E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët në Itali, kriteret e 2009-ës për ribashkimin familjar

Autori i Lajmit: red.
Flet Durim Hatibi
Specialisti i Drejtorisë së Migracionit pranë Ministrisë së Punës shpjegojnë të gjitha paqartësitë e emigrantëve shqiptarë në Itali, të cilët kërkojnë të bëjnë ribashkimin familjar.

Për ribashkimin familjar të një shtetasi nga shtete jo anëtarë të BE-së me një shtetas italian, apo të BE-së ka një skedë tjetër praktike;dispozitat e reja mbi ribashkimin familjar hynë në fuqi, më 5 nëntor 2008, data kur hyri në fuqi dekreti legjislativ i 3 tetorit 2008, nr. 160. Ministria e Brendshme saktësoi se kur ka kërkesa për ribashkim familjar të paraqitura para kësaj date dhe që ende janë në fazën e shqyrtimit, i interesuari kur të thirret duhet të provojë se plotëon kushtet e reja të vendosura me atë dekret (nr.160). E drejta për të ruajtur apo ngritur unitetin familjar me familjarë të huaj, i njihet të huajve, që zotërojnë një prej tipeve të mëposhtme të lejeve të qëndrimit:
1. kartë qëndrimi, apo leje qëndrimi CE për Rezidentët Afatgjatë (ky autorizim i ri zëvendëson kartën e qëndrimit);
2. leje qëndrimi me vlefshmëri kohore jo më të vogël se një vit, të lëshuar për motive si punëmarrës, i vetëpunësuar, si dhe për motive azili, studentore, motive fetare dhe familjare, apo edhe për motive të mbrojtjes shtesë (neni 28 i Tekstit Unik për Imigrimin). Kjo e drejtë nuk ka të bëjë vetëm bashkëshorte/ë të të huajit/huajës, por edhe familjarë të huajit/huajës, si më poshtë:
3. bashkëshort/e i/e pandarë ligjërisht dhe në moshë jo më pak se 18 vjeç;
4. fëmijë të mitur deri 18 vjeç (në momentin e paraqitjes së kërkesë), edhe të bashkëshort/es, apo të lindur jashtë martese, të pamartuar, me kusht që prindi tjetër në këtë rast, të japë miratimin i tij/saj; këtë të drejtë e gëzojnë dhe fëmijtë e adoptuar, ato në kujdestari dhe të miturit nën tutelë;
5. fëmijë të rritur, në ngarkim, që nuk mund të plotësojnë kërkesat e tyre, të domosdoshme të jetesë për arsye të gjendjes së tyre shëndetësore, e cila sjell një invaliditet të plotë;
6. prindër në ngarkim të kërkuesit/es (por jo të bashkëshortes/it), kur ato nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo të prejardhjes, apo prindër mbi 65-vjeç, kur fëmijtë e tjerë janë të pamundur t i mbajnë ato për motive të rënda, të dokumentuara shëndetësore.
Kërkesa
Nëpërmjet ribashkimit familjar i huaji që gjendet në Itali, sipas kushteve të qëndrimit të përmendura më lart, mund të kërkojë ardhjen e familjarëve (vetëm të atyre të listuar më sipër) që qëndrojnë jashtë me qëllim që të vendoset në mënyrë të vazhdueshme uniteti i familjeve të tyre. Kërkesa për ribashkim familjar duhet të paraqitet tek Sporteli Unik mbi Imigrimin të Prefekturës kompetente, vetëm me modalitetet telematike, pranë sitit të Ministrisë së Brendshme. Nëse plotësohen kërkesat e mësipërme ka mundësi të paraqitet kërkesa për ribashkim familjar, duke ndjekur procedurën e posaçme të informatizuar, që gjendet në sitin e ministrisë së Brendshme. Udhëzimet për plotësimin e Modelit S dhe sqarime të hollësishme mbi dokumentet lidhur me të ardhurat dhe strehimin gjenden në udhëzimet e bashkëngjitura moduleve on-line. Sporteli kompetent, me marrjen e kërkesës kujdeset për thirrjen e këkruesit, përmes një takimi të posaçëm për paraqitjen e certifikimit të dokumentave të mëposhtëm, lidhur me pasjen e një strehimi dhe realizimit të të ardhurave minimale të domosdoshme.
Strehimi
Lidhur me strehimin një certifikatë duhet të vërtetojë se bën pjesë në parametrat minimalë të parashikuara nga ligji rajonal për strehimet në banesat rezidenciale, ku shprehet posaçërisht përshtatshmëria e strehimit, apo certifikatë e përshtatshërisë higjieniko-sanitare, orgjinal plus fotokopje (këtë certifikatë i huaji e kërkon pranë Zyrës Teknike të Bashkisë, kompetentë për banimin e tij, apo pranë ASL-së që përshin atë).
Nëse i huaji është mysafir, duhet të bashkëngjisë deklaratën e lëshuar nga zotëruesi i apartamentit, sipas Modelit “T2”, ku vërtetohet miratimi i zotëruesit për të mikpritur edhe familjarët e ribashkuar. Në rastin e ribashkimit vetëm të një të mituri 14-vjeçar, certifikata e bashkisë mund të zëvendësohet; nga një deklaratë mikpritjeje të zotëruesit të apartamentit në modulin “S1” (origjinal dhe fotokopje); nga kopja e kontratës së banesës/strehimit/pronësisë me kohëzgjatje jo më të vogël se gjashtë muaj, duke nisur nga data e paraqitjes së kërkesës (kopje e dyfishtë).
Afati
Sporteli Unik lëshon ricevutën e paraqitjes së kërkesës dhe të dokumentacionit. Pasi verifikohet plotësimi kërkesave si më sipër, brenda 180 ditëve nga paraqitja e praktikës, Sporteli Unik lëshon miratimin apo refuzimin e kërkesës, duke ia përcjellë vendimin autoriteteve konsullore. Pas kanë kaluar 180 ditë nga kërkesa për miratim kërkese, nëse Sporteli Unik nuk e ka lëshuar, familjari për të cilin kërkohet ribashkimi mund të paraqesë tek autoritetet diplomatike dhe konsullore italiane jashtë, kopjen e ricevutës së paraqitjes së kërkesës dhe dokumentacionit që ishin paraqitur nga i afërmi i tij pranë Sportelit Unik me qëllim lëshimin e vizës së hyrjes. Brenda tetë ditësh nga hyrja në Itali, familjari duhet të paraqitet pranë Sportelit Unik që ka lëshuar miratimin (nulla osta-n), i cili plotëson dhe dorëzon modulin e kërkesës për leje qëndrimi; përndryshe familjari konsiderohet me qëndrim të parregullt në territorin kombëtar. Leja e qëndrimit për motive familjare do t i mundësojë të kryejë aktivitete punësimi, si punëmarrës apo i vetëpunësuar, të regjistrohet në kurse shkollorë apo të ketë qasje ndaj Shërbimit Kombëtar Sanitar.

