E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stivë pasaportash në Komisariatin e Sarandës

Fenomeni Aplikantët nuk tërheqin dokumentet

Arrin në mijëra numri i qytetarëve që kanë aplikuar në Sarandë për t’u pajisur me pasaportë biometrike dhe prej muajsh nuk janë bërë “të gjallë” për t’i tërhequr ato. Kjo ka bërë që në zyrën e shpërndarjes së tyre, që gjendet në katin e parë të ndërtesës së Komisariatit të Policisë në Sarandë, të krijohet një stok i madh. Bëhet fjalë për rreth 5-6 mijë pasaporta të reja, që presin prej fundit të vitit të kaluar të tërhiqen dhe aplikuesit nuk kujtohen. Punonjësi i zyrës së “Aleat” thotë se indiferenca e tyre bëhet pengesë për të vijuar punën në normalitet. Ndërkohë që aplikantët e rinj janë 100-150 vetë në ditë. Ndërsa tërheqja është në shifra minimale, stoku sa vjen e shtohet, pasi në më pak se një muaj kësaj sasie i shtohen parti të tjera pasaportash të reja. Mendohet se kjo shkaktohet nga aplikantët që janë kryesisht emigrantë, të cilët nuk vijnë posaçërisht për tërheqjen e pasaportës biometrike. Pritet që ky stok të mos ekzistojë ose të pakësohet me ardhjen e emigrantëve me pushime në muajin gusht. Por zyrat janë qysh sot të mbingarkuara dhe kjo paraqitet si shqetësim që shoqërohet edhe me apelin për t’u tërhequr pasaportat e reja, të paktën prej atyre që punojnë dhe jetojnë brenda vendit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›