I vjedh 30 mijë lekë në shtëpi, në kërkim e dashura
KORÇË – Bashkëjetonin prej 3 vitesh, por kthehet në shtëpi dhe i vjedh të dashurit 30 mijë lekë. Ngjarja në fjalë është denoncuar dy ditë më parë në qytetin e Korçës, ku Nedime Bedulla, e datëlindjes 1958, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 8 Korçë, më datë 22.12.2009 ka shkuar në banesën e T. Irahimit, me të cilin ka bashkëjetuar që prej vitit 2007. Pas largimit të saj nga shtëpia, Ibrahimi ka konstatuar se i ishte vjedhur një shumë prej 30 mijë lekësh. I ndodhur përpara kësaj situate dhe duke pasur vetëm një të dyshuar, 54-vjeçari ka denoncuar dy ditë më parë në polici të dashurën e tij duke e akuzuar atë për vjedhjen e lekëve në shtëpinë ku kishin jetuar bashkë prej 3 vitesh. Policia e qytetit juglindor është duke punuar për arrestimin e “të dashurës grabitëse”, e cila është shpallur në kërkim për veprën penalë të vjedhjes.
Gjatë muajve të fundit, në të gjitha qytetet e vendit është vërejtur një rritje e madhe e numrit të grabitjeve. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 10 persona të akuzuar për një sërë grabitjesh të kryera në qytete të ndryshme të vendit. Ndërkohë që vërehet një rritje e numrit të të miturve të ndaluar dhe të lënë sërish të lirë për akuzat e vjedhjeve. Qytetet më të goditura nga kjo valë vjedhjesh kanë qenë Tirana, Durrësi dhe Korça, në të cilat janë shënuar dhe shifra gjithnjë në rritje të të ndaluarve për akuzën e vjedhjes.
Tentoi të kalonte 3 persona në Greqi për 800 euro, pranga trafikantit
GJIROKASTËR – Arrestohet trafikanti i klandestinëve në tentativë për të kaluar 3 persona për në tokën greke. Medin Zeqo, 28 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Sulaj të rrethit Fier, është kapur në afërsi të fshatit Kakavijë, afër kufirit jeshil së bashku me 3 persona të tjerë nga rrethit i Fierit (dy femra dhe një mashkull), të cilët po tentonin për të kaluar kufirin e gjelbër për në shtetin grek në mënyrë të paligjshme. Menjëherë janë shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë për verifikime të mëtejshme. Policia tha se pas një pune profesionale të bërë nga ana e specialistëve të Hetimit të Krimit në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër rezultoi se Zeqo do t’i ndihmonte këta shtetas të kalonin kufirin e gjelbër për në shtetin grek në mënyrë të paligjshme kundrejt fitimit 800 euro për person.
Bllokohen 256 kg marijuanë, pranga 25-vjeçarit
SARANDË – Zbulohen 256 kg marijuanë, arrestohet poseduesi. Policia e qytetit bregdetar bën të ditur se ka arritur të zbulojë një sasi të madhe lëndësh narkotike në vendin e quajtur Qafa e Gjinos pranë qytetit të Delvinës. Policia tha se bllokoi automjetin tip “Hyundai”, veturë me targa të Tiranës, TR 94 87 R, ndërsa ai udhëtonte në rrugën nacionale Gjirokastër – Sarandë. Në vendin e quajtur “Ura e Gajdarit” pranë qytetit të Sarandës, Antidroga i ka zënë pritë makinës së mbushur me drogë pak minuta pasi ishte informuar në rrugë operative për kalimin e ngarkesës me taksi të maskuar. Në momentin që policia i ka bërë thirrje trafikantit të dyshuar që të ndalojë, ai, përkundër urdhrit, ka rritur shpejtësinë në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimit. Pas disa minutash ndjekjeje, Idriz Cela, 25 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë, është arrestuar në kushtet e flagrancës. Në makinë iu gjet sasia e madhe e lëndës narkotike, 25 çanta me totalin prej 256 kilogramësh marijuanë, që kishte si destinacion të dyshuar vendin fqinj, Greqi.
14 Janar 2010