Fund me sukses

Andriy Shevchenko njihet si futbollisti më i mirë në histori të futbollit ukrainas. Ai ka bërë të ditur se Euro 2012 në vendlindjen e tij do të jetë gara e fundit me rëndësi të veçantë në karrierën e tij dhe synon të përshëndetet me sukses nga arena ndërkombëtare.
Sulmuesi 35 vjeç i Dynamo Kievit ka kaluar 18 vite të karrierës në Kiev, Milan e Chelsea dhe ka filluar të përgatitet për ngjarjen e madhe të verës së ardhshme, ku beson se bashkë-nikoqiri Ukraina do të organizojë një ngjarje për ta kujtuar.
“Kjo do të jetë gara ime e fundit ndërkombëtare dhe besoj se gjithçka është bërë në mënyrë të përkryer në përgatitje për të”, tha Shevchenko gjatë një interviste për CNN.
“Kjo është përgjegjësi e madhe për ekipin të paraqitet mirë sepse tifozët tanë dhe i gjithë shteti pret nga ne të bëjmë këtë. Do të jetë vështirë për ne dhe do të jetë arritje vetëm të kualifikohemi nga faza e grupeve dhe të kalojmë në çerekfinale, por personalisht ëndërroj kalimin në finale”, shtoi ai.
Shevchenko ka shënuar 46 gola në 105 paraqitje për shtetin e tij dhe nuk ndien presion shtesë për udhëheqjen e ekipit në Euro 2012, pavarësisht se barra e madhe e parashikimeve bie mbi supet e tij.
“Tashmë kam qenë kapiten i ekipit në Kampionatin botëror në Gjermani më 2006 dhe do të jetë po aq e rëndësishme të jem kapiten më 2012. Ne luajmë në shtëpi, me stadiume të mbushura përplot me tifozë të pasionuar. Do të jetë moment shumë i veçantë për mua”, u shpreh ai.
Të jetë kapiten i reprezentacionit të tij në një garë të rëndësishme ndërkombëtare në vendlindje do të jetë përfundim i mbarë i një karrierë të mrekullueshme për Shevchenkon, i cili është në mesin e sulmuesve më të mirë që ka parë bota ndonjëherë. Shevchenko do të kujtohet për kohën që kaloi në Milan, ku shënoi 175 gola në shtatë sezone – golashënuesi i dytë më i mirë në histori të klubit të famshëm italian – si dhe ndihmoi klubin të fitojë Ligën e Kampionëve më 2003. Kjo është një arritje që e bën Shevchenkon të ndihet krenar.
“Kur isha fëmijë, ishte ëndërr e imja të bëhesha futbollist profesionist. Kur isha 14 vjeç, vizitova stadiumin San Siro të Milanit dhe më kujtohet sa i mrekullueshëm që ishte. Prej aty e tutja jam zotuar se një ditë do të luaj aty, jam shumë krenar që kam arritur këtë dhe po ashtu për çdo gjë tjetër që kam qenë në gjendje të arrij në futboll”, përfundoi Shevchenko.