SHKB vë në pranga 9 efektivë të Policisë Rrugore
Marrja e ryshfeteve kryhej përgjatë aksit rrugor Lushnjë-Fier-Vlorë
Nëntë policë në pranga dhe tetë të tjerë në hetim; ky është bilanci i aksionit të nisur nga ana e SHKB-së dhe Prokurorisë së Fierit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje në mesditë agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, në bashkëpunim me njësinë Task-Force në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, kryen arrestimin e nëntë punonjësve të Policisë së Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Fier lidhur me akuzën e korrupsionit pasiv. Sipas tyre, të ndaluarit janë shtetasit: Arjan Xheka, Bardhosh Malaj, Flamur Derveni, Pëllumb Toro, Pëllumb Çepele, Vladimir Gjini, Leonard Brahimaj, Anesti Gjini dhe Ermir Gjonçe.
Akuzat
Sipas informacioneve paraprake, ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe më shumë se një herë kanë kryer veprën penale të korrupsionit pasiv gjatë shërbimit, përgjatë aksit rrugor Lushnjë-Fier-Vlorë, duke u marrë para drejtuesve të automjeteve në këmbim të mosndëshkimit administrativ për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Për të njëjtën akuzë filluan hetimet në gjendje të lirë edhe për tetë punonjës të tjerë të Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Fier. Policia e Fierit bën të ditur se në hetim janë gjithashtu edhe 35 qytetarë, drejtues automjetesh, të cilët, në kohë të ndryshme kanë kryer veprën penale të korrupsionit aktiv duke u dhënë para këtyre punonjësve të Policisë Rrugore në këmbim të mosndëshkimit administrativ për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Tmerri i shoferëve
Efektivët e ndaluar ditën e djeshme ishin shndërruar në “tmerrin” e shoferëve. Sipas burimeve nga qyteti i Fierit, mësohet se policët e Qarkullimit Rrugor prej disa kohësh ndalonin një numër të madh automjetesh, në shumicën e rasteve pa shkak, duke kërkuar nga shoferët shuma të ndryshme parash për të mos i ndëshkuar me gjobë. Në shumicën e rasteve ndalimet janë bërë për mosvënien e rripit të sigurimit, rastet e të cilave janë edhe më të shpeshtat në vendin tonë. Lidhur më këtë shkelje, efektivët e policisë mësohet se kërkonin ryshfete që varionin nga 500-1000 lekë, për të shmangur vendosjen e gjobës.
Ndër të tjera, në shumicën e rasteve ka ndodhur që shoferë të papajisur me asnjë dokumentacion për drejtimin e automjetit janë lejuar të vazhdojnë rrugën pas ryshfeteve të dhëna policëve. Tashmë materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Fierit për hetime të mëtejshme dhe për zbardhjen e rasteve të tjera të korrupsionit të kryera nga ana e këtyre efektivëve të policisë.
TË ARRESTUARIT
Arjan Xheka
Bardhosh Malaj
Flamur Derveni
Pëllumb Toro
Pëllumb Çepele
Vladimir Gjini
Leonard Brahimaj
Anesti Gjini
Ermir Gjonçe
14 Janar 2010