LSI, kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike
Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim, Adriana Civici, reagoi dje ndaj vendimit më të fundit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Civici tha se pas rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, dhe veçanërisht bukës, rritja e çmimit të energjisë elektrike do të sjellë pasoja të rënda sociale për shqiptarët.
"Rritja e fundit e çmimit të energjisë elektrike rëndon më tej jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë", tha Civici. Sipas saj, shkaku i rritjes së çmimit të energjisë është i lidhur me dështimin e qeverisë në këtë sektor. "Qeveria në vend që të marrë masa për rritjen e të ardhurave të KESH-it, duke përmirësuar performancën aq shumë të kontestuar edhe nga ndërkombëtarët, me këtë rritje çmimi legjitimoi fenomenin e vjedhjes së energjisë nga kundravajtësit. Deri më sot energjinë e paguajnë vetëm 35 për qind e qytetarëve, të cilët me këtë rritje të re do të paguajnë edhe energjinë e 70 për qind të popullatës që realisht nuk paguan", tha Civici.
16 Shkurt 2008