E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uesli Shnajder, snajperi i Holandës

Ai e cilëson veten një person “addicted”, që ka krijuar varësi ndaj futbollit dhe golat e tij kanë qenë vendimtarë në këtë botëror. Besimi në Zot dhe dashuria e kanë bërë yllin e tulipanëve të shkëlqejë

Ai e cilëson veten një person “addicted”, që ka krijuar varësi ndaj futbollit. “Për mua të provoja të gjuaja goditjet e dënimit ishte si një lloj droge. Pas çdo stërvitjeje ndaloja për të gjuajtur për shumë orë me radhë”. Shtatorin e kaluar shumë pak mendonin se Uesli Shnajder do të ishte një nga protagonistët kryesorë të Botërorit të Afrikës së Jugut. Koha tregoi se golat e tij kanë qenë decizivë në këtë botëror. Tani Holanda është mes 8 skuadrave më të mira të botës, dhe ai gol i Shnajderit e bëri që të dërgonte në shtëpi Sllovakinë edhe pse me kokën lart, por tani “tulipanët” i pret një tjetër sfidë e rëndësishme, një sfidë jetë a vdekjeje si ajo me Brazilin. Shnajder sigurisht që do të përpiqet sërish të shënojë që Holanda e tij të arrijë një fitore historike dhe të ecë shumë larg. Pas largimit nga Reali i Madridit, “snajperi” i Holandës përshtatet shumë mirë me Interin me të cilin vitin e kaluar arriti të fitonte gjithçka: kampionatin, kupën e Italisë dhe Ligën e Kampioneve. Ashtu si tek Interi edhe në botëror portierët dhe mbrojtësit kundërshtarë, dridhen kur topi rrotullohet në këmbët e Shnajderit, sepse djaloshi nga Ultrehi është gjithmonë i gatshëm për të shënuar edhe aty kur nuk ta pret mendja. Uesli Shnajder ka lindur më 9 qershor të vitit 1984 në Ultreh. Në fillim nisi të luajë për Dos, një skuadër amatore në qytetin tij të lindjes, që dikur kishte qenë kampione e Holandës në vitin 1959. Talenti i tij ishte i dukshëm që në moshë fare të vogël. Të gjithë ata që e shihnin ishin gati të vinin bast se Shnajder do të bëhej një kampion i madh. Në moshën 7-vjeçare dha një “provim” tek Ajaksi dhe shumë shpejt përshkroi të njëjtën rrugë si vëllai i tij më i madh, Jeffrey, duke u bërë pjesë e skuadrës së të rinjve holandezë. Gjatë adoleshencës, Uesli ka qenë pjesë e të gjitha kombëtareve të të rinjve holandezë. Kur luajti në Kupën e botës për 17-vjeçarët në Peru u shpall futbollisti më i mirë i këtij turneu, vlerësim që nuk mungoi edhe në shumë turne të tjerë ndërkombëtarë. Pas eksperiencës me Realin e Madridit, Shnajder mban veshur fanellën me numër dhjetë të zikaltërve. Më 27 gusht të vitit 2009, Interi e bleu nga madrilenët për një shumë prej 15 milionë eurosh duke firmosur një kontratë katërvjeçare. “Ne kemi dëshirë të luajmë deri më 11 korrik në Afrikën e Jugut. Të gjithë djemtë e kanë këtë dëshirë. Shpresojmë që me ndihmën e zotit do t’ia arrijmë”, deklaroi ai menjëherë pas fitores me Sllovakinë. Pikërisht, Italia dhe gruaja e tij e ardhshme i dhanë dashurinë dhe besimin. Pasi përfundoi ndeshja me Japoninë, ku padyshim ishte më i miri në fushë, nën fanellën e djersitur të mesfushorit holandez u vu re diçka sa e papritur aq edhe e çuditshme. Një kryq, simbol i konvertimit në i krishterë sipas dëshirës të gruas së tij të ardhshme, Yolanthe Cabau.

Uesli Shnajder u bë një i krishterë katolik dhe ky ishte fundi i një rruge të nisur me dashurinë për të fejuarën e tij e që do të përfundojë në kishë me martesë pas botërorit. Shnajder, në atdhe i kritikuar për një stil jetese sigurisht jo për t’u pasur shembull dhe një karakter arrogant, i pret të gjitha llojet e reagimeve. Kush e njeh thotë se është një djalosh normal, i qetë, alegro dhe shakaxhi. Uesli banon rreth 100 metra larg “Duomo”-s dhe tregon për ditët e tij të lutjes: “Lutem çdo ditë dhe shkoj me Yolanthe çdo të diel në kishë. Besimi është diçka që më jep forcë. Shpesh bindjet e mia më bëjnë të jem i fortë dhe i vendosur. Gjithmonë lutem edhe për të pasur më shumë forcë. Pastaj çdo ditë lutem me Yolanthe para se të ha. Edhe përpara ndeshjeve kërkoj gjithmonë një cep për t’u lutur”

Dashuria e jetës

Anglia është e njohur për “WAGS”, grupi i llastuar dhe plot kapriçio i përbërë nga të fejuarat dhe gratë e futbollistëve të kombëtares që kërkojnë të jenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes, madje më shumë se burrat e tyre. Përkundrazi në Holandë, WAGS, është e barazvlefshme me një person të vetëm. Bëhet fjalë për të fejuarën e yllit të Holandës dhe Interit. Bukuroshja Yolanthe arrin të zërë faqet e para të gazetave dhe të bëjë më shumë bujë sesa skuadra e kombëtares e drejtuar nga Bert Van Marëijk, njëkohësisht një nga kandidatet kryesore për të fituar botërorin. Sepse sa herë që flitet për, Yolanthe Cabau van Kasbergen, shoqen e Uesli Shnajderit, Holanda ndahet në dy pjesë. Kjo u duk kur pak ditë më parë një gazetar arriti ta pyeste trajnerin Van Marëijk në konferencën për shtyp: “Yolanthe ka deklaruar se shumë shpejt do të vijë në Afrikën e Jugut, jeni i shqetësuar për këtë?”. Por kush është vajza që i ka marrë zemrën djaloshit 26-vjeçar? është modele aktore, prezantuese. E lindur 25 vjet më parë në Ibiza nga baba spanjoll dhe nënë holandeze, prej kohësh është një frekuentuese e rregullt e kronikës rozë. Në pranverën e vitit 2009, u kap në befasi teksa shkëmbente një puthje me Shnajderin në një parkim të nëndheshëm në kohën kur ishte ende e lidhur me Jan Smit, një këngëtar shumë i njohur holandez. Pas ndarjes, vajza bukuroshe u lidh me Shnajderin dhe dashuria e tyre tani do të kurorëzohet me martesë. Cikloni Yolanthe arriti pikun e intensitetit të tij pikërisht tani në prag të sfidës me Brazilin, kur një gazetar i njohur holandez shkroi: “Yolanthe mund të na bëjë të fitojmë botërorin. Qëkur Shnajder është me të, ritmi i tij në fushë është rritur ndjeshëm. Nëse kjo do të ndodhte edhe me dhjetë lojtarët e tjerë të skuadrës, atëherë nuk do të ndalej askush”. Zonja e ardhshme Shnajder është konsideruar si “Yoko Yono holandeze”. Ajo di të bëjë bujë dhe të jetë në qendër të vëmendjes e vetme si për sjelljen ashtu edhe për bukurinë. Ndryshe nga “WAGS” që të gjithë në grup po e humbin shkëlqimin e dikurshëm.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›