E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëzimi, mijëra makina luksoze të sekuestruara dalin në ankand publik

Udhëzimi, Rezerva e Shtetit nis vlerësimin e makinave. Në komisariate ndodhen makina luksoze të bllokuara në vite, duke filluar që nga viti 1991
Erald Kapri

Kuvendi miratoi një projektligj “Për ankandin publik”, i cili do t’i hapë rrugën shitjes së mijëra pasurive shtetërore në vlera qoftë edhe minimale. Një histori e vjetër është ajo e makinave të sekuestruara nga Policia e Shtetit të cilat që nga viti 1991 numërohen me mijëra por që, fatkeqësisht, mungesa e ligjit ka bërë që ato të përfundojnë për skrap, të shpërdorohen, të vidhen për pjesë këmbimi apo të abuzohet edhe nga instancat shtetërore. Aktualisht, në komisariatet e policisë në mbarë vendin numërohen mbi 8 mijë makina, nga të cilat një numër jo i vogël, prej disa qindrash, janë luksoze dhe mund të vlejnë miliona dollarë. Situata duket se po merret seriozisht nga qeveria, e cila do të bëjë një vlerësim të të gjithë kësaj pasurie kriminale të sekuestruar, por me mjaft vlerë për shtetin.
Udhëzimi
Drejtori i Rezervave të Shtetit, Hysen Arapi, në një bisedë për gazetën “Albania” shpjegon të gjithë kalvarin e kësaj problematike. Sipas drejtorit Arapit, Rezervat e Shtetit disponojnë vetëm disa dhjetëra makina, të cilat janë në gjendje të mirë por jo luksoze. Drejtori Arapi shpjegon se pavarësisht se janë sekuestruar mijëra makina, ato qëndrojnë në komisariate si të sekuestruara ende dhe jo të kaluara në pronësi të shtetit. “Tashmë na ka ardhur një udhëzim nga ministri i Brendshëm. Do të ngrejmë një grup pune të përbashkët dhe do të vlerësojmë të gjitha makinat që ndodhen në komisariatet e policisë”, shprehet drejtori Arapi. Miratimi i ligjit të ri i ka hapur rrugën procesit që këto makina të mos qëndrojnë më në komisariate si të sekuestruara, por të kalojnë në administrimin e Rezervës së Shtetit dhe falë ligjit të ri mund të dalin në ankand publik. “Aktualisht makinat përdoren vetëm nga shteti për qëllimet e tij dhe vetëm me firmën e zëvendëskryeministrit ato mund të kalojnë në përdorim të një institucioni”, - thotë Arapi. Prej vitesh, ministrat kanë blerë makina të reja, por faktikisht nuk ka pasur nevojë pasi policia ka sekuestruar me dhjetëra makina të tipeve nga më luksozet dhe nga më të fundit, por që procedurat e stërzgjatura të tyre kanë bërë që këto makina të konsiderohen provë materiale edhe pas përfundimit të gjyqeve dhe në jo pak raste shumica e tyre janë shpërdoruar. Nuk është çudi që në inventaret e komisariateve të ketë makina të shënuara si luksoze, por gjatë qëndrimit të tyre atje ato mund të kenë përfunduar edhe për skrap.
Inventari
Policia e Shtetit ka në disponim me mijëra makina të sekuestruara që nga viti 1991, por shumica e tyre kanë përfunduar në fabrikat e hekurit. Ndonëse janë sekuestruar makina luksoze nga grupet kriminale, makina të vjedhura etj, në mungesë të ligjit por edhe zvarritjeve të procedurave, ato thjesht kanë qëndruar në oborret e komisariateve dhe kanë përfunduar për skrap. “Ne kemi nisur një korrespondencë me Prokurorinë, ia kemi ngritur si problem edhe kryeministrit, ku kemi kërkuar që makinat e sekuestruara të kalojnë në pronësi të shtetit dhe të miradministrohen pasi janë një pasuri e konsiderueshme”, - shprehet Hysen Arapi. Konstatimi i drejtorit tregon që ka një pasuri, e cila po shpërdorohet dhe që në vite është shpërdoruar. Natyrisht që lind pyetja se pse ka ndodhur një gjë e tillë. Përgjigjja që japin autoritetet është se faji ka qenë i procedurave. Ligji përkatës përcakton qartë se sekuestro të pasurisë mund të kërkohen vetëm në ato raste kur ka të dhëna se mund të jenë drejtpërdrejt ose tërthorazi në zotërim të personit që është në hetim. Prokurori i çështjes merr përsipër të paraqesë prova se pasuritë e të arrestuarit apo dhe të të afërmve të tij nuk i justifikojnë të ardhurat financiare të deklaruara që ata kanë pasur. Kjo procedurë ligjore, e thjeshtë në pamjen e parë, në fakt ka bërë që makinat e sekuestruara të konsiderohen si provë materiale në vite duke sjellë shkatërrimin e tyre.

