Tri faza pushimesh për nxënësit dhe mësuesit
Nxënësit e shkollave të mesme dhe nëntëvjeçare do të duhet t’i përfundojnë pushimet e verës më shpejt se zakonisht. Sipas një urdhri të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, të rinjtë nuk do ta nisin vitin e ri shkollor 2010-2011 më 15 shtator, si vitet e kaluara, por do ta fillojnë mësimin më 6 shtator 2010. Krahasuar me përvojat e kaluara, këtë vit nxënësve të shkollave të mesme dhe nëntëvjeçare do t’u duhet ta nisin mësimin një javë para datës “klasike” që ka çelur për çdo vit “sezonin” e ri shkollor. E megjithatë, edhe kjo, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të ketë përparësitë e saj. Kjo për shkak se Tafaj premton se praktika që do të ndiqet këtë vit parashikon një sërë lehtësirash për nxënësit. Kjo do të thotë që edhe pse të rinjve do t’u duhet të bëjnë një javë pushime më pak, do të kenë në dispozicion tri periudha pushimesh. Kjo “formulë” do të aplikohet për herë të parë në vendin tonë, menjëherë pas nisjes së vitit të ri shkollor 2010-2011. Për shkollat 9-vjeçare të sistemit të arsimit parauniversitar, semestri i parë do të nisë më 6 shtator të këtij viti dhe do të përfundojë më 28 janar 2011, ndërsa semestri i dytë do të fillojë më 31 janar 2011 dhe do të mbarojë më 10 qershor.
“Fazat” e pushimevePeriudhat e parashikuara për pushime, sipas përfaqësuesve kryesorë të këtij institucioni, do të vlejnë jo vetëm për nxënësit, por edhe për mësuesit. Periudha e parë e pushimeve do të zgjasë nga data 27-31 tetor 2010. Pas kësaj nxënësit do të mund të bëjnë pushimet e fundvitit, të cilat do të nisin më datë 24 dhjetor 2010 dhe do të përfundojnë më 5 janar të vitit 2011. Këto janë vetëm dy “fazat” e para të pushimeve, sepse siç duket të rinjtë që mësojnë në shkollat e mesme dhe nëntëvjeçare do të jenë me fat. “Qetësisë” së tyre do t’i shtohet edhe një tjetër, pasi gjatë këtij viti shkollor do të ketë edhe një periudhë të tretë pushimesh. Ajo do të fillojë më datë 28 mars dhe do të mbarojë më 3 prill 2011. Viti i ri shkollor do të përfundojë më datë 10 qershor të vitit 2011 për të gjithë sistemin bazë të arsimit parauniversitar në Shqipëri. Kështu klasat e nënta do t’i zhvillojnë provimet e lirimit gjatë periudhës 15-30 qershor të vitit tjetër.
Shkollat e mesmePo në datën 6 shtator do të fillojë mësimi edhe në shkollat e mesme të vendit, por ndryshe nga institucionet nëntëvjeçare, mësimi do të përfundojë më 24 maj 2011. Edhe për gjimnazet, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka vendosur që periudhat e pushimeve të jenë të ngjashme me ato të shkollave nëntëvjeçare. Përjashtim nga urdhri i Tafaj do të bëjnë vetëm klasat e 12-a, të cilat do ta kenë sesionin e provimeve të detyruar të Maturës Shtetërore nga data 26 maj deri më 30 qershor të vitit 2011. Periudhat e pushimeve do të jenë të njëjta si për shkollat nëntëvjeçare, ashtu edhe për ato të mesme. Urdhri i Ministrisë së Arsimit ka ardhur nga domosdoshmëria që kanë nxënësit për më shumë hapësira të lira. Por kjo periudhë pushimi do të vlejë gjithashtu edhe për kualifikime të mësuesve të këtyre shkollave.
#