Kur lëshohet leja e qëndrimit për motive familjare

1. të huajit që ka hyrë në Itali me vizë për ribashkim familjar, apo me vizë shoqëruese të familjarit, apo me vizë hyrjeje për ribashkimin me fëmijën e mitur. Kërkesa për lëshimin apo ripërtritjen e lejes së qëndrimit refuzohet dhe anulohet leja e qëndrimit nëse provohet se martesa apo adoptimi kanë ndodhur me qëllimin ekskluziv për t i mundësuar të interesuarit qëndrimin në territorin e shtetit;
2. të huajit (qoftë edhe në situata të parregullta) që bashkëjeton me të afërmit e brezit të katërt apo me bashkëshort/e italian/e për të cilët nuk zbatohet një masë dëbimi (Neni 19 i Tekstit Unik mbi Imigrimin). Kjo leje qëndrimi nuk shndrrohet/konvertohet në leje të titullit tjetër, të ndryshëm;
3. familjarit të huaj të një refugjati.Në këto raste përjashtohet zotërimi i një lejeje të vlefshme qëndrimi nga ana e familjarit;
4. familjarit të huaj që qëndron rregullisht dhe plotëson kërkesat për ribashkim me shtetasin e huaj që qëndron rregullisht në Itali. Në këtë rast, leja e qëndrimit së familjarit konvertohet në leje qëndrimi për motive familjare. Konvertimi mund të kërkohet brenda një viti nga data e skadencës së titullit të qëndrimit, që zotërohet si fillim nga familjari;
5. prindit të huaj edhe natyror që të të miturit italian që qëndron në Itali. Në këtë rast leja e qëndrimit për motive familjare lëshohet edhe duke dalë nga detyrimi i zotërimit të një lejeje të vlefshme qëndrimi me kusht që prindi kërkues të mos jetë i privuar nga pushteti familjar, sipas ligjit italian.

Vërtetimet
Familjari për të cilin kërkohet ribashkimi duhet që nga ana e tij të paraqesë pranë autoriteteve italiane konsullore të akredituar në vendin ku banon, dokumentacionin që provon marrëdhëniet familjare, moshën e mitur, apo gjendjen shëndetësore. Atje ku nuk mund të provohen marrëdhëniet familjare, në mënyrë të sigurtë, përmes certifikatave, apo vërtetimeve të lëshuara nga autoritetet kompetente të huaj, për arsye të mungsës së një autoriteti të njohur, apo sidoqoftë kur ka dyshime të arsyeshme mbi autenticitetin e dokumetacionit si më sipër, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore kujdesen për lëshimin e certifikatave bazuar në ekzaminimin e ADN-së, të kryer me shpenzimet e të interesuarve.

