Udhëzimi, verifikimi dhe shqyrtimi i tokave bujqësore dhe turistike
Qeveria përcaktoi procedurat e verifikimit të dokumenteve të pronësisë për të gjitha tokat e ish-Ndërmarrjeve Bujqësore dhe zonat e destinuara për zhvillimin e turizmit. Dje është miratuar udhëzimi, i cili plotëson kuadrin ligjor dhe rregullator të punës së Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë, i ngritur që në gushtin e vitit 2008. Në dokumentin që miratoi dje Këshilli i Ministrave jepen në detaje mënyra e verifikimit apo e shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi sipërfaqet e tokave që janë shpërndarë tek ish-NB-të dhe tokat turistike. Në rastet kur konstatohet se ish-komisionerët kanë shkelur ligjin, Komisioni Vendor i ngritur për të bërë një proces të tillë, paraqet kallëzim për ndjekje penale. Në rastet kur prona është marrë në rrugë të ligjshme, pronari merr një dokument të ri që fakton edhe një herë vlefshmërinë e pronës. Ky dokument shkon edhe në Hipotekë dhe një kopje tjetër futet në regjistrin që do të ngrejë komisioni vendor.
Verifikimi sipas udhëzimit
Komisioni vendor i verifikimit të titujve të pronësisë, me nismën e vet, ushtron kontrolle të drejtpërdrejta e të plota mbi veprimtarinë dhe veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës, të të gjitha niveleve në procesin e ndarjes së tokës bujqësore, për: sipërfaqet e tokave të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore dhe sipërfaqet në zonat e zhvillimit me përparësi turizmin, të përcaktuara në ligjin e vitit 1993. Sipas udhëzimit, drejtori i komisionit vendor përgatit urdhrin e kontrollit, i cili miratohet nga prefekti i qarkut. Në urdhër përcaktohen: objekti i kontrollit, territori i komunës, fshatit, sektorit të ish-NB-së apo zona e zhvillimit me përparësi turizmin për fshatin përkatës. Po ashtu, në urdhër thuhet edhe “qëllimi i kontrollit dhe verifikimi i vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore nga ish-komisionet e tokës të të gjitha niveleve. Pika të tjera të urdhrit janë edhe: përbërja e grupit të kontrollit me anëtarë të Komisionit Vendor; afati i kryerjes së kontrollit dhe afati i dorëzimit të raportit përfundimtar të kontrollit dhe të projektvendimeve, që do të paraqiten për miratim në komisionin vendor. Për mbledhjen e dokumentacionit që do të futet në filtrin e kontrollit, kreu i komisionit vendor, së bashku me prefektin iu paraqesin një kërkesë institucioneve të mëposhtme:
Zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme; seksionit të administrimit dhe mbrojtjes së tokës, në këshillin e qarkut; kryetarit të komunës apo bashkisë dhe Seksionit të urbanistikës, në këshillin e qarkut. Po ashtu, kërkesa iu drejtohen edhe Arkivës së Shtetit dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore. (Shih kërkesat janë të veçuara).
Procesi i shqyrtimit
Në momentin që merren përgjigje nga të gjitha institucionet për kërkesat që kanë përgatitur kreu i komisionit vendor në bashkërendim me prefektin, nis procedura e shqyrtimit të vlefshmërisë së tokës bujqësore apo truallit në zonën turistike.
Në rastet kur aktet e pronësisë janë krijuar në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligj, atëherë, Komisioni Vendor, me vendim, deklaron vlefshmërinë ligjore të krijimit të këtyre akteve dhe përgatit, për këtë, dokumentin e ri për rikonfirmim, sipas modelit që është përgatitur në bazën e udhëzimit. Ky dokument përgatitet në tri kopje, të cilat iu jepen Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme, pronarit të truallit dhe kopja e tretë ruhet në dosjen e komisionit vendor. Ky komision parashikohet të mbajë një regjistër të veçantë për të gjitha aktet e marrjes së tokës në pronësi, të rikonfirmuara pas procedurave të verifikimit dhe shqyrtimit.
Udhëzimi parashikon edhe rastet kur aktet e pronësisë janë marrë në kundërshtim me ligjin, apo janë akte kur kanë respektuar pjesërisht kuadrin ligjor për pajisje me tokë.
