Matura 2012, tani nxënësit si studentët, vlerësim me kredite
Maturantët në vitin 2012 do të përballen me një strukturë të re në procesin e Maturës Shtetërore. Nëse gjatë viteve të kaluara ata i janë nënshtruar vetëm 4 provimeve, në 2012 nxënësve do t’u duhet të japin 5 të tillë, pasi sipas Ministrisë së Arsimit, provim i detyruar do të jetë edhe gjuha e huaj. Ndërkohë, edhe testet me zgjedhje do të bëjnë pjesë tek provimet e detyruara. E megjithatë risitë që ka parashikuar Ministria e Arsimit nuk përfundojnë me kaq. Pasi të kenë përfunduar të gjitha provimet e Maturës Shtetërore, do të pajiset me diplomë mature dhe jo me dëftesë pjekurie, siç ndodhte më parë. "Deri tani provimet e lëndëve me zgjedhje ishin jashtë marrjes së dëftesës së pjekurisë. Studenti i nënshtrohej atyre thjesht për efekt hyrjeje në universitet dhe për përftim koeficientësh e pikësh. Tani edhe provimet me zgjedhje do të jenë pjesë e detyrimeve që ai duhet të kryejë përpara se të pajiset me diplomën e maturës", thotë Tidita Abdurrahmani, drejtore e Institutit të Zhvillimit të Arsimit.
Për herë të parë maturantët do të vlerësohen edhe me kredite. Gjatë gjithë viteve të shkollës supozohet që maturanti duhet të ketë grumbulluar rreth 90 kredite në total, për t’u drejtuar më pas dyerve të fakulteteve ku synojnë të studiojnë. “Në diplomën e tij do të figurojnë jo vetëm notat, por edhe piket e kreditet, që ka mbledhur secili nxënës. Maturanti duhet të fitojë minimalisht 90 kredite, për t’u konsideruar si kalues i maturës dhe për t’u pajisur me diplomë të posaçme mature. Projektet kurrikulare, shërbimi komunitar dhe modulet profesionale kanë kreditet e tyre, por nuk vlerësohen me notë”, theksoi Abdurrahmani.
#