E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen italianët e vjedhjes së bankomatëve, u tradhtuan nga kamerat

Operacioni “Paterica” sjell arrestimin e Luka Kalvit dhe Gabriele Paskualinos
Rikthehen grabitjet e parave në banka përmes kartave të kreditit false. Por kësaj radhe, janë dy shtetas të huaj protagonistë të vjedhjes nëpër bankomate, të cilët janë identifikuar dhe kanë përfunduar në pranga. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se gjatë ditës së djeshme u organizua operacioni i koduar me emrin “Paterica”, i cili u finalizua me arrestimin e shtetasve italianë: Luka Maria Kalvi (Luca Maria Calvi), 25 vjeç, dhe Gabriele Paskualino (Gabriele Pasqualino), 25 vjeç, që të dy me banim në Gjenova të Italisë. Sipas tyre, dy italianët ushtronin prej kohësh aktivitetin e paligjshëm të falsifikimit të kartave të kreditit dhe marrjes së lekëve nga bankomatet. Deri dje ata kanë arritur që të bëjnë me qindra transaksione, duke vjedhë një shumë prej 150 milionë lekësh të vjetra, të cilat i kanë kryer në ATM-të e Bankën Intesa San Paolo. Gjatë gjithë kësaj kohe, ata kanë prodhuar mbi 250 karta krediti dhe debiti.

Arrestimi
Luka Maria Kalvi dhe Gabriele Paskualino, dy ekspertë të prodhimit të kartave të kreditit dhe debitit false, kanë ardhur prej kohësh në Shqipëri, duke përfituar nga fakti se sistemi bankar në Shqipëri ka marrë zhvillim kohët e fundit, por ende nuk ka hyrë fjala e fundit e teknologjisë në sistemet e sigurisë. Duket se edhe në vendin e tyre të lindjes, dy italianët janë marrë me të njëjtën punë. Ata janë vendosur në Shqipëri, duke u pajisur me kompjuterë dhe programe speciale për thyerjen e kodeve të sigurisë së kartave. Ata kanë shënjestruar Bankën Intesa San Paolo, e cila është filial i bankës mëmë në Itali. Gjatë një periudhe disa mujore Kalvi dhe Paskualino kanë arritur të prodhojnë rreth 250 karta, të falsifikuara, në të cilat futeshin të gjitha të dhënat e kartave të rregullta që përdornin klientët shqiptarë të kësaj banke. Në pamundësi për të tërhequr shuma më të mëdha sesa 300 apo 400 euro në ditë në bankomate, për shkak të rregullave të këtij shërbimi, ata kanë kryer transaksione të shumta për të tërhequr para. Burimet zyrtare pohojnë se gjatë kësaj periudhe është arritur të tërhiqet një shumë prej 15 milionë lekësh, ose rreth 110 mijë euro.

Konstatimi
Në jo pak raste klientët e Bankës Intesa San Paolo janë ankuar se llogaria e tyre ishte zbrazur pa bërë asnjë tërheqje parash. Kjo ka nxitur drejtuesit e bankës që të bëjnë verifikimet dhe të kërkojnë ndihmën e policisë. Sipas të dhënave zyrtare, janë marrë nën kontroll të githa pamjet filmike të kamerave të sigurisë nëpër të gjitha bankomatët (ATM) që ndodhen në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të vendit.
Si rezultat i punës gjurmuese policore këta shtetas u kapën në flagrancë rreth orës 01:00 në një nga ATM-ve të kësaj banke. Nga kontrolli i personave në momentin e kapjes në flagrancë dhe i ambienteve të dhomës së një hoteli luksoz në Tiranë, ku ishin akomoduar këta shtetas, u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale: një kompjuter lap-top me informacionin e plotë për kartat bankare dhe PIN-in e tyre; një pajisje elektronike ‘Memory card reader” që u shërbente për vjedhjen e informacionit të kartave bankare; 19 karta bankare nga të cilat 5 janë pa mbishkrime me informacionin bankar në të; një shumë prej 23 000 euro; një shumë prej 200 000 lekë të tërhequra nga ATM në Tiranë; një makinë e tipit “Chrysler”, ma targë TR7726R, me ngjyrë të zezë si dhe një dosje për kamuflimin e kartave plastike.
Hetimet
Nga hetimet paraprake të policisë dhe grupit hetimor rezulton se ky grup, është rikthyer për herë të dytë në Shqipëri për të ushtruar aktivitetin e tyre kriminale. Policia ende nuk bënë të ditur periudhën e parë të qëndrimit në shtetin tonë, por thekson se kryesisht, ky grup, aktivitetin e tij e ka kryer në kryeqytet. Deri tani është konfirmuar se në degët e Bankës Intesa San Paolo kanë kryer mbi 750 transaksione, nga këto mbi 350 transaksione të suksesshme dhe mbi 400 tentativa. Janë përdorur mbi 250 karta të falsifikuara. Shuma e parave të tërhequra llogaritet mbi 150 milionë lekë të vjetra. Nga ana tjetër, strukturat e Policisë së Shtetit po vazhdojnë hetimet për zbulimin edhe të vjedhjeve të tjera të kryera nga këta shtetas në bankat e vendeve fqinje, gjithashtu janë duke hetuar lidhur me bashkëpunëtor të tyre në vendin tonë. Pak kohë më parë u arrestua edhe një tjetër shtetas italian, i cili kishte falsifikuar një cek në Itali dhe kishte bërë tërheqjen e parave në një bankë italiane që operon në vendin tonë, duke marrë një shumë të konsiderueshme parash. Prej disa vitesh bankat e nivelit të dytë në Shqipëri janë të shqetësuara për rritjen e krimeve të këtij lloji, pasi persona të caktuar, arrijnë që të prodhojnë karta krediti apo debiti false duke arritur të gjejnë kodet e sigurisë së tyre.

Precedenti

“Matrix 4” është emri i operacionit policor që çoj në arrestimin e 17 të rinjve, një vit më parë, të cilët prej muajsh kryenin transaksione bankare ma anë të kartave të klonuara. Hetimi ka filluar pas një denoncimi të bërë nga Banka Amerikane e Shqipërisë, se në disa bankomate të kësaj banke, është konstatuar bllokimi automatik i kartave plastike. Ditët në vazhdim vijuan me denoncime nga një sërë bankash të tjera si “Raifeissen”, “Banka Tirana”, Banka Kombëtare Tregtare etj. Hetuesit bënë të mundur administrimin e informacioneve të para në lidhje me mekanizmin e realizimit të vjedhjes, mbi të cilin u ndërtua dhe operacioni i koduar “Matrix 4” për identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e veprimtarisë së tyre. Hetimet me metoda speciale do të vazhdonin për plot 8 muajt në vijim, derisa u bë i mundur arrestimi i 17 personave, të cilët në mënyrë të strukturuar kryenin aktivitetin kriminal të vjedhjes së bankomatëve, në orë të ndryshme të ditës dhe të natës, në qytetet të ndryshme të vendit me një shumë të përllogaritur rreth 2 milionë euro. Por Gjykata e Tiranës, vendosi dënimin burg vetëm të 3 nga 17 të pandehurit, ndërsa për të tjerët u vendos dënimi me kusht, çka nënkuptoj lirimin e tyre.

14 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›