Komisioni Vendor vendos, si më poshtë vijon:
a) Kur cenohet interesi shtetëror, për pavlefshmërinë ligjore të pjesshme të titullit të pronësisë dhe i drejtohet gjykatës me kërkesë për deklarimin e pavlefshmërisë së pjesshme të aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, shfuqizimin e pjesshëm të tij dhe kthimin e pronës në pronësi të shtetit, në përputhje me nenet 9 e 10, të ligjit të sipërpërmendur.
b) Kur cenohet interesi i familjes bujqësore, në favor të së cilës është lëshuar akti i marrjes së tokës bujqësore në pronësi, plotësimin e tij. Vendimi titullohet “Vendim për plotësimin e aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi” dhe përgatitet në tri kopje origjinale, të cilat iu jepen zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme, përfaqësuesit me prokurë të familjes bujqësore dhe një kopje mbahet në dosjen e përkatëse të komisionit vendor.
Komisioni vendor është i detyruar që për të gjitha aktet e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, për të cilat vendos plotësimin e tyre, të mbajë një regjistër të veçantë.
Në asnjë rast, plotësimi i mangësive apo parregullsive të aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, nuk mund të synojë: ndryshimin e gjendjes juridike të pronësisë;
shtimin e sipërfaqes së tokës bujqësore mbi sipërfaqen e përcaktuar në aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi; ndryshimin e vendndodhjes së ngastrave të përcaktuara në aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi. Në rastet kur konstatohet se ish-komisionerët vendore të ndarjes së tokave gjatë viteve të kaluara kanë shkelur ligjin, atëherë Komisioni Vendor ka përgjegjësi të bëjë kallëzim penal në organet e drejtësisë.
Në përfundim të çdo procesi verifikimi apo shqyrtimi të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, hartohet raporti përfundimtar i kontrollit, për sipërfaqen, objekt i kontrollit, një kopje e të cilit i dërgohet sekretariatit teknik për t’u paraqitur në Komisionin Qeveritar të Tokës, së bashku me vendimet përkatëse. Udhëzimi i jep kompetenca shtesë komisionit vendor. Ai ndjek të njëjtën procedurë kontrolli edhe në rastet e kontrollit të veprimtarisë e të veprimeve të kryera nga ish-komisionet e tokës të të gjitha niveleve, në procesin e ndarjes së tokës bujqësore, edhe për sipërfaqe të tjera të tokës bujqësore, që nuk plotësojnë kushtet e përcaktuara në këtë udhëzim, por duhet të kontrollohen si rezultat i informacioneve të ndryshme, të paraqitura nga institucionet shtetërore, veprimtaria e të cilëve lidhet me pronësinë mbi tokën bujqësore.
Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Ministri i Brendshëm, i Drejtësisë, i Bujqësisë, dhe Komisioni Qeveritar i Tokës, i cili ndjek zbatimin e këtij udhëzimi për institucionet në varësi të tyre. Po ashtu, ngarkohet edhe sekretariati teknik, pranë Komisionit Qeveritar të Tokës, dhe komisionet vendore të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore.
PROCEDURA E VERIFIKIMIT
1- Kërkesat e Komisionit vendor për ZRPP
a) lista e akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi që disponon, sipas modelit të paraqitur në lidhjen “A”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi, për sipërfaqen, objekt i kontrollit;
b) fotokopja e listës së akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi dhe e hartave treguese të regjistrimit që disponon, për të cilat do të kryhet verifikimi apo shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore;
c) gjendja juridike e pronësisë së ngastrave, sipas listës të përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, për të cilat do të kryhet verifikimi apo shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore, sipas modelit të paraqitur në lidhjen “A”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi.
ç) çdo dokumentacion tjetër në lidhje me to, kur komisioni vendor e vlerëson të nevojshëm për shqyrtimin administrativ.
Me marrjen e kërkesës së komisionit vendor, zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen, objekt i kontrolli, nuk do të regjistrojë asnjë akt dhe nuk do të japë asnjë shërbim për aktet e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, që, në ndonjë rast, nuk janë përfshirë në listën sipas lidhjes A, pa e përcjellë më parë në komisionin vendor për verifikim.
