Pranga 8 të rinjve, përgjegjës për 7 vjedhje
KAVAJË - Tetë persona në pranga, të akuzuar për më se 7 vjedhje të regjistruara nga policia. Bëhet fjalë për 8 persona të cilët janë vënë në prangat e Policisë së Kavajës pas një operacioni që bazohej në dokumentimin e një sërë vjedhjesh të realizuara nga bashkëpunimi mes tyre. Lajmi konfirmohet nga burimet policore të Tiranës, të cilat pohojnë se të ndaluarit janë: Lulëzim Kalaja, 32 vjeç, lindur në Kryevidh të Kavajës dhe banues në Vlorë; Elvis Kalaja, 24 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje; Jodjan Shametaj, 19 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë; Gramoz Shehaj, 18 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje; Ilirian Mukaji, 30 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje; Vllasi Furxhi, 20 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë; Klodian Gabaj, 30 vjeç, lindur dhe banues në Orikum si edhe Beslinda Lile, 20 vjeç, lindur dhe banuese në fshatin Babicë ë Madhe, e dënuar më parë për vjedhje së cilës i është lënë aktualisht masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Nga hetimet e bëra rezulton se këta persona janë autorë të vjedhjeve të realizuara më 14 tetor të vitit të kaluar në Spille të Kavajës ku dyshohet se kanë realizuar me thyerje lokalin e një personi duke i marrë sendet elektro-shtëpiake. Ndërsa në datën 16 tetor në zonën e plazhit Golem Kavajë, kanë realizuar me thyerje vjedhjen e një tjetër lokali duke vjedhur një televizor plazma dhe disa shishe pije alkoolike. Ky grup kriminal ka kryer me tendencë edhe vjedhjet e disa banesave dhe lokaleve në periudha të ndryshme kohore në qytetin e Kavajës. Më datë 21 tetor 2009, këto shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kapur në flagrancë përgjatë autostradës Kavajë-Rrogozhinë, duke vjedhur karburant në makineritë e firmës “Salillari”. Gjithashtu po i njëjti grup rezulton si autor të vjedhjes së lokalit në pronësi të një vjedhje e ndodhur më datë 04 nëntor 2009 në fshatin Vile - Boshtovë, të rrethit Kavajë, duke vjedhur të gjitha pajisjet e lokalit. Po i njëjti grup janë evidentuar edhe si autorë të vjedhjes së automjetit tip Benz, 240 me TR 5876A, me dt 10.10.2009 në fshatin Mamzotaj, Kavajë në pronësi të një shtetasi. Dyshohet se autorët e mësipërm kanë realizuar edhe vjedhjen e një motori tip “Pezho”, vjedhur në qytetin e Vlorës në pronësi të një shtetasit, mjet i sekuestruar në cilësinë e provës. Së fundmi, dyshohet se më datë 11 janar 2010, kanë realizuar vjedhjen e një banese ku kanë marrë disa televizor plazma, një sërë pajisjesh hidraulike dhe kuzhine, artikuj të ndryshëm ushqimorë etj. Tashëm materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Kavajës për veprën penale të “vjedhjes kryer në bashkëpunim”.
TË ARRESTUARIT PËR VJEDHJE
Lulëzim Kalaja, 32 vjeç
Elvis Kalaja, 24 vjeç
Jodjan Shametaj, 19 vjeç
Gramoz Shehaj, 18 vjeç
Ilirian Mukaji, 30 vjeç
Vllasi Furxhi, 20 vjeç
Klodian Gabaj, 30 vjeç
Beslinda Lile, 20 vjeç
Qafë-Gjashta
Dëshmitari: “Banorët u irrituan se thanë që Berisha do të pushtonte jugun”
TIRANË - Niko Shehaj, i afërmi i Eduart Alisë dëshmoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda se i ishte dashur të negocionte me Zani Çaushin për të nxjerrë nga spitali policin Aliaj që ishte dhe afërmi i tij. Sipas dëshmisë, polici Aliaj i kishte treguar se në momentin kur ishin ndodhur përballë turmës në Qafë Gjashtë, polici Sokol Bizhga kishte hedhur një granatë për të shpërndarë turmën. Më pas, tregoi se Aliaj i kishte thënë se në Sarandë ishin irrituar pasi kishin dëgjuar se Sali Berisha do të sillte forca për të pushtuar jugun. Në procesin e djeshëm u paraqit vetëm një dëshmitar dhe për këtë arsye pas dëshmisë së Shehajt, seanca e radhës u la për javën tjetër. Të pandehurit e këtij procesi janë Vladimir Sinani, Eduart Çipa, Alqi Paguni, Admond Sejko, Agron Qurku, Aleksandër Bala, Mikel Këndezi, Nestor Sinani, Arben Këndezi dhe Ristan Lapa. Të pandehurit akuzohen për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera të cilësuara”, “vrasje e mbetur në tentativë”, “plagosje e rëndë me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas prokurorisë, më 4 mars 1997, disa efektivë të policisë së Vlorës, Gjergj Mehmeti, Sokol Bizhga, Myzafer Blushi dhe Eduart Aliaj, kanë rënë në një pritë të armatosur në vendin e quajtur Qafë-Gjashta. Ata po ktheheshin drejt Vlorës, pasi nuk kishin mundur të rivinin në funksion Komisariatin e Policisë së Sarandës.
Vetëvritet aksidentalisht me pistoletën e të atit
POGRADEC - Një 18-vjeçare është vetëvrarë me pistoletën e të atit në mënyrë aksidentale. Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur në fshatin Zërvaskë të Pogradecit ku viktima është banuese e tij me inicialet D.Xh. Grupi hetimor që ka shkuar menjëherë në vendngjarje ka bërë me dijeni ajo ka hyrë për të studiuar në dhomën e gjumit të prindërve dhe më pas ka marrë pistoletën e të atit, i cili është efektiv i komisariatit të policisë së Pogradecit duke u vrarë në mënyrë aksidentale. Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për ngjarjen në fjalë, ndërsa materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Pogradecit për hetime të mëtejshme.
14 Janar 2010