Të ardhurat që kërkohen sipas numrit të anëtarëve të familjes
Për të ardhurat duhet të realizohet një e ardhur vjetore nga burime të ligjshme, jo më e vogël se shuma vjetore e çekut social, e rritur me gjysmën e tij për çdo familjar me të cilin kërkohet ribashkimi. Për ribashkimin me dy a më shumë fëmijë nën moshën 14-vjeçare apo me më shumë familjarë të titullarëve të statusit të mbrojtjes së përkohshme do të jetë e domosdoshme një e ardhur jo më e vogël se dyfishi i çekut social vjetor. Shembuj të të ardhurave, sipas numrit të familjarëve që ribashkohen:
1. vetëm një familjar, e ardhura minimale 7.976.48 ( baraz me 5.317,65 që është shuma e çekut social për 2009 plus 2.658,85 €, pra gjysma e çekut social);
2. dy familjarë, e ardhura minimale 10.635,30 €;
3. dy a më shumë fëmijë nën moshën 14-vjeç, e ardhura minimale 10.635,30 €;
4. tre familjarë, e ardhura minimale 13.294,75 €;
5. dy a më shumë fëmijë nën moshën 14-vjeç + 1 familjar mbi 14-vjeç, e ardhura minimale 13.294,75 €;
6. katër familjarë, e ardhura minimale 15.953,00 €.
Me qëllim përcaktimin e të ardhurave të kërkuesit për ribashkim familjar është e domosdoshme të merren parasysh edhe familjarët që janë ribashkuar më parë në ngarkim të kërkuesit. Sipas normave në fuqi (Neni 29, pika 3, gërma b e Tekstit Unik) për përcaktimin e të ardhurave merret parasysh edhe e ardhura vjetore komplekse e familjarëve që bashkëjetojnë me kërkuesin. Në rastin e kërkesës për miratimin (nulla osta) për ribashkimin me fëmijë të rritur që janë prekur nga invaliditeti i plotë, kushti “në ngarkim” vlerësohet nga përfaqësia diplomatike italiane në vendin e origjinës, apo të prejardhjes, pasi janë vërtetuar motivet shëndetësore që përcaktojnë paaftësinë për punësim të këtyre fëmijve. Në mënyrë analoge, në rastin e kërkesës për miratim (nulla osta) për ribashkimin me prindër mbi 65-vjeç, sakohë që fëmijë të tjerë, që qëndrojnë në vendin e origjinës janë të pamundur për mbajtjen e tyre për motive të rënda, të dokumentuara shëndetësore, kushti “në ngarkim” vlerësohet nga përfaqësia diplomatike italiane, pasi është vërtetuar gjendja shëndetësore e fëmijve në fjalë. Veç kësaj, për prindërit mbi 65-vjeç do të kërkohet sigurim shëndetësor i detyrueshëm, apo një tjetër i tillë i përshtatshëm, që garanton mbulimin e të gjithë rreziqeve në territorin kombëtar apo regjistrimin në Shërbimin Kombëtar Sanitar, përmes pagesës së një kontributi, që do të përcaktohet me dekret të ministrisë së Punës, Shëndetit dhe Sigurimeve Shoqërore, në marrëveshje me ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, që duhet të ishte bërë zyrtar deri më 30 tetor 2008 me skadencë dyvjeçare. Në rastin e kërkesës për miratim (nulla osta) për ribashkimin familjar me prindër në ngarkim që nuk kanë fëmijë në ngarkim në vendin e origjinës apo të prejardhjes, kushti “në ngarkim” duhet provuar nga vetë kërkuesi përmes autocertifikimit të përshtatshëm në të cilin familjari deklaron nën përgjegjësinë e tij se prindërit janë të varur ekonomikisht nga ai.

Përfitimet nga leja e qëndrimit

Leja e qëndrimit për motive familjare mundëson:
1. qasjen ndaj shërbimeve socio-sanitare dhe të asistencës;
2. regjistrim në kurse studimi apo formimi profesional;
3. regjistrimin në listat e qendrave të punësimit, kryerjen e punës si punamarrës apo i vetëpunësuar (gjitha këto duke respektuar moshën minimale për ushtrimin e aktiviteteve të punësimit).

Raste të refuzimit
Në miratimin e vendimit të dëbimit (kufizuar me masa administrative për hyrje të paligjshme apo në mungesë të lejes së qëndrimit), apo të vendimit për refuzimin e lejes së qëndrimit, lëshimit, anulimit apo refuzimin e ripërtëritjes së lejes së qëndrimit ndaj të huajit që ka ushtruar të drejtën e ribashkimit familjar, apo të familjarit të ribashkuar, sipas Nenit 29 merren parasysh natyra dhe efektiviteti i lidhjeve të familjarit të interesuar dhe të ekzistencës së lidhjeve familjare dhe sociale me vendin e origjinës, si dhe të të huajit, tashë të pranishëm në territorin kombëtar, por edhe kohëzgjatja e qëndrimit në territorin kombëtar.

Ky lajm është publikuar: 05/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›