2- Kërkesat e komisionit vendor për SAMT në Këshillin e Qarkut
a) të dhëna për sipërfaqen e tokës bujqësore, e vënë në dispozicion për t’u ndarë sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore;
b) të dhëna për normën e tokës bujqësore në m2 për frymë sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore, duke përcaktuar treguesit e domosdoshëm, në përputhje me vendimin nr.255, datë 2.8.1991, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e ndarjes së tokës bujqësore”, të ndryshuar;
c) kopja e njësuar me origjinalin e dokumentacionit (vendimet) për veprimtarinë e veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës të fshatrave, të komunës, të këshillit rrethit e të këshillit të qarkut, në procesin e ndarjes së tokës, për të gjithë periudhën e funksionimit, që disponon;
ç) hartat (në shkallën 1:5000) dhe regjistrat kadastralë (librat e ngastrave), të datës 1.8.1991, sipas fshatrave, për ish-kooperativat bujqësore dhe për ish-ndërmarrjet bujqësore, territoret e të cilave janë objekt i këtij kontrolli;
d) lista e pronarëve themelues për fshatrat e ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe dosja e dokumentacionit, në bazë të së cilës është provuar qenia “themelues”.
(Seksioni i administrimit dhe mbrojtjes së tokës, në këshillin e qarkut, me marrjen e kërkesës së komisionit vendor për sipërfaqen, objekt kontrolli, nuk do të dërgojë asnjë akt të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, për regjistrim në zyrën vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, por do ta dërgojë atë, paraprakisht, për verifikim në këtë komision).
3- Kërkesat e komisionit vendor për komunën ose bashkinë
a) të dhëna për sipërfaqen e tokës bujqësore të vënë në dispozicion për t’u ndarë, sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore (hartat në shkallën 1:5000 dhe librat e ngastrave);
b) të dhëna për numrin e frymëve sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore (nga regjistrat e zyrës së gjendjes civile);
c) lista e anëtarëve të ish-kooperativës bujqësore kur ish-tokat e saj shtrihen në zonën e zhvillimit me përparësi turizmin, si dhe lista e punonjësve të ish-ndërmarrjes bujqësore (sipas regjistrave që disponon arkivi i komunës);
d) të dhëna për normën e tokës bujqësore në m2 për frymë, sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore, duke përcaktuar treguesit e domosdoshëm, në përputhje me vendimin nr.255, datë 2.8.1991, të Këshillit të Ministrave, (sipas formularëve të udhëzuesit teknik të ministrit të bujqësisë, datë 17.8.1991);
e) kopja e njësuar me origjinalin e dokumentacionit (vendimet) për veprimtarinë e veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës të fshatrave dhe të komunës, në procesin e ndarjes së tokës, për të gjithë periudhën e funksionimit, që disponon;
e) lista e pronarëve themelues për fshatrat e ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe dosja e dokumentacionit, në bazë të së cilës është provuar qenia “themelues”;
f) çdo informacion tjetër që do të gjykohet nga komisioni vendor i nevojshëm për kryerjen e plotë të kontrollit.
4- Kërkesat e komisionit vendor për Urbanistikën në Këshillin e Qarkut
a) harta e zonës së zhvillimit me përparësi turizmin, e përcaktuar sipas ligjit nr.7665, datë 21.1.1993, të ndryshuar, dhe akteve nënligjore, dalë në zbatim të tij.
b) harta e vijës kufizuese të ndërtimit për secilin fshat, objekt i kontrollit.
5- Kërkesat e komisionit vendor për Arkivin e Shtetit
Zyrës rajonale të Arkivit të Shtetit, ku i kërkohet dokumentacioni që disponon për ndarjen e tokës bujqësore, për sipërfaqen, objekt i kontrollit.
6- Kërkesat e komisionit vendor për ISSH-në
Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku i kërkohet të konfirmojë, për përfituesit e tokës bujqësore, qenien apo jo, më 1.8.1991, anëtarë të ish-kooperativës bujqësore, apo më 1.10.1992, punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore, sipas akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, për të cilët do të kryhet shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore.
14 Janar 2010