr.9920, datë 19.5.2008
PËR PROCEDURAT TATIMORE
NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
................................................................................................
Neni 104
Fillimi i procedurave të falimentimit
1. Administrata tatimore kërkon në gjykatë fillimin e procedurës së falimentimit për tatimpaguesit, shoqëri tregtare:
a) 2 vjet pas kalimit në statusin pasiv nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit;
b) detyrimi tatimor i të cilëve është deklaruar i pambledhshëm;
c) që deklarojnë rezultat me humbje të kapitaleve të veta për të paktën 3 vite rresht;
ç) nuk kanë kryer veprimtari tregtare për një periudhë prej të paktën 2 vitesh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji;
d) kanë detyrime të pashlyera ndaj administratës tatimore prej të paktën 2 vitesh nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji.
2. Tatimpaguesit, shoqëri tregtare, për të cilat administrata tatimore ka kërkuar fillimin e procedurave të falimentimit, publikohen në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
3. Mosfillimi i procedurës së falimentimit të tatimpaguesve, shoqëri tregtare, brenda gjashtë muajve nga verifikimi i njërit prej kushteve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, nga nëpunësit e administratës tatimore, që verifikojnë apo kanë për detyrë të verifikojnë faktin juridik, përbën shkelje disiplinore.

UDHËZIM
Nr.24, datë 02.09.2008


PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Ne mbështetje te nenit 102, pika 4 te Kushtetutës se Republikës se Shqipërisë dhe ne zbatim te nenit 10, pika 1 te ligjit Nr. 9920, date 19.05.2008 "Për Procedurat Tatimore ne Republikën e Shqipërisë'', Ministri i Financave,

UDHËZON:
........................................................
104. Fillimi i procedurave të falimentimit

104.1 Ne rastet kur tatimpaguesit qe janë te krijuar ne një nga format e shoqërive tregtare te parashikuara nga ligji gjenden ne një nga situatat e mëposhtme:
a) Kane kaluar mbi 2 vjet te regjistruar me status pasivi ne Qendrën Kombëtare te Regjistrimit, date e cila fillon te llogaritet nga e nesërmja e datës se regjistrimit te këtij statusi,
b) Sipas parashikimeve te nenit 103 te Ligjit "Për procedurat tatimore" tatimi i tij është deklaruar si i pambledhshem;
c) Veprimtaria e tyre ka rezultuar me humbje për te paktën tre vite te njëpasnjëshme;
ç) Nuk kane kryer veprimtari tregtare për një periudhe kohore për te paktën 2 vite te njëpasnjëshme duke filluar nga dita e nesërme e hyrjes ne fuqi të Ligjit "Për procedurat tatimore", me te cilën do te kuptohet mos kryerja e furnizimeve te mallrave apo shërbimeve te cilat ai i ka si objekt i veprimtarisë se tij tregtare, si dhe nuk kane realizuar transaksione me te tretet ne përputhje me objektin e veprimtarisë se tyre;
d) Kane detyrime tatimore te papaguara për te paktën një periudhe kohore 2- vjeçare nga data e hyrjes ne fuqi te këtij ligji, duke filluar te llogaritet ky afat nga e nesërmja e hyrjes ne fuqi te ligjit.
Administrata tatimore ne juridiksionin e te cilës është regjistruar tatimpaguesi, ose administrata tatimore ne juridiksionin e te cilës ushtrohet veprimtaria ekonomike e tatim paguesit dhe ne favor te se cilës paguhen detyrimet tatimore prej tatimpaguesit, ka detyrimin te kërkojë ne gjykatën kompetente, fillimin e procedurave te falimentimit.
104.2 Për te gjithë ata tatimpagues ndaj te cilëve administrata tatimore ka kërkuar fillimin e një procedure falimentimi, duhet te jene te publikuara prej saj ne faqen zyrtare te Drejtorisë se Përgjithshme te Tatimeve informacionet përkatëse. Për ketë qellim zyra tatimore, Drejtoria Rajonale, e cila ka kërkuar ne gjykate fillimin e një procedure falimentimi, është e detyruar qe te dërgoje ne Drejtorinë e Përgjithshme te Tatimeve, një informacion për subjektin tatim pagues ndaj te cilit ajo ka kërkuar fillimin e një procedure falimentimi. Informacioni duhet te përmbaje, emrin e shoqërisë tregtare, si dhe emërtimin e saj te shkurtuar, NIPT-in, adresën e selisë se regjistruar, emrin e administratorit apo te administratoreve te shoqërisë, si dhe datën dhe numrin e regjistrimit te kërkesës ne gjykate, dhe gjykatën ku është depozituar kërkesa për fillimin e procedurës se falimentimit. Ne rastet e hedhjes se te dhënave gabim, administrata tatimore është detyruar te korrigjoje menjëherë listën e publikimeve sipas kësaj pike, si dhe te vere shënimin ne faqen e saj për arsyen e heqjes se publikimit.
104.3 Në çdo rast punonjësi i administratës tatimore, i cili ka detyrimin për të kërkuar në gjykatë fillimin e një procedure falimentimi kundrejt një tatimpaguesi, është i detyruar që pas verifikimeve të bëra, nëse ndodhet në një nga rastet e kërkuara nga neni 104, paragrafi 1 i Ligjit të Procedurave Tatimore, të paraqesë në gjykatë kërkesën për fillimin e procedurave te falimentimit. Mos paraqitja e kërkesës për një periudhe 6 mujore nga data kur ajo duhej bërë përbën shkelje disiplinore dhe ligjore për punonjësin që e kishte këtë detyrim


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›