E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzimi i MASH: 3 mijë mësues rrezikojnë punën

Autori i Lajmit: red.
“Udhëzimi më i fundit i ministrit të Arsimit Fatos Beja, i datës 5 shkurt, i cili thotë se arsimtarët me kontratë të përkohshme do të zëvendësohen me mësues në dispozicion që do të paguhen në bazë të orëve. Sindikalistët që mbrojnë të drejtat e arsimtarëve në vend, kërkojnë anullimin e menjëhershëm të këtij udhëzimi ”

Rreth 3000 mësues në të gjithë vendin do të lënë vendin punës, ku punojnë prej dhjetëra vitesh për të kaluar në dispozicion duke ndërprerë kështu kontratat dhe duke u shkëputur nga sigurimet shoqërore. Ky është udhëzimi i Ministrisë së Arsimit i datës 5 shkurt 2009 i cili kundërshtohet me forcë nga Federata e Sindikatave të Arsimit, e cila kërkon pezullimin e menjëhershëm të këtij udhëzimi. “Udhëzimi numër 4 për pagesën e punonjësve mësimorë është në kundërshtim të hapur. Nga ky udhëzim largohen nga puna 3 mijë mësues, të cilët aktualisht janë të punësuar me kontrata”, u shpreh përfaqësuesi i Federatës së Sindikatave të Arsimit, Xhaferr Dobrusha. Sipas Dobrushës ky udhëzim është në kundërshtim me kontratën kolektive të punës dhe Kodin e Punës. Kontrata që 3000 mësuesit kanë lidhur me Ministrinë e Arsimit ka afat një-vjeçar dhe nuk mund të ndërpritet në mes të vitit. Për më tepër udhëzimi nuk mund të ketë fuqi prapaveprues pasi ka dalë më 5 shkurt dhe shtrin veprimin e saj më 1 janar. “Përveç shkeljeve ligjore një dëm të pallogaritshëm pëson vetë shkolla pasi shume klasa do të mbesin pa mësim dhe mësuesit me orë do të humbasin interesin për mësim”, analizoi Dobrusha. Ministria e Arsimit ende nuk ka gati një sqarim lidhur me udhëzimin e dhënë. Ndërkohë që Federata e Sindikatave të Arsimit paralajmëron se nëse nuk do të ketë anullim të udhëzimit do të ndjekë çështjen në gjykatë.
Ky lajm është publikuar: 05/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›