Personat me imunitet kanë kërkuar makina

Aktualisht në Rezervat e Shtetit ndodhen pak makina, por së shpejti do të jenë me mijëra makina të sekuestruara nga aksionet e policisë që prej vitit 1990, të cilat do të nxirren në ankand. Ato nuk janë përdorur të gjitha nga shteti dhe mundësia për t’i shitur në ankand ka munguar nga ana ligjore. Kjo ka bërë që këto makina të ndryshken dhe të kthehen jashtë përdorimit. Për më tepër, ato kanë zënë edhe hapësirat e Rezervës së Shtetit, komisariateve të policisë dhe hapësirave të tjera publike të marra në administrim nga ministria. Prej vitesh, makinat në Rezervën e Shtetit janë përdorur nga administrata për nevojat e veta. Administrata shtetërore, por edhe njerëz me imunitet, si deputetët e Kuvendit, kanë bërë kërkesë për t’u pajisur me makina të sekuestruara. Pavarësisht kërkesave të tyre, mundësia e pajisjes me makina luksoze ka qenë e paktë dhe pushtetarë të kupolës së shtetit kanë preferuar të blejnë makina të reja se sa të pajisen me makina që i ka sekuestruar shteti që ata drejtojnë, duke shtuar shpenzimet në kurriz të taksapaguesve. Policia e Shtetit ka vështirësi në sistemimin e një makine të sekuestruar, pasi mungojnë hapësirat për sistemimin e tyre. Nga ana tjetër, mospasja e një ligji të qartë për të përdorur këto makina ka bërë që Rezerva të ketë makina të depozituara që prej 18 vitesh. Kjo ka bërë që policia ta ketë të vështirë që të sistemojë një makinë të sekuestruar, pasi nuk ka mjedise.

Trafiku i makinave, nga më të sofistikuarit

Shqipëria është nominuar prej vitesh si një vend që ka probleme me trafikun e makinave të vjedhura, kryesisht luksoze. Vjedhja e tyre është e sofistikuar në mënyrë tepër të lartë sa shtetet perëndimore kanë pasur probleme të shumta. Pavarësisht se vjedhjet kanë qenë të larta në Perëndim, ato janë parë me një seriozitet të madh nga shtetët e BE-së duke parë që të penalizuarit e vetëm kanë qenë vetëm kompanitë e sigurimeve. Në një shtet perëndimor një person e shet makinën dhe më pas e denoncon si të vjedhur për të përfituar nga siguracioni i saj. Kjo ka vënë në vështirësi kompanitë e sigurimeve, njëkohësisht edhe Interpolin, i cili ka njësi të veçanta për të luftuar këtë trafik shumë fitimprurës. Ndryshe nga vite më parë, Shqipëria ka pasur përmirësime në luftën e këtij trafiku. Gjithsesi, në rrugë ka mjete të shumta të vjedhura që qarkullojnë lirshëm dhe të zotët e tyre nuk janë penalizuar. Krahas dënimit të autorit të vjedhjes, duhet të dënohet edhe kundërvajtësi, i cili ka në përdorim këtë makinë. Pak kohë më parë, edhe doganat kanë bërë të ditur se ka probleme serioze përsa u përket vjedhjeve të makinave. Sipas deklaratës së zëvendësdrejtorit të Doganave, Vukaj, nga 118 autovetura "BMW X5" që qarkullojnë në Shqipëri, vetëm 13 prej tyre kanë dokumente të rregullta dhe ato i përkasin trupit diplomatik ose janë të importuara nga shoqëria koncesionare. Vukaj sqaron se 16 makina të tilla janë pajisur me targa pa u zhdoganuar fare dhe se 89 të tjerat janë zhdoganuar me dokumente false të makinave të tipeve të tjera që kushtojnë më lirë. “Është një trafik i mirorganizuar. Janë pika doganore të veçanta që kanë bërë zhdoganimin posaçërisht, ashtu siç janë direktivat e qarkullimit rrugor që kanë mundësuar pajisjen me targa në qytete të caktuara. Falsifikimi i këtyre veturave është bërë nga noterë. Sipas burimeve tona, këta që bëjnë këto veprime janë pjesë e një kriminaliteti të egër”, - ka deklaruar Vukaj.

Policia, aksion për makinat e vjedhura

Ndërhyrjet që do të kryejë policia do të kenë edhe një tjetër objektiv, atë të përmirësimit të situatës aktuale në të cilën ndodhet pjesa e qarkullimit rrugor. Burime në Ministrinë e Brendshme konfirmojnë për gazetën se do të nisë një aksion i gjerë për bllokimin e makinave të vjedhura dhe ky aksion do të ndihmohet edhe nga ndryshimet ligjore. Me përcaktimin e afateve për mbajtjen e makinave për kundërvajtje administrative pritet që situata të normalizohet. Policia e Shtetit po bëhet gati për një aksion të gjerë për sekuestrimin e makinave të vjedhura. Ministria e Brendshme po përgatit ndryshimet ligjore për të hapur rrugën e plotë të bllokimit të çdo makine luksoze që bredh në rrugë e vjedhur. Me ligjin e ri “Për ankandin publik”, do t’i hapet rruga zbrazjes së komisariateve nga makinat e bllokuara që ndodhen aty që nga viti 1991 dhe do të mbushen këto sheshe me makina që do të sekuestrohen gjatë aksionit. Ndryshimet ligjore do të kenë parasysh edhe detajet me të imta, të cilat do të krijojnë hapësirën e mundshme për të goditur trafikantët e makinave të luksit që qarkullojnë të vjedhura. Do të ketë sanksione edhe për kundravajtësit, të cilët të ndërgjegjshëm i përdorin këto makina.

16 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›