E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzues për këshilla mendore

Pas vdekjes së Gary Speedit vikendin e kaluar, Asociacioni i Futbollistëve Profesionistë (PFA) ka publikuar një udhëzues se si duhet ballafaquar me shëndetin mendor dhe çështjet e stresit. Ai u është shpërndarë ish futbollistëve, ndërsa i njëjti iu ishte dhuruar lojtarëve aktivë në korrik, para fillimit të sezonit 2011/12.

Asociacioni i Futbollistëve Profesionistë (PFA), organ që përfaqëson futbollistët në Angli dhe Uells, u ka dërguar ish-profesionistëve një udhëzues si të ballafaqohen me çështjet e lidhura me shëndetin mendor, pas vdekjes së selektorit të Uellsit, Gary Speed.

Speed, i cili pati mbi 500 paraqitje në Premierligën angleze gjatë 22 viteve të karrierës si futbollist, u gjend i vdekur në shtëpinë e tij të dielën, duke e dërguar në zi futbollin britanik. Edhe pse ende nuk është e ditur nëse Speed vuante nga depresioni ose ndonjë çështje e lidhur me shëndetin mendor, PFA - që është i lidhur me një organ të ngjashëm në Skoci - ka marrë hapin e përgatitjes së “Udhëzuesit të Futbollistëve”, që do të vihet në dispozicion të 50 mijë ish futbollistëve.

Udhëzuesi, që përfshin vizatime komike në stilin e një stripi dhe përmban studime nga lojtarë të dikurshëm, u ishte dërguar futbollistëve aktivë në korrik. “Pavarësisht se a jeni mbret, princ, varfanjak, një yll i madh i sportit ose një njeri në rrugë, çdokush është qenie njerëzore dhe mund të ketë probleme për të cilat kanë nevojë për ndihmë”, tha shefi ekzekutiv i PFA-së, Gordon Taylor, për CNN. Çështja e depresionit në futboll ishte vënë në theks nga vdekja e portierit të Kombëtares gjermane, Robert Enke, i cili ia mori vetes jetën më 2009, pas një lufte të gjatë me sëmundjen.

“PFA do të bëjë edhe më tepër punë në përpjekje të sigurojë se njerëzit të dinë se mund t’i drejtohen dikujt në momente të tilla. Ne të gjithë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi. Vdekja e Garyt është shkatërruese, ne të gjithë duhet të bëjmë gjithçka për të siguruar se një rast i tillë të mos ndodhë më kurrë”, shpjegoi Taylor.

Speed luajti për Leeds United, Everton, Newcastle United dhe Bolton Wanderers në elitën e futbollit anglez para se të kalonte në divizionin e dytë e më pas të udhëhiqte Sheffield Unitedin. Ish mesfushori është futbollisti me më së tepërmi paraqitje në historinë e Uellsit, pasi me reprezentacionin e tij zhvilloi 85 ndeshje.

Si trajner, Speed udhëhoqi Uellsin drejt vendit të 45-të në renditjen botërore, pozita më e lartë e tyre. Një minutë duartrokitje do të mbahet para secilës ndeshje të kësaj fundjave në Premierligën angleze për nder të Speedit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›