E Shtunë, 31 Tetor 2026

Femrat Merimangë dhe meshkujt Bel Ami

Zëra femërorë

“Femër merimangë”, kështu është cilësuar një femër e akuzuar për vrasjen e bashkëshortëve të saj, vrasje të cilat janë bërë me qëllimin e vetëm, përfitimin ekonomik. Ngjarje që na bën të mendojmë për arsyet që e shpinin këtë grua në krime të tilla, si dhe një ngjarje që na detyron të hedhim sytë e të shohim se ç’po ndodh në Shqipërinë tonë të njëzetë viteve të fundit. Periudhë gjatë së cilës është forcuar së tepërmi një model i njohur botëror, i cili vërtet mund të krahasohet me rrjetën e merimangës. Flas për fenomenin shekullor të martesave me interes, ku një pjesë e mirë e femrave e kanë ndërtuar jetën e tyre duke u bazuar mbi parimin: martesë baras me kurthim merimangë.

Për t’u shpjeguar më qartë: Ngritja ekonomike dhe fuqizimi i një pjese të meshkujve gjatë viteve të fundit, ka bërë që këta të shihen jo vetëm si kandidatë meshkuj për t’u martuar, por si një burim i sigurt e i përjetshëm të ardhurash. Në këtë prizëm, meshkujt janë rrethuar nga femra merimangë, të cilat pak nga pak kanë shtjelluar fijet rreth trupit, mendjes dhe llogarisë së tyre bankare, për t’i dhënë në fund sulmin përfundimtar. Modelet janë aq të shumëllojshme dhe variojnë me forma dhe shfaqje nga më të ndryshmet:

Kemi femra që pikasin një mashkull të pasur, (i shkurtër, i shëmtuar, pa flokë, i moshuar, nuk ka rëndësi) i gjejnë pikat lidhëse dhe nisin kurthimin për ta shpënë drejt martesës. E sakrifikojnë veten e tyre duke u martuar me këtë mashkull që nuk e dashurojnë, madje shkojnë edhe më tej duke u shtuar me fëmijë. Në fund kërkojnë divorcin dhe jo vetëm kaq, por edhe gjysmën e pasurisë (të cilën ai e ka bërë përpara se të martohej). Bashkëshorti ka detyrime mbi fëmijët dhe me dhimbje firmos çdo lloj akti të paraqitur në gjyqin e ndarjes, madje duke pranuar që fëmijët dhe gjysma e pasurisë së tij t’i mbeten nënës.

Në një tjetër rast, gruaja merimangë paralelisht me procedurat ligjore martesore, ka filluar ndërkohë të gjejë avokatin e divorcit, i cili do t’i sigurojë asistencën e përjetshme.

Ka edhe nga ato raste, kur femrat i shtrijnë kthetrat jo vetëm në pasuritë e burrit, por edhe tek ato të trashëguara nga familja e tij, duke kërkuar të bëhen pronare të ligjshme të një prone apo të një shtëpie në bregdet. Pretendime këto që bëhen edhe më të palogjikshme dhe gati çnjerëzore, kur edhe pas vdekjes natyrore të bashkëshortit, gruaja nuk preket nga dhimbja e humbjes, e nuk shihet të qajë në ceremoninë funerale, por shihet teksa sulmon gjithë fisin e burrit se po i vjedhin të drejtat e pasurisë së saj dhe të burrit të saj.

Padyshim që të gjithë e dimë, se ligjërisht pas divorcit gruaja ka të drejtë mbi pasurinë e bashkëshortit, sidomos mbi pasurinë e përbashkët, pra atë që është krijuar nga puna e të dyve. Të gjithë e dinë po ashtu se bashkëshorti ka detyrimin moral të kujdeset ekonomikisht për një femër, me të cilën ka ndarë disa vite jetë nën të njëjtën çati, e në të njëjtin krevat, siç ka detyrimin moral dhe ligjor edhe për fëmijët.

Por një fenomen edhe më i ri i këtyre pak viteve të fundit ka bërë që thika të ndryshojë drejtim. Fenomeni shqiptar “Bel –Ami” – (burrë i bukur), nisi fillimisht të zbatohej jashtë Shqipërisë ku një pjesë e meshkujve zgjodhën rrugën e lehtë për t’i rezistuar emigrimit, duke u martuar me femra të pasura dhe më të mëdha në moshë, me qëllimin e vetëm, pajisjen me pasaporta të rregullta europiane apo amerikane. Tanimë ky fenomen ka zbritur në Shqipëri nën një tjetër formë, por me përmbajtje të njëjtë: interesin. Kështu, njësoj si “Burri i Bukur” i Mopasanit, i cili lidhej me femra të pasuara e me pushtet, po kështu edhe disa djelmosha shqiptarë kanë nisur të peshkojnë vajza me prikë të madhe, e me prindër biznesmenë të mëdhenj. Në emër të sigurisë materiale ata janë të gatshëm të durojnë çfarëdolloj teke të nuses, vjehrrit apo gjithë fisit, duke u kthyer kështu në “kollovarë” modernë. Këta të fundit ende nuk kanë arritur të bëjnë hapin tjetër drejt divorcit, por edhe ata që kanë guxuar ta përmendin divorcin kanë marrë përgjigjen e gatshme: “Provoje, po s’të lash me gisht në gojë. Nga pasuria e tim eti nuk ke për të marrë asnjë qindarkë.”

Të gjesh të drejtën në problemet ekonomike dhe pasurore që sjell divorci është tepër e vështirë. Por me shumë siguri mund të them, se femrat nuk do ta dëshironin kurrë të shiheshin nga një mashkull, si një objekt pasurimi dhe padyshim nuk do të dëshironin që një mashkull të martohej me to, thjesht për pozicionin e punës, atë ekonomik, apo atë të trashëguar nga familja.

Ky ndërrim i roleve, ndoshta do të fillojë të shërbejë si procesi më i mirë për t’i bërë femrat shqiptare të reflektojnë më thellësisht përpara se të shkojnë drejt një martese me interes. Askujt nuk i pëlqen të ndihet i shfrytëzuar apo i vjedhur. Ndoshta vetëm tani femrat mund të kuptojnë sesa e padrejtë është të përfitosh mbi kurrizin e tjetrit dhe ndoshta më së fundi do të fillojnë të kuptojnë se ajo çfarë mbetet në fund të jetës nuk është paraja, por emocionet, ndjenjat e sinqerta që kemi marrë dhe që kemi falur gjatë jetës